Një përleshje që çoi në lëndime trupore ndodhi mbrëmë në Halabak të Podujevës, ku u përfshinë disa persona.
Personat e përfshirë u shoqëruan në Polici dhe sipas njoftimit nga raporti 24-orësh, u bë e ditur se deri të lëndimi i lehtë trupor erdhi pasi tre të dyshuar nuk kanë lejuar që hoxha i caktuar nga BIK-u të kryente ritet fetare në xhaminë e fshatit. Alban Mehmeti, njëri nga personat i përfshirë në përleshjen fizike në Xhaminë e fshatit Halabak të Podujevës, në një prononcim për Nacionalen ka rrëfyer versionin e tij rreth asaj që ka ngjarë.
Ai ka thënë se deri tek përleshja fizike erdhi pasi banorët e këtij fshati ishin kundër autorizimit të imamit për të cilin erdhi deri tek përleshja.
Ahmeti e ka quajtur imamin e kësaj xhamie “uzurpator” duke pretenduar se i njëjti ishte emëruar nga Bashkësia Islame pas kërcënimeve që ata kishin marrë.
Më tej, ai tha për Nacionalen se arsyeja që çoi në përleshje fizike ishte për shkak se xhemati nuk falej pas këtij Imami dhe se ai dhe njerëzit e tij u përpoqën t’i detyronin banorët ta bënin këtë.
Prononcimi i plotë:
Na kemi shku me falë namazin e jacisë, kur kemi shku te xhamia, ata e kanë ndalu njërin prej personave. Nuk na kanë leju me hy brenda.
Edhe Bashkësia Islame nuk i ka jep vendim atij me kanë Imam, mirëpo ata persona që na kanë sulmu neve e kanë kërcënu Bashkësinë Islame e për atë shkak janë detyru me ia lëshu një autorizim. Xhemati nuk e ka pengu me ushtru detyrë, mirëpo namaz nuk ka bo pas tij. E kjo ka qenë arsyeja që ata kanë dashtë me i shti me dhunë me mbajtë namaz pas tij.
Ky imami në fillim para një viti ka qenë uzurpator i Xhamisë. E ka marrë Xhaminë pa vendim të Bashkësisë Islame. Vendimi i është jep një Hoxhe tjetër, Fidan Musliu. Ai e ka marrë me dhunë me këta personat.
Pastaj pas një kohe ka fillu me kriju probleme shumë. Me i bo mediatike çështjet bashkësia islame ia ka jep një autorizim mos me vazhdu problemet me dalë në media, pastaj ne të katundit e kemi bo një peticion, e kemi dërgu në Bashkësi Islame që nuk e dëshirojmë. Ata përsëri ia kanë largu autorizimin, kanë fillu me sjellë hoxhallarë tjerë, mirëpo, këta personat qe t’i përmenda i kanë kërcënuar hoxhallarët që mos me ardhë, pastaj ata janë tërhjek e i është dhënë autorizim këtij për herë të dytë.
Nën presion pastaj xhemati se kanë falë namazin pas tij, mirëpo nuk e kanë pengu nga detyra. E këta personat që kanë sulmu, këta kanë dashtë edhe me presion me i shti me u falë pas tij.
Kujtojmë se lidhur me rastin e rrahjes në xhaminë e fshatit Halabak të Podujevës, ka reaguar edhe Bashkësia Islame e Kosovës, ku përmes një komunikate ka shprehur shqetësimin për ngjarjen.
Ndër të tjera, thuhet se me vendim të degës së BIK-ut në Podujevë, kjo xhami është mbyllur përkohësisht, derisa të merret një vendim tjetër.
“Tani, kur pakënaqësitë janë thelluar, ne, përkohësisht e kemi mbyllur xhaminë, deri në një vendim tjetër. Bashkësia Islame tërë angazhimin e saj po e bënë për të ruajtur qetësinë mes banorëve. Duhet ditur se xhamitë janë vend paqeje dhe i qetësisë shpirtërore, ndaj bëjmë thirrje për përmbajtje dhe mirëkuptim deri te një vendim i pranueshëm nga të gjithë banorët e fshat”, thuhet në komunikatë.