Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës ka iniciuar një rast kundër presidentit të Republikës Srpska, Millorad Dodik, për mohim të gjenocidit, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë.
Sipas ligjit, pas inicimit të rastit, Zyra e Prokurorit të Bosnjë e Hercegovinës kryen hetim, pas së cilit prokurori i rastit vendos nëse do të ngrehë aktakuzë.
Pas kësaj procedure, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës konfirmon ose hedh poshtë aktakuzën.
“Gjenocidi nuk ka ndodhur atje, të gjithë ne në Republikën Srpska e dimë këtë”, tha Dodik gjatë një konference për media në Banja Llukë më 21 shkurt.
Gjatë gjenocidit në Srebrenicë në korrik 1995, forcat e Ushtrisë së Republika Srpskas (VRS) vranë rreth 8.000 burra dhe djem në Srebrenicë dhe rrethinat e saj.
Më shumë se 25.000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona, që atëbotë ishin nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.
Masakra është cilësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e ka njohur si gjenocid.
Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnjë e Hercegovinës, mbi 1.200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura.
Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burgim për rolet e tyre në gjenocid.
Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq./REL