2.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Shkencëtari shqiptar me një lajm të mirë për të sëmurët nga kanceri

Rekomandime

Sëmundja e kancerit pritet që prej shtatorit të ketë lajme pozitive në kurim e tij.

- Advertisement -

Kërkimet në Universitetin e Harvardit po ecin me hapa pozitivë, duke u dhënë shpresën me mijëra njerëzve në botë, të prekur nga sëmundja vdekjeprurëse. Pjesë e këtij ekipi shkencëtarësh, të cilët po punojnë për luftën ndaj kancerit, është edhe një shqiptar, Bashkim Ziberi.

Ai tregon për “Shekullin”-n në çfarë faze janë studimet, dhe se si arriti të bëhej pjesë këtij ekipi shkencëtarësh. “Rezultatet paraklinike tregojnë suksese në 90% të rasteve dhe nga fundi i shtatorit do të fillojmë me studime klinike te pacientët me kancer të prostatës. Shpresojmë që rezultate të ngjashme të vërejmë edhe te njerëzit.

Duhet theksuar se interes të jashtëzakonshëm kanë ngjallur edhe produktet e kanabisit për qëllime mjekësore dhe grupi ku punoj merret në mënyrë intensive në këtë drejtim. Rezultatet preliminare tregojnë potencial për përdorimin e produkteve të kanabisit në trajtimin e kancerit të pankreasit si në fazën e hershme ashtu edhe në atë të avancuar (më e detajuar në artikullin: Flavonoid Derivative of Cannabis Demonstrates Therapeutic Potential in Preclinical Models of Metastatic Pancreatic Cancer).

- Advertisement -

Kuptohet që kemi një rrugëtim të gjatë para nesh, por me punën e shumë grupeve shkencore shpresojmë që të arrihet në gjetjen e kurës për sëmundjet kancerogjene “, thotë ai.

Kontributi

- Advertisement -

Në këtë intervistë, shkencëtari thotë se së bashku me ekipin e tij merren me studime paraklinike të cilat luftojnë kancerin në prostatë dhe në stomak. Ai sqaron se metodat që po ndiqen prej tyre, të çojnë deri në asgjësimin të plotë të zonave tumorale.”Sëmundjet e kancerit janë shkaktarët e dytë të vdekjeve në botë, me rreth 17 milionë raste të paraqitura në vitin 2018. Studimi në këtë fushë është sfidues ku ndërthuren shumë fusha shkencore si Fizika, Kimia, Biologjia, Mjekësia, Teknologjia e Informacionit, etj. Konkretisht merrem me studime paraklinike (tek minjtë) në trajtimin e kancerit të Prostatës dhe Pankreasit me anë të biomaterialeve të mençura rrezatuese të ngarkuar me nanogrimca të Arit.

Qëllimi kryesor i këtij studimi është rritja e efektshmërisë së trajtimit të kancerit dhe të metastazave duke dërguar biomaterialet e mençura drejtë në hapësirën kancerogjene. Duke shfrytëzuar terapinë e rrezatimit, bazuar në dukurinë fizike të fotoefektit dhe elektroneve Auge, aktivizohen nanogrimcat duke gjeneruar një rrezatim lokal intensiv që i shkatërron qelizat kancerogjene. Gjithashtu, antigjenet e krijuara nga qelizat kancerogjene në vdekje e sipër, së bashku me imunoterapeutikët shfrytëzohen si vaksinë për të nxitur efektin abskopal, të trajtimit të metastazave. Pra thjesht, gjatë trajtimit të një pjese të kancerit inicojmë procese që mund të zvogëlojnë deri në asgjësim të plotë jo vetëm të zonës së trajtuar tumorale por edhe të metastazave të përhapura në trup”, sqaron Ziberi.

Metoda e re

Ziberi mes të tjerash sqaron se përparësi shtesë e kësaj metode është se të gjithë veprimin e kryen në zonën tumorale pa efekte anësore, siç i shohim në Kemoterapi apo Radioterapi. Përveç kësaj, duke ju bashkangjitur biomaterialeve të mençur dhe grimcave të Arit substanca selektive që preferojnë qelizat kancerogjene, këto materiale shkojnë drejt e në zonën tumorale, me një sasi më të madhe të ngarkesës. “Kjo metodë mund të shfrytëzohet në vete ose të inkorporohet në planet ekzistuese të trajtimit, por duke ulur dukshëm sasinë e rrezatimit që marrin pacientët, sepse në këtë rast nevojitet vetëm një dozë rrezatimi”, bën me dije ai. Më tej thotë se rezultatet e arritura janë aq premtuese saqë brenda vitit pritet të fillohet me studime klinike tek pacientët me kancer të prostatës. “Grupi shkencor ku jam pjesë, ka treguar arritje të jashtëzakonshme në fushën e trajtimit të sëmundjeve të kancerit, gjë për të cilën kanë fituar edhe çmime. Një pjesë e rezultateve janë publikuar kurse të tjerat janë në përgatitje e sipër”, deklaron shkencëtari. Në fjalën e tij, Ziberi nuk mund të fsheh as emocionet që përjeton nga çdo ditë nga puna që ai benë. Vështirësitë me të cilat ai përballet, por edhe kënaqësia e marrë prej rezultateve pozitive, kanë një frymëzim për të .”Puna ime ka edhe komponent emocional. Motiv është nëna ime, e cila ndërroi jetë pikërisht nga kanceri i Pankreasit. Kjo ka qenë një shtysë që unë të merrem me këtë lloj kanceri. Një pjesë të kohës sime këtu në SHBA ia kushtoj edhe organizimit të Samitit vjetor të Harvardit, pjesë e të cilit jam, në shëndetin Global veçanërisht për sëmundjet e kancerit. Ideja kryesore është si të krijojmë qasje më të mirë dhe më efikase të personave të prekur nga kanceri në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare”.

