Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është shfaqur sonte në publik, pas shumë diskutimeve lidhur me skandalin financiar ku raportohet të jetë i përfshirë ky i fundit.
Ambasada e Kosovës në Kroaci sonte ka shtruar iftar, ku në mesin e shumë të ftuarve ishin edhe krerët e shtetit kroat.
“Sonte ne Zagreb, ne prag te festes se shenjte te Bajramit, Meshihati i Bashkesise Islame ne Kroaci ne krye me dr. Aziz ef. Hasanoviq, organizoi iftar ku muaren pjese: kreu i shtetit te Kroacise, kryetari Zoran Milanoviq, ministrja e kultures dhe mediave dr. Nina Obuljen Korzhinek si e derguar e posaçme e kryeministrit kroat Andrej Plenkoviq, nekryetari i parlamentit Zhelko Reiner, ish presidentet kroat Kolinda Grabar Kitaroviq dhe Ivo Josipoviq si dhe perfaqesuesit e korit diplomatik ne krye me nuncin Georgije Lingua”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ish-anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ishte emëruar ambasador i Kosovës në Zagrev, vitin e kaluar raportohet të jetë implikuar në një skandal të madh financiar, sipas mediumit slloven Planet TV.
Berishaj ndryshe ka shtetësi sllovene, ndërsa pak para se të merrte pozitën e ambasadorit, presidentja e Kosovës i kishte dhënë atij edhe shtetësinë e Kosovës.
Berishaj raportohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Paraprakisht, mjetet financiare, kompania MB Consulting, në pronësi të Berishajt, i kishte pranuar nga një kompani energjetike serbe, GEN. Nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ai ka mohuar akuzat.