Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duke raportuar në Komisionin për Siguri ka thënë se ‘s’do të lë gurë pa lëvizur që qytetarët e Kosovës ta gëzojnë lirinë e lëvizjes’.
Duke folur për vizitat dhe takimet e tij në shtete të ndryshme, Sveçla tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave.
“Kam realizuar 1 numër të vizitave të cilat kryesisht ndahen në 2 kategori. Bashkëpunime multilaterale në kuadër të iniciativave të ndryshme qoftë të BE-së qoftë të rajoneve dhe vizitave tematike. Tashmë ekziston një qëndrim publik se Kosova i ka plotësuar kriteret e nevojshme që të fitojë të drejtën e lëvizjes së lirë. Ne për më tepër se kaq, kemi bërë vizita dhe takime me shtete të cilat janë vlerësuar si skeptike ose janë vlerësuar si vende që mund të ndikojnë pozitivisht. Qasja ime ka qenë kjo, të kalojmë edhe një herë nëpër të gjitha kërkesat e BE-së, të kalojmë edhe një herë në të gjitha kërkesat e shteteve individuale dhe pastaj këto kërkesa bashkë me angazhimin tonë dhe sukseset tona t’i ballafqojmë me përgjegjësit”.
“Në Francë jam takuar me homologun tim dhe ekziston një dakordancë e dyanshme, por edhe një vlerësim i tyre i drejtpërdrejt që kemi suksese të mëdha në këtë fushë dhe kriteret teknike janë plotësuar. Kjo është çështje e vendimmarrjes politike, çështje e raporteve të vendeve të ndryshme mes tyre që deri tash kanë qenë pengese. Shumë shpejt unë pres vendimmarrje të drejt për këtë çështje. Ne do të realizojmë takime dhe vizita shtesë në mënyrë që të bëjmë çdo gjë që është e mundur, siç thotë populli, s’do të lëmë asnjë gurë pa lëvizur që këtë të drejtë të qytetarëve ta realizojmë”, tha ai.