Biografia

Bashkim Zibri, shqiptari i Maqedonisë së Veriut në fjalën e tij tregon edhe rrugëtimin e karrierës së tij, e cila ka nisur me studimet në Fakultetin e shkencave të Natyrës pranë Universitetit të Tiranës, në degën e Fizikës pesëvjeçare, nga viti 1993 deri 1998. “Më pas aftësimin tim profesional e kam vazhduar në Fakultetin e Fizikës të Universitetit të Leipzig-ut në Gjermani ku kam kryer studimet master (Qershor 2001), si dhe studimet e Doktoratës në Nëntor të 2006. Nga viti 2002 deri në vitin 2010 kam punuar si punonjës dhe udhëheqës shkencor në Institutin për modifikime sipërfaqësore (IOM) në Leipzig. Studimet dhe puna kërkimore shkencore e imja kanë qenë në fushën e Nanoteknologjisë, gjegjësisht në inxhinieringun e sipërfaqeve të materialeve të ndryshme me anë të rrezatimit Jonik, e në veçanti të krijimit të nanostrukturave në materialet gjysmëpërçuese të Siliciumit dhe Germaniumit.

Në vitin 2004 km nisur komunikimin me kolegët në Harvard, duke shkëmbyer rezultatet shkencore. Pastaj një nga recenzuesit e temës së doktoratës ka qenë profesor në profesor në shkollën e Harvardit për shkenca aplikative. Në Fakultetin e Mjekësisë së Harvardit, në Institutin e Kancerit Dana-Farber dhe në Spitalin Brigham & Women’s kam ardhur me bursë Fulbright me qëndrim një vjeçar. Kam punuar në ekipin e Dr. Ëilfred në departamentin e Onkologjisë së rrezatimit, pjesë e grupit të Fizikës mjekësore dhe Biofizikës.

Sfidat e rikthimit dhe kontributi për vendlindjen

Largimi nga vendlindja në moshë të re, do të bënte që Ziberi të ishte gjithmonë i mallëngjyer, duke u rikthyer sërish me mundësinë e parë që do i jepej. Kështu, ai tregon për kontributet dhe sfidat me të cilat është përballur në kthim.” Unë e them vazhdimisht se shkencëtarët janë nomadë modernë dhe është e patjetërsueshme një lëvizje e tillë në institucione të ndryshme kërkimore, për të fituar përvojë dhe shkathtësi profesionale. Në fund të fundit, qëndrime dhe lëvizje të tilla janë përvoja të pakrahasueshme profesionale që të mundësojnë krijimin e lidhjeve afatgjata dhe pikënisje për bashkëpunime dhe projekte në të ardhmen. Kontributi im në vendlindje është i shumë anshëm, në krijimin e politikave arsimore dhe të kërkimit shkencor, në krijimin e rrjetave të bashkëpunimit dhe aplikimet në projekte kërkimore shkencore, në veçanti tek brezat e rijnë, me këshilla, sugjerime, ndihmë për kontakte dhe aplikime në rrugëtimin e tyre profesional.

Jam i mendimit se një kontribut të tillë mund të japin vetëm ata profesorë dhe mësimdhënës që kanë kaluar vetë në ato faza, që kanë një përvojë profesionale, shkencore në institucione të ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu, qëndrimi në Harvard më mundësoi krijimin përvojave dhe kyçjen në Shëndetin Global me theks të veçantë sëmundjet kancerogjene.

Ideja kryesore është si të krijojmë qasje më të mirë dhe më efikase të personave të prekur nga kanceri në vendet me të ardhura të ulëta dhe mesatare, siç është Maqedonia, Kosova apo edhe Shqipëria”, deklaron shkencëtari. Ai thotë se si pjesëtar i Harvard Global Health Catalyst, dhe pjesëtar i Global Oncology University ka arritur të inkorporojmë edhe vendet tona në trajnimin dhe mundësitë e avancimit profesional në fushën e fizikës mjekësore dhe Onkologjisë, nga profesorë dhe shkencëtar të Universiteteve me më emër në botë siç janë ai i Harvardit dhe Oksfordit. “Të gjitha institucionet arsimore shkencore në botë theksin kryesor e kanë te komuniteti i kuadrove profesionale që kanë, pa një kuadër profesional të mirëfilltë nuk mund të ndërtojmë institucione të shëndosha.

Është me rëndësi që të punohet në drejtim të kthimit të trurit duke krijuar programe të veçanta të mbështetjes së kuadrove që kthehen, në krijimin e infrastrukturës për punë kërkimore shkencore, përkrahje në fazën fillestare të adaptimit, krijimin e një ambienti pozitiv pune, përkrahje në procesin e aplikimit në projekte shkencore dