Për herë të parë, Kryeministri Albin Kurti ka folur haptas për propozimin të ashtuquajtur franko-gjerman. Ai thotë se e ka vlerësuar dhe nuk e ka kundërshtuar, ndonëse i ka pasur disa vërejtje. Serbia, sipas tij, e refuzoi.
Kryeministri Kurti ka treguar në mënyrë kronologjike se si erdhi deri te një propozim për marrëveshje, që në publik njihet si “plani franko-gjerman”, e të cilin e kanë mbështetur Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Unë e thash shumë qartë, nuk është për të mos e pranuar, por për ta maskuar refuzimin e planit. Pra, ata e kanë refuzuar planin, e kanë refuzuar propozimin. Dhe, tani i bëjnë këto drama…”, ka thënë Kurti.
Kurti ka dhënë pikëpamjen e tij mbi planin franko-gjerman, për të cilin thotë se është “bazë e mirë” dhe se është i bazuar mbi vlera.
“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur, meqenëse ato nocionet që përdorën, janë vlera. Për dallim prej dakordimeve të mëhershme, që ishin përbrenda – le ta quajmë – ideologjisë së zgjidhjeve të problemeve”, thotë Kurti, transmeton Gazeta Express.
Kryeministri thotë se gjithçka nisi më 18 gusht, kur ai u takua me Presidentin serb, Aleksandër Vuciq, në Bruksel.
“Tash jemi tek vlerat dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Gjithcka ka filluar më 18 gusht, kur në takimin në Bruksel, në kuadër të agjendës, pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes. Jam i bindur se deri më 18 gusht, nuk kemi pasur dialog për marrëveshje”, deklaron Kurti.
Më pas, ai tregon se këshilltarët e kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, i kanë sjellë një përmbledhje modelesh për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
“Më 9 shtator, ende pa u bërë një muaj, patën ardhë në zyrën tinme këtu, këshilltarët e lartë të kancelarit Sholz dhe presidentit Macron. Ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, po u kam thënë se janë bazë e mirë”, ka thënë Kurti.
Ai insiston se Serbia e ka refuzuar këtë plan dhe më pas ka zgjedhur të veprojë me metoda destabilizuese.