AKI ka informacion se në Rashkë po bëhen stërvitje për destabilizimin e veriut, Musliu jep detajet

    0
    83

    Deputetja Ganimete Musliu, pas përfundimit të Komisionit ku raportoi drejtori i AKI-së, para mediave tha se tashmë është e konfirmuar se janë dy grupe në Rashkë që po stërvitën për destabilizim në Kosovë.

    “E ashtuquajtura Organizatë e Mbrojtjes Civile atje në bashkëpunim edhe me Listën Serbe në vazhdim kanë aktivitet në veri të vendit. Pjesëtarët e kësaj organizate po trajnohen ose duke kryer kurse të trajnimit në Rashkë për veprime destabilizuese në Kosovë”, tha Musliu.

    Ajo tha se në veri derisa po vazhdon djegia e veturave, shteti duhet të përgatitet për provokim të situatës.

    “Atje vazhdon djegia e veturave të qytetarëve të Republikës së Kosovës që kanë dëshirë t’i regjistrojnë veturat e tyre me targa RKS.

    Po ashtu, linçimi dhe presoni është rritur ndaj qytetarëve serbë të cilët nuk i binden Listës Serbe. Prandaj, si shtet dhe institucione duhet të jemi vigjilentë dhe duhet të përgatitemi për çdo provokim të situatës atje që mos të na zë në befasi.

    AKI-ja po e kryen punë me sukses dhe e ka përkrahjen e Komisionit për çdo iniciativë që merr qoftë në veri, qoftë në gjithë Kosovën.

    Unë këtu flas zyrtarisht dhe si institucion. Tash është e konfirmuar që dy grupe janë duke u stërvitur në Rashkë për aksione të ndryshme eventuale që mund të merren me veriun e Kosovës. Pra, ka stërvitje gjuajte me armë, stërvitje për taktizim”.

    Musliu tha se gjendja e sigurisë vlerësohet e qetë.