Qeveria e Kosovës, nën patronatin e kryeministrit Albin Kurti, ka organizuar festimin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Si asnjëherë më parë, në këtë ditë të shënuar për vendin tonë nuk do të merr pjesë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ushtruesi i detyrës së kreut të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, në një intervistë për Demokracia.com ka thënë se nuk do të marrin pjesë në organizimin e festimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës për shkak të kryeministrit Albin Kurti.
“Jo, sivjet nuk do të jemi pjesë e organizmit të festimit të Pavarësisë së Kosovës.
E kemi bojkotuar këtë festim për shkak të Albin Kurtit.
Arsyeja pse nuk do të marrim pjesë është se Albin Kurti prej që është bërë kryeministër vetëm një herë e kemi takuar për t’ia uruar detyrën në fillim.
Ai (Kurti) na pati premtuar që do të na takojë çdo muaj, mirëpo asnjëherë nuk e ka realizuar ndonjë takim me neve si organizatë”, ka thënë Klinaku.
Ai tutje ka thënë se nga kryeministria e kanë thirr atë para 10 ditësh për të qenë pjesë e Këshillit Organizativ për shënimin e 14 vjetorit të pavarësisë.
“Është interesante, sepse më kanë thirr para 10 ditësh.
Ka qenë ditë e shtunë dhe pyetja e parë që ua kam bërë ka qenë pse më thirrni në vikend?
Pra, më kanë thirr ditën e shtunë si Këshill Organizues për të hënën që të dërgoi një përfaqësues dhe përgjigja ime ka qenë jo, përderisa janë bërë një vit që Albin Kurti është bërë kryeministër dhe vetëm një herë e kemi takuar për të ia uruar detyrën.
Edhe pse Kurti ka premtuar që do të na takojë çdo muaj, ai asnjëherë nuk e ka realizuar ndonjë takim edhe pse i kemi dërguar dy e-maila, por nuk u është përgjigj dhe nuk ka dhënë arsyetime pse nuk takohet me neve.
Ne si Organizatë e Veteranëve, duke e pasur për bazë që veteranët e luftës e kanë një ligj, që në bazë të atij ligji përfitojnë benficione nëpër ministri të ndryshme, që ata duhet t’i bëjnë aktet nënligjore për t’i gëzuar veteranët benificionet dhe përgjigjja ime ka qenë e përderisa ai nuk është i gatshëm të na takojë, si Organizatë e Veteranëve pse të marrim pjesë në Këshill Organizativ. Ju kam thënë nuk vijmë për shkak të Albin Kurtit”, ka theksuar Klinaku.