Natën mes 8 dhe 9 prillit, avionët transportues të forcave ajrore kineze fluturuan mbi Serbi.
Ndonjë njoftim nga Beogradi zyrtar nuk ka ende, por publiku mori informacione shtesë nga Pekini, më 11 prill.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha në një konferencë për media se Kina “ka dërguar së voni furnizime të rregullta ushtarake” në Serbi, raporton Radio Evropa e Lirë.
Ai tha se dërgesa ka qëllim “zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Kinës dhe Serbisë”.
Lijan nuk dha shumë detaje, por theksoi se projekti nuk synon asnjë palë të tretë.
“Është një projekt në kuadër të planit tonë vjetor të bashkëpunimit. Shpresojmë që mediat përkatëse të mos e interpretojnë shumë. Ky projekt nuk synon asnjë palë të tretë dhe nuk ka lidhje me situatën aktuale”, tha ai.
Agjencia e lajmeve AP, në një tekst ku operacioni i transportit u cilësua si sekret, tha se avionët që vazhduan të ulen në Beograd gjatë fundjavës, dërguan atje pjesë të sistemit raketor kundërajror të Kinës, FK-3.
Dorëzimi i armatimit kineze, për të cilat Serbia ra dakord me Kinën në vitin 2019, ndodh në mes të Iuftës në Ukrainë.
Sipas presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vendi i tij po përballet me “presion të madh” për t’u harmonizuar me sanksionet evropiane kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Perëndimi, më herët, ka shprehur shqetësimin se armatosja e mëtejshme e vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjatë Iuftes në Ukrainë, mund të rrezikojë paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Në të njëjtën kohë, Brukseli dhe Uashingtoni kanë shprehur shqetësimin për blerjen e armëve në Serbi nga Rusia dhe Kina, sepse Serbia, si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pritet ta harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me bllokun evropian.
Për shkak të blerjes së sistemit kinez të mbrojtjes ajrore, paralajmërimet nga SHBA-ja janë bërë qysh në vitin 2020.
Në atë kohë, zyrtarët amerikanë kanë thënë se nëse Serbia dëshiron vërtet t’i bashkohet BE-së dhe aleancave të tjera perëndimore, ajo duhet t’i ketë pajisjet e saj ushtarake në përputhje me standardet perëndimore.
Serbia, përndryshe, do të jetë operatori i parë i raketave kineze në Evropë. Rasti i njëjtë ka qenë edhe me dronët Iuftarakë kinezë CH-92A, të cilët i janë prezantuar publikut serb në korrik të vitit 2020.
Edhe pse për furnizimin me FK-3 është rënë dakord më herët, është e rëndësishme të vëzhgohet koha e dorëzimit, thotë për Radion Evropa e Lirë Vuk Vuksanoviq, studiues në Qendrën për Politikat e Sigurisë në Beograd.
Ai e sheh këtë kohë si pjesë integrale të lojës së Vuçiqit “për të fituar më shumë hapësirë për manovrim dhe një pozicion më të mirë negociues kundrejt Perëndimit”.
Në njëfarë mënyre është edhe tregues dhe konfirmim se Serbia – tani që të gjithë sytë janë të drejtuar kah Rusia dhe ajo ka shumë gjasa të detyrohet t’i zvogëlojë ndjeshëm lidhjet e saj me Moskën – ka Kinën partnere kryesor në lindje”, thotë Vuksanoviq.
I pyetur nëse pret dhe çfarë reagimesh pret nga Perëndimi, Vuksanoviq thotë se reagime zyrtare nuk ka, por shton se dërgesa e Kinës nuk ka kaluar pa u vënë re.
Sipas tij, përmirësimi i bashkëpunimit me Kinën do ta përcjellë Serbinë në afat të gjatë.
“Të gjitha këto që i shohim në lidhje me Rusinë, nuk do të jenë asgjë kur Kina të vijë në radhë”, thotë Vuksanoviq.
Petar Vojinoviq, redaktor i portalit Tango Six, i specializuar në aviacion, beson se blerja e FK-3 është një vendim profesional, e jo politik dhe se nuk paraqet kthesë kah Kina, kur bëhet fjalë për bashkëpunimin ushtarak-teknik.
“Marrë parasysh se blerja e armatimit është në radhë të parë vendim profesional dhe më pas politik, blerja e këtyre [FK-3] nga Kina nuk mund të klasifikohet si kthim kah Kina, pasi atëherë do të duhej të kishim një përqindje shumë të madhe të mjeteve nga Kina”, thotë Vojinoviq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, përfshirja e armatimit dhe pajisjeve ushtarake kineze në përbërjen Iuftarake të Ushtrisë së Serbisë është e vogël, në krahasim me Rusinë dhe vendet perëndimore.
Serbia deklarohet se është ushtarakisht neutrale, që do të thotë se nuk do që të anëtarësohet në asnjë aleancë ushtarake.
Ky pozicion i saj është përfshirë në Strategjinë e Mbrojtjes dhe në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Serbisë, të cilat janë miratuar në Kuvendin e Serbisë në dhjetor të vitit 2019.
Nikolla Lluniq, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Politikave Strategjike në Serbi, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dhënat për prokurimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga vendet e treta në demokracitë liberale, nuk janë sekrete, “sidomos jo për shërbimet e inteligjencës apo për zyrtarët e huaj”.
“Arsyet për dorëzimin jotransparent të sistemit kinez të mbrojtjes ajrore FK-3 duhen kërkuar ekskluzivisht në interesat politike dhe në llogaritjet për ndikimin e tyre në vlerësim”, thotë Lluniq.
Sipas tij, këto pajisje do të paraqesin sfida për Ushtrinë e Serbisë, kur bëhet fjalë për përputhshmërinë e tyre me ato që i ka.
“Çështja e përputhshmërisë operacionale me sistemet ekzistuese Iuftarake të Ushtrisë së Serbisë do të jetë një sfidë e madhe, marrë parasysh problemet e mirëmbajtjes, logjistikës dhe riparimit… Për të gjitha këto, do të thosha se Serbia nuk ka interes strategjik për importimin e pajisjeve nga Kina, pavarësisht përparimeve në marrëdhëniet dypalëshe apo aftësitë operacionale”, thotë Lluniq.
Blerja e armatimit në Serbi nga Kina dhe Rusia përcillet vazhdimisht me fshehtësi.
Në vitet e fundit, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë ka refuzuar disa kërkesa të Radios Evropa e Lirë për qasje në informacionet me rëndësi publike, të cilat kanë të bëjnë me çmimin dhe transportin e armatimit nga Rusia dhe Kina.
I pyetur se si e komenton faktin që qytetarët e Serbisë janë të privuar nga informacionet transparente të institucioneve përgjegjëse për furnizimin me armatim, Vojinoviq thotë:
“Nuk janë qytetarët ata që duhet të mendojnë për këtë, por partitë politike që këta qytetarë i zgjedhin për në Parlament. Ato parti politike, pastaj, i përcjellin dhe bëjnë pyetje”.
Kur bëhet fjalë për Iuften në Ukrainë, Vojinoviq thotë se ajo sigurisht se do të ndikojë në bashkëpunimin ushtarak-teknik midis Serbisë dhe Rusisë, veçanërisht në transportin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, për të cilat është rënë dakord më parë dhe është bërë pagesa.
“Teknikisht, ne nuk jemi sanksionuar që të na ndodhë diçka. Rusia mund të na i transferojë pa problem të gjithë ata helikopterë, armë, pjesë rezervë, që janë paguar… Organizimi është i mundshëm teknikisht, por do të jetë shumë vështirë”, thotë Vojinoviq.
Ai shton se Serbia asnjëherë nuk ka pasur embargo nga Perëndimi për blerjen e pajisjeve ruse apo kineze, sepse, siç thotë, “gjithmonë ka qenë në kontekstin e rinovimit apo porositjes së diçkaje që tashmë e kemi”.
Derisa ende pritet konfirmimi zyrtar nga Serbia për pranimin e avionëve ushtarakë kinezë, Sindikata Ushtarake e Serbisë doli me një deklaratë për media.
Ajo e mirëpriti pajisjen e ushtrisë me armatim të ri, por tha se ushtria nuk ka personel të mjaftueshëm as për mirëmbajtjen e armatimit ekzistues.
“Çdo pajisje e ushtrisë me mjete moderne Iuftarake është një lajm i mirë për ushtarët dhe qytetarët, por për çfarë vlejnë këto armë të reja nëse ato nuk blihen në bazë të nevojave reale të ushtrisë dhe me pëlqimin e profesionistëve, e sidomos nëse ushtrisë i mungon personeli…”, thuhet në deklaratën e lëshuar më 11 prill.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë, megjithatë, i hodhi poshtë pretendimet e sindikatës, duke i cilësuar si të pakuptimta.
Kjo ministri nuk i është përgjigjur as kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të konfirmuar ose mohuar se sistemi kinez i mbrojtjes ajrore FK-3 i është dorëzuar Serbisë.
Edhe avionët Iuftarakë francezë, Rafal, së shpejti mund të përfshihen në mesin e pajisjeve Iuftarake të Ushtrisë së Serbisë.
Më 9 prill, Vuçiq ka thënë se Serbia është duke negociuar me Francën për blerjen e avionëve Iuftarakë. Konfirmimi është bërë pas publikimit të informacioneve jozyrtare për këtë temë në mediat në Serbi.
“Për blerjen e 12 Rafalëve të rinj jemi duke diskutuar tash e një vit”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se Serbia është duke negociuar edhe me një shtet tjetër për blerjen e 12 avionëve Iuftarakë, por nuk ka dhënë më shumë detaje.