Kurti: Nuk shantazhohemi, nuk frikësohemi, s’është fer t’i bëhet presion shtetit më pro-amerikan në Ballkan

0
54

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për francezen AFP ku ka folur për shumë tema të ndryshme, pa harruar edhe temën kryesore për të cilën po bën presion i gjithë komuniteti perëndimor. Atë të Asociacionit.

Albin Kurti, për AFP-në, u zotua të mërkurën se do t’i rezistojë çdo përpjekjeje “shantazhi” dhe se nuk është e drejtë që t’i bëhet presion shtetit më pro-amerikan në Ballkan.

AFP shkruan për kronoligjinë e ngjarjeve që kanë ndodhur muajt e fundit, ku temë kryesore ka qenë dialogu. Për muaj të tërë, të dërguarit perëndimorë kanë lëvizur mes kryeqyteteve të Serbisë dhe Kosovës në një përpjekje të re diplomatike për të zgjidhur tensionet e gjata që ziejnë gati 25 vjet pasi lufta midis kryengritësve shqiptarë etnikë dhe forcave serbe shkaktoi një fushatë bombardimi të NATO-s që i dha fund luftimeve.

Sipas Kurtit, Kosova tani po përballet me një afat të marsit për të arritur në një lloj marrëveshjeje me Serbinë, pavarësisht një mali me pengesa.

“Pengesa jonë më e madhe është këmbëngulja dhe kërkimi i Beogradit për [një] makinë kohe. Ata duan të kthehen në kohë dhe kjo nuk është e mundur”, i tha Kurti AFP gjatë një interviste në Prishtinë.

“Kosova është një vend i pavarur dhe do të jetë më mirë që edhe Serbia ta njohë Kosovën”, shtoi kryeministri, duke thënë se një veprim i tillë ka të ngjarë të lehtësojë integrimin e Beogradit në Bashkimin Evropian.

Mes bllokimit, Kurti këmbënguli se barra i takon Serbisë, të cilën ai e quajti një “autokraci” që ka nxitur lidhje të ngushta me Kremlinin në Rusi dhe vazhdon të destabilizojë Evropën Juglindore, shkruan AFP.