Sheshi i Mitrovicës së veriut është stërmbushur me flamuj të Serbisë para protestës së paralajmëruar për të dielën e 6 nëntorit.
Sheshi dhe pjesë të tjera të qytetit të Mitrovicës së Veriut të premten vonë të katër nëntorit janë ‘stolisur’ me flamuj të Serbisë.
Ky veprim simbolik është ndërmarrë para protestës të thirrur për të dielën nga ana e Listës Serbe, pas shkarkimit të shefit të policisë së Kosovës për regjionin e Mitrovicës së Veriut.
Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë njoftuar se të shtunën e pesë nëntorit do të mbajnë një takim me përfaqësuesit serb në institucione të Kosovës, ku do të shqyrtojnë mundësinë për bojkotim dhe largim nga institucionet e Republikës së Kosovës. Ndërsa ata kanë paralajmëruar protesta nga e diela e gjashtë nëntorit, raporton N1, transmeton Portali Dukagjini.
“Ne kurrë nuk do të ndalemi, dhe ajo që është veçanërisht e rëndësishme – do të jetë një rezistencë demokratike dhe jo e dhunshme”, ka thënë kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
“Protestat do të jenë vërtet paqësore, por në fund askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në terren”, ka shtuar ai.
Situata në Kosovë është tensionuar pasi 1 nëntorit, kur Qeveria e Kosovës vendosi që t’i ndalojë targat e paligjshme “KM” të automjeteve.
Por, në fazën e parë të vendimit të Qeverisë Kurti, është vetëm ‘qortimi’, gjë të cilën Komandanti i Policisë së Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq, kishte refuzuar që ta zbatojë vendimin e qeverisë, me ç’rast ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehim Hoti, e ka shkarkuar Nenad Gjuriqin.