Rusia synon të pushtojë Ukrainën jugore dhe të hapë një rrugë drejt rajonit separatist të Transnistrisë në Moldavi, thotë një gjeneral i lartë rus.
Gjeneral Major Rustam Minnekayev specifikoi se Moska do të kërkojë të marrë “kontrollin e plotë” mbi jugun.
Gjenerali Minnekayev, i cili është zëvendës komandant i qarkut ushtarak qendror të Rusisë, po fliste në një ngjarje ushtarake në rajonin e Sverdlovsk.
“Kontrolli mbi jugun e Ukrainës është një tjetër rrugëdalje për në Transnistria, ku ka edhe fakte të shtypjes së popullatës rusishtfolëse,” tha gjenerali Minnekayev.
Transnistria është një rajon i vogël në Moldavi i mbështetur nga Rusia që kufizohet me Ukrainën.
Zyrtarët rusë të mbrojtjes i thanë Steve Rosenberg të BBC’së se po “shikonin” komentet e gjeneralit, të cilat – nëse konfirmohen – ofrojnë pasqyrën e parë mbi planet e mundshme të Rusisë në javët e ardhshme.
Ndërkohë, një zyrtar i lartë i BE’së i ka thënë Reuters se Rusia ka të ngjarë të intensifikojë sulmet e saj në Ukrainën lindore dhe përgjatë bregdetit jugor në ditët në vijim, duke shtuar se dy javët e ardhshme mund të jenë vendimtare në Iuftë.
Transnistria kufizohet me Ukrainën nga perëndimi. Ajo shpalli pavarësinë pas rënies së Bashkimit Sovjetik në një konflikt të përgjakshëm, por nuk njihet ndërkombëtarisht dhe zyrtarisht mbetet pjesë e Moldavisë.
Një grup i vogël prej rreth 1500 trupash ruse është vendosur në rajon që nga viti 1995 si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi.