Mehaj pas takimeve me kompanitë turke të armëve: Përveç blerjeve, na ofruan edhe investime

    0
    143

    Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj, ka komentuar vizitën e tij në Turqi, ku ka vizituar disa kompani të industrisë së mbrojtjes.

    Sipas tij, në këtë vizitë këto kompani ofruan edhe investime në Kosovë.

    “Në vazhdën e vizitës në Republikën e Turqisë kam zhvilluar takime të rëndësishme me kompanitë e industrisë së mbrojtjes: Roketsan, MKEK, BMC dhe Aselsan. Në këto takime diskutuam për projektet e përbashkëta dhe bashkëpunimin në të ardhmen në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së sipas Planit Gjithpërfshirës të Tranzicionit”, thotë ai.

    Mehaj shton se shumë pajisje ushtarake janë blerë në Turqi për FSK-në dhe se prioritet mbetet ngritja e kapaciteteve.

    “Kompanitë na falënderuan për seriozitetin dhe konkretizimin e bashkëpunimit, si dhe na ofruan opsione bashkëpunimi që tejkalojnë blerjet ushtarake dhe fokusohen ne fushën e investimeve. Për transparencë, lidhur me pyetjet që më janë bërë për blerje, ju njoftoj se janë bërë shumë blerje të pajisjeve ushtarake tek shtetet partnere përfshirë edhe Republikën e Turqisë. Ngitja e kapaciteteve po vazhdon me hapa të përshpejtuar, ju siguroj që prioritet ynë mbetet pajisja me armatim e ushtrisë sonë për të përmbushur detyrat dhe misionin e tyre”, shtoi ai.