10.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Të rinjtë rusë tregojnë fshehurazi se si grinden me prindërit e tyre që e adhurojnë Putinin

Rekomandime

Si përpiqen të rinjtë rusë t’ua ndryshojnë mendimin prindërve të tyre që e arsyetojnë luftën në Ukrainë?

Deutsche Welle ka sjellur disa histori familjare që tregojnë se diskutime të ashpra për pushtimin po zhvillohen në shtëpitë ruse.

- Advertisement -

Përpara se Twitter të bllokohej në Rusi, në këtë rrjet social u diskutua për prindërit që e besojnë në propagandën ruse dhe mbi të gjitha mënyrën për t’i bindur ata që të mos vazhdojnë ta mbështesin luftën në Ukrainë.

Një sondazh rus thotë se 68 për qind e qytetarëve e mbështesin luftën.

Shumë rusë janë në favor të një lufte, e cila në Rusi mund të quhet vetëm “operacion special”. Sipas VZIOM, instituti shtetëror për hulumtimin e opinionit publik, rreth 68 për qind e qytetarëve rusë e mbështesin luftën. Pothuajse nuk ka më media kritike, të pavarura në vend dhe popullsia e moshuar “konsumon” pothuajse informacione ekskluzivisht nga televizioni shtetëror.

- Advertisement -

Një numër i të rinjve rusë, emrat e të cilëve janë ndryshuar, i kanë treguar DW për të gjitha grindjet që kanë pasur me prindërit e tyre pjesërisht pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014, ose për shkak të sanksioneve që pasuan lëvizjen ruse. Këtu janë dy nga historitë e tyre:

“Babai im kishte mendim kritik, por nëna ime është ende mbështetëse e Putinit”

- Advertisement -

Jelena (29), jeton në Moskë, merret me IT

Kjo është një luftë gjithëpërfshirëse dhe unë jam padyshim kundër saj. Ditën e parë u trondita plotësisht, qava duke lexuar lajmet. Më vjen turp, më vjen keq dhe ndihem përgjegjëse për faktin se sëmundja e vendit tonë në formën e presidentit nuk na prek vetëm ne, por edhe njerëzit e vendeve të tjera. Unë kurrë nuk ia kam dhënë votën time kësaj qeverie, kam marrë pjesë në protesta.

Dhe tani isha sërish në protesta, nënshkrova gjithçka që mund të nënshkruhet kundër luftës. Unë diskutoj me njerëzit se çfarë mund të bëj, si mund të ndikoj në këtë situatë. Së fundmi shkova në një stacion metroje me miqtë e mi dhe atje vumë shirita jeshilë si simbol i paqes.

Reagimet ishin të ndryshme. Një burrë i moshuar na u afrua me lot në sy duke na kërkuar një për gruan e tij. Aty ishte edhe një plakë, bërtiste në rrugë, thoshte se ne jemi fashistë dhe duhet të na vrasin.

Edhe prindërit e mi jetojnë në Moskë. Babai im është 59 vjeç, punon në një kompani që merret me transport parash. Nëna ime është 63 vjeçe dhe pensioniste. Ajo shkruante skenarë për shfaqje për fëmijë. Kur e gjithë kjo filloi në Ukrainë, ne u grindëm.

Prindërit e mi besojnë gjithçka që shohin në televizion. Mëngjesin e datës 26 shkurt më telefonoi vëllai im, ai ndan mendimin tim. Unë sugjerova të ulemi të gjithë dhe të bisedojmë. Dhe arritëm një gjysmë fitore.

Arritëm ta bindnim babanë tonë se gjithçka është e tmerrshme. Ndërkohë, ai u kthye në të menduarit e tij kritik. Ai e kishte kuptuar më parë se kjo nuk ishte e gjithë ajo që thuhej në TV. Por këto njohuri të reja ishin katastrofike për të. Ai pësoi një atak, mbeti pa frymë. Pamja e tij e plotë e Rusisë, e popullit të tij, u shemb si një kullë letrash.

Pas daljes në pension, nëna jonë shikonte vazhdimisht TV dhe kështu u bë fanatike e Putinit. Ne u përpoqëm ta bindim t’i lexonte disa burime alternative, por ajo as që dëshiron të dëgjojë për këtë. Sapo i thua se ideologjia e saj mund të jetë e gabuar, atëherë ajo inatoset dhe bëhet agresive, ashtu si ajo e moshuara në rrugë që na quajti fashistë.

Kur dëgjuam se Kadyrov (kreu i Çeçenisë) i kishte dërguar trupat e tij në Ukrainë, ajo pothuajse filloi të duartrokiste me gëzim. Kjo më lëndoi.

Unë nuk jam më në kontakt me mamanë time, ndoshta një ditë do të flas me të për të gjitha këto, një ditë kur ajo t’i kuptojë të gjitha pasojat dhe kur bota e saj rozë të shkatërrohet. Por babai ynë është në anën tonë.

Ai ishte gjithmonë kundër që unë të dilja në protesta, kishte frikë për mua. Pas gjithë bisedave tona, ai më tha diçka që më befasoi. Ai tha se do të vinte me mua kur të shkoja sërish në ndonjë protestë.

“Nëna ime thjesht përsërit slogane propagandistike, por ne të dyve na pëlqen Boris Nemtsov”

Anton (24), stilist, jeton në rajonin e Moskës

Jam rritur në Morosovsk në rajonin e Rostovit. Përafërsisht 200 kilometra nga qyteti ukrainas i Luhansk. Unë i njoh ukrainasit që fëmijë, çdo gjë ka qenë gjithmonë mirë mes nesh. Atë mëngjes, më 24 shkurt, kur filloi lufta, bëra çantën e urgjencës gati për t’u fshehur në pyll.

Nëna ime më pyeti menjëherë se ku po shkoja. Ajo tha se e mbështet luftën në Ukrainë, se Rusia duhej ta pushtonte plotësisht Ukrainën në vitin 2014, se Putini po bënte gjithçka siç duhet. Unë kam qenë i befasuar. Nëna ime është 52 vjeçe dhe beson në të gjitha llojet e gjërave të çuditshme, si runat, tarot, komplotet.

Kur flet për politikë, përsërit vetëm slogane propagandistike. Nuk e prisja që ta arsyetonte vrasjen e njerëzve në një vend fqinj. Është e rëndësishme për mua ta bind atë se vrasja e njerëzve nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë.

Unë jam i mendimit se kjo luftë është e papranueshme. Unë shërbeva në ushtri dhe edhe atëherë m’u bë e qartë se diçka nuk shkonte në vendin tonë. Nuk na lejuan të fotografonim pajisje ushtarake të prishura, oficerët vodhën benzinë. Kur u ktheva nga ushtria në shtëpi, nisa të shkoja në protestë.

Lufta është produkt i atij sistemi. Kështu që unë përpiqem ta bind nënën time se ajo që po ndodh në Rusi nuk është normale. Në ditën e dytë të luftës (25 shkurt) folëm për çdo gjë, nuk pati asnjë sherr apo shpërthim inati. I lidha logjikisht të gjitha, i paraqita argumentet e saj, i ofrova ta lexonte Orwellin.

Dhe të nesërmen biseduam përsëri në paqe. Por nuk besoj se mund ta lëviz atë. Gjithçka u ngatërrua në kokën e saj, do të përpiqem gjithsesi. Për shembull, ne ishim të bashkuar në vlerësimin tonë se të dyve na pëlqen Boris Nemtsov (politikan rus, kritik i Kremlinit, i vrarë në qendër të Moskës në 2015).

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit