8.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Bieber: Pyetja e vetme është se si do të përcaktohet në paketë njohja reciproke Kosovë-Serbi

Rekomandime

Profesori i Universitetit të Grazit dhe eksperti i çështjeve të Ballkanit, Florian Bieber, tha se çdo zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të duhej të përfshinte një lloj njohjeje reciproke, si mënyrë për normalizimin e marrëdhënieve.

Lidhur me deklaratën e fundit të të dërguarit special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në seancën dëgjimore në Kongresin Amerikan se “Beogradi dhe Prishtina duhet të vazhdojnë dialogun, të punojnë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre dhe normalizimin e marrëdhënieve, në mënyrë ideale përmes njohjes reciproke”, Bieber tha se pa njohje nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe shtoi se pyetja e vetme është se si do të përcaktohet në paketë.

- Advertisement -

Çdo zgjidhje për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të duhej të nënkuptonte një lloj njohjeje reciproke, qoftë nëse kjo tani do të thotë njohje e plotë apo diçka shumë afër saj, por që në fillim të negociatave ishte e qartë se ky është minimumi, që normalizimi nuk do të mund të interpretohej pa të. Në këtë kuptim, pyetja e vetme është se si, kur dhe cila do të jetë pakoja në të cilën kjo do të jetë e mundur”, thotë Bieber, duke shtuar se është e rëndësishme që mesazhi të jetë i kuptueshëm në Serbi.

Edhe sot është e çuditshme për mua që njerëzit janë të befasuar, sepse pyetja është se cila është zgjidhja tjetër e mundshme për rezultatin e negociatave”, tha Bieber për programin e dytë të RTK-në në gjuhën serbe.

Ai beson se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për të cilin Beogradi insiston të formohet, do të jetë temë kryesore e negociatave, por shton se pa përcaktuar zgjidhjen përfundimtare, do të jetë e vështirë të zbatohen marrëveshjet e nënshkruara.

- Advertisement -

Si pala kosovare edhe ajo serbe nuk janë të gatshme të bëjnë asnjë kompromis, sepse kanë frikë se kjo do t’ua zvogëlojë hapësirën për manovrim kur është fjala për atë paketë zgjidhje përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve.

Kam frikë se do të jetë shumë e vështirë… Nga ana tjetër, ky hap final do të jetë shumë i vështirë sepse nënkupton njohje reciproke, për të cilën Serbia nuk është e qartë për momentin.

- Advertisement -

Në këtë kuptim, më duket se procesi aktual pa një mbështetje të fortë dhe një mesazh nga SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të çojnë në rezultate”, tha Bieber.

Duke folur për bashkëpunimin rajonal dhe nismën e Ballkanit të Hapur, në të cilën marrin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia, Bieber thotë se çdo bashkëpunim është i dëshirueshëm, por se duhet sqaruar nëse do të ketë vërtet bashkëpunim të dukshëm.

Profesori i Universitetit të Grazit tregon se nëse kësaj nisme nuk i bashkohen vendet e tjera të rajonit, vështirë se do të sjellë rezultate në formën e një bashkëpunimi më të mirë rajonal.

Nëse Ballkani i Hapur ekziston në nivel sipërfaqësor dhe sidomos nëse nuk marrin pjesë të gjitha vendet e rajonit, dyshoj se do të ketë ndonjë kontribut për rajonin, por nëse afrohet dhe zgjidh marrëdhëniet atëherë mund të jetë pozitive.

Megjithatë, unë kam përshtypjen se liderët e rajonit janë të gatshëm t’i ulin tensionet, krizat politike dhe t’i zgjidhin mosmarrëveshjet dypalëshe dhe në këtë kuptim nuk jam shumë optimist për këtë iniciativë”, tha Bieber.

Ai tha se situata në rajon është shqetësuese, prandaj është i nevojshëm një angazhim i fortë i përbashkët i BE-së dhe SHBA-së.

Bieber vlerësoi se aktualisht nuk ka një angazhim të qartë të BE-së në zgjidhjen e çështjeve të hapura në rajon.

Ai mendon se është veçanërisht shqetësuese situata në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku çështja e ligjit zgjedhor po shkon edhe më shumë drejt ndarjeve etnike.

Ka shumë tension në BeH, sepse bisedimet për reformat zgjedhore dhe kërcënimet, veçanërisht nga Millorad Dodik, janë shumë serioze dhe janë kthyer në një atmosferë frike që çon në një situatë politike që mund të çojë, ndoshta jo në luftë, por në njëfarë konflikti të bllokadës politike më të madh sesa që është tani.

Kështu që mesazhet nga BeH nuk janë shumë inkurajuese, tingëllon më shumë se zgjidhja në lidhje me ligjin zgjedhor të Bosnjës çon në një shkallë më të madhe të ndarjes etnike në sistemin politik sesa në uljen e tensioneve. Kjo ka pasoja për të gjithë rajonin”, thotë Bieber.

Sipas tij, situata në Serbi nuk po përmirësohet dhe nuk ka perspektivë, ndërsa situata në lidhje me zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut mund të shihet si pasojë e bllokadës së integrimeve evropiane nga BE-ja.

Sipas tij, dorëheqja e kryeministrit Zoran Zaev për shkak të humbjes së partisë në pushtet në zgjedhjet lokale është një mesazh i mirë politik për marrjen e përgjegjësisë për rezultatin zgjedhor, gjë që nuk është shumë e zakonshme në këtë rajon.

Nga ana tjetër, është shqetësuese sepse opozita nacionaliste nuk ka zbatuar asnjë reformë që nga humbja e pushtetit dhe Gruevski ndoshta dëshiron të kthehet nga Budapesti në një moment”, thekson Bieber dhe shton se në atë mënyrë edhe BE-ja ka pasur një pjesë të rolit të saj në rezultatet e zgjedhjeve.

Unë nuk shoh mesazhe dhe përpjekje nga BE për ta marrë seriozisht rajonin dhe kështu të përpiqet t’i zgjidhë çështjet e hapura që ekzistojnë,” tha Bieber.

Eksperti i Ballkanit, Florian Bieber, thekson se është e dëshirueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në mënyrë konstruktive në zgjidhjen e çështjeve në rajon, por se vetëm në bashkëpunim me BE-në mund të ketë rezultate konkrete.

Ai thotë se duhet parë se si do të jetë angazhimi i të dërguarit të presidentit Biden për rajonin, sepse “administrata e mëparshme nuk e bëri këtë në mënyrë konstruktive në bashkëpunim me BE-në”.

Pyetja është se çfarë do të thotë konkretisht. Shtetet e Bashkuara janë shumë më të dobëta se 10 apo 15 vjet më parë në rajon për sa i përket legjitimitetit dhe gjithashtu për sa i përket aktorëve të tjerë që janë më të fortë.

Tani varet nga shkalla në të cilën Shtetet e Bashkuara do të përpiqen t’i shtyjnë gjërat së bashku me BE-në për të sjellë disa rezultate.

Pra, pyetja është se deri në çfarë mase ka bashkëpunim serioz dhe gatishmëri për angazhim afatgjatë dhe shqyrtim të perspektivës më të gjerë rajonale”, thotë Bieber.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit