Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vazhduar me tubimet për të biseduar me qytetarët, e këtë herë ishte në komunën e Deçanit.
Ai në këtë takim theksoi se për hartimin e Programit të LDK-së janë angazhuar ekspertë të shumtë, në mënyrë që të jetë më afër qytetarëve.
“LDK-ja prej se ka filluar hartimin e programit të saj; ka mbajtur takime fillimisht me grupe ekspertëve dhe pastaj ka vazhduar aktivitetin e saj në terren. Po takojmë qytetarë të shumtë; punëtorë, ndërmarrës, biznese e grupe interesi për t’i dëgjuar nga afër problemet dhe sfidat e tyre të cilave do tu japim zgjidhje përmes platformës tonë e cila si burim ka zërin qytetar; ndërsa kjo platformë do ta ketë programin më përmbajtësor që Kosova ka patur ndonjëherë.”, u shpreh Abdixhiku.
Ai më tej e quajti këtë program si “oferta më e mirë për qeverisje”.
“Po bëhet një punë e palodhshme nga strukturat tona; në nivel qendror e lokal, ku entuziazmi dhe vullneti për punë i njerëzve tanë është dëshmi se rikthimi i madh i LDK-së është i pashmangshëm”, shtoi ai ndër të tjera.