Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e faturave të energjisë elektrike nuk prek xhepin e qytetarëve të Kosovës, sa prek buxhetin e shtetit.
Kurti këto deklarime i ka bërë në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), gjersa ka thënë se i dhimbsen paratë e subvencionuara për mbulimin e shpenzimeve për energji elektrike.
Në njërën anë, ndërprerja e zinxhirit të prodhimit dhe në anën tjetër hovi në konsum, kur ja shtojmë edhe spekulantë të ndryshëm, padyshim që kemi shkuar në shtrenjtim të energjisë elektrike. Tek xhepi i qytetarëve kemi një shtrenjtim minimal, shtrenjtimi më i madh është në xhepin e Qeverisë. Kjo më dhemb shumë, sepse ato janë para që ne do t’i përdornim në shumë fusha të tjera”, ka thënë kreu i ekzekutivit.
“Mosndërtimi i kapaciteteve, i kombinuar me shtrenjtimin e energjisë me bursat ndërkombëtare, ka bërë që ne të kemi një kosto të jashtëzakonshme. Unë i lus të gjithë qytetarët e Republikës që sa më shumë ta kursejnë energjinë elektrike, por edhe xhepin e shtetit. Besoj që prej atëherë kur u hoqën blloktarifat, energjia elektrike ka qenë posaqërisht e lirë, edhe kur energjia elektrike është e lirë, është mirë”, ka shtuar më tej ai.
“Në kushtet kur konsumi është nganjëherë edhe mbi dyfishin e gjenerimit, domosdoshmërisht duhet të bëjmë thirrje për kursim të energjisë elektrike. Sërish, energjia elektrike në Kosovë, edhe pas këtij shtrenjtimi, nuk është shtrenjtë në Kosovë në krahasim me vendet e tjera”.