Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka folur sërish për temën “më të nxehtë” politike të ditëve të fundit në Prishtinë, atë të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ai për RTK-në ka thënë se Kosova ka marrë përsipër obligimin për Asociacionin, mirëpo që partnerët e Kosovës e kanë parasysh shumë qartë një çështje.
Rohde thotë se vendet e QUINT-it nuk lejojnë “Republikë Serbe” në tokën e Kosovës.
“Tani unë nuk dua të deklarohem për gjëra hipotetike, por mund të them një gjë: ka një obligim që është marrë përsipër më herët për Asociacionin.
Mirëpo, ne e kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, pra ne pesë vendet e Kuintit, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi”, tha ai.
“Ajo që mund të kalojë, për shembull, është ajo që para disa muajsh propozoi një organizatë joqeveritare gjermane: “Fondacioni Friderich Ebert” dhe unë deri më sot, nuk kam dëgjuar askënd, që të më thotë se ky propozim i “Fondacionit Fridirch Ebert” është në kundërshtim me vendimin e Kushtetutës së Kosovës të vitit 2015.
Ajo që tani do të kisha dashur, është që Kosova të përmbush obligimin që ka marrë dhe të propozojë vetë një statut për Asociacionin.
Kjo është një obligim që ka marrë Kosova dhe jemi në pritje të kësaj iniciative”, tha ai.