Këshilltari i kreut të Zyrës së presidentit të Ukrainës dhe anëtar i ekipit negociator të shtetit, Mihailo Podoljak, tha se sanksionet aktuale kundër Rusisë nuk janë të mjaftueshme dhe u bëri thirrje shteteve të forcojnë grupin e masave kundër Kremlinit.
Duke komentuar rezultatet e mundshme të luftës në Ukrainë, Podoljak tha se ishte i bindur se lufta në Ukrainë nuk do të shndërrohej në një skenar afgan.
“Nuk do të ketë ‘afganizim’ dhe nuk do të ketë konflikt të stërzgjatur që do ta lodh Rusinë siç presin disa. Ushtria ruse do të largohet nga të gjitha territoret përveç jugut dhe lindjes, ku do të vendosin mbrojtje ajrore. Ajo do të përpiqet të reduktojë në mënyrë drastike humbjet. Pa armë të rënda, ne nuk do të jemi në gjendje ta dëbojmë ushtrinë ruse”, tha Podoljak.
Ai i’u referua edhe vendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe theksoi se pakoja e sanksioneve të vendosura deri më tani nuk është e mjaftueshme.
“ Sanksionet kundër Rusisë nuk mjaftojnë. Për të shkatërruar ekonominë ruse dhe për të ndaluar vrasjen e ukrainasve, nevojitet një embargo direkte ndaj të gjitha burimeve të energjisë ruse ose një embargo indirekte përmes mbylljes së porteve. Nëse nuk i merrni këto masa, atëherë na thoni – luftoni deri në ukrainasin e fundit”, përfundoi ai.