Ministri i Financave, Hekuran Murati u ka bërë thirrje punëdhënësve në sektorin privat që të shqyrtojnë mundësinë e dhënë nga Qeveria e Kosovës, që tu rrisin pagat punëtorëve të tyre.
“Bëj thirrje për të gjithë punëdhënësit në sektorin privat që të shikojnë mundësinë e rritjes së pagave për punëtorët e tyre”, ka thënë Murati.
Murati në konferencën për media bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ka thënë se nga kjo pako mbështetëse, do të përfitojnë pothuajse të gjitha kategoritë që janë përballur me vështirësi gjatë këtyre muajve.
Ai bëri të ditur se kategoria e parë e cila do të përfitojë menjëherë shtesën prej 100 eurove do të jenë pensionistët.
“Në radhë të parë do të jenë pensionistët që do ta marrin këtë shtesë me pensionin e radhës që pritet të shpërndahet në fund të kësaj jave. Pastaj do të jenë pagat në sektorin publik për të cilat kemi të dhëna që do të shpërndahen në fund të muajit, edhe mbështetja për asistencën sociale do të shpërndahet sipas afatit të rregullt”, u shpreh Murati.
Ministri theksoi se për punëtorët e sektorit privat dhe studentët gjatë ditëve në vijim do të hapet procesi i aplikimit për të përfituar shtesën prej 100 eurove.