Anëtarë të Kongresit bëjnë thirrje për rritjen e angazhimit amerikan në Ballkan, përmendin dialogun Kosovë-Serbi

    0
    47

    Anëtarët e Kongresit amerikan, 19 sish, thonë se në kushtet e krijuara nga agresioni rus në Ukrainë, është më e rëndësishme se kurrë që administrata e Presidentit Joe Biden të rrisë angazhimin diplomatik në Ballkanin Perëndimor.

    Ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë, në një letër dërguar Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken, thonë se Shtetet e Bashkuara duhet të dyfishojnë përpjekjet për konsolidimin e demokracisë dhe për nxitjen e integrimit euro-atlantik të rajonit.

    “Integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në komunitetin transatlantik duhet të jetë përparësi për Shtetet e Bashkuara ndërsa ne përpiqemi të konsolidojnë aleancat tona në gjithë Evropën dhe i kundërvihemi përhapjes dhe ndikimit të regjimeve autokratike, përfshirë atyre të Rusisë dhe Kinës”, thuhet në letër.

    Letrën e ka bërë publike kongresistja Dina Titus, e cila në një postim në Facebook ka shkruar se “Ndërsa bota shikon shpalosjen e pushtimit të paligjshëm rus të Ukrainës, është më e rëndësishme se kurrë për SHBA-në të thellojë angazhimin e saj në Ballkan.”

    “Sot unë drejtova një letër me kolegët e mi duke i kërkuar Departamentit të Shtetit për të demonstruar gatishmërinë tonë për të mbështetur vlerat demokratike jashtë vendit”, ka shkruar ajo.