Kryeministri i sapozgjedhur i Malit të Zi, Dritan Abazoviç gjatë një interviste ka komentuar çështjen e demarkimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, duke theksuar se për shtetin e tij Demarkacioni, ka marrë fund me nënshkrimin e marrëveshjes lidhur me këtë.
“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Malin e Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, ka thënë Abazoviç.
Kjo deklaratë erdhi pas kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti lidhur me shqyrtimin e demarkacionit.
Ndaj Abazoviçit ka reaguar aktori Çun Lajçi. Ai tha se me deklaratën e tij, kryeministri i Malit të Zi ua këputi shpresën se do të ndryshojë marrëveshja.
“E tash ky ulqinaku që po thotë jam Kryeministër, e Kryeministër asht, po thotë Çakorrin ma keni falë e tash banju gati me hi n’Ballkanin e Ramës, se edhe unë dua me hi me gjithë Cetinën!”, shkruan Lajçi.
Postimi i plotë:
Ku po mbetët Çakorri bre?
Folni more? Si mbet puna e Çakorrit? A i ka dikush tapiat e babës, që ta blejmë?
Se ky djali i Ulqinit, mbramë në Klan Kosovë, na e këputi ymydin krejt!
Ka marrë fund ajo punë tha!
Asht votua n’Kuvend e nuk këthehet ma!
E Ramushi thojke, jo, s’asht krye, veç Albini s’po don me folë me Malin e Zi!
E Bim rrakateli, thojke tash kemi me folë, tash!?
E me kend me folë? Me kërrsha?
Bile, Ramushit, pushkën ia pat forcua nji natë edhe Pal Lekaj. Ai nguli kambë edhe ma zi: Jo, s’asht ratifikua n’Kuvend thoshte!
E tash ky ulqinaku që po thotë jam Kryeministër, e Kryeministër asht, po thotë Çakorrin ma keni falë e tash banju gati me hi n’Ballkanin e Ramës, se edhe unë dua me hi me gjithë Cetinën!
Hajt tash, m’thueni kujt me i besua. Shqiptar Rama, shqiptar Albini, shqiptar Abazoviqi, e nji për be s’e gjenë për me i besua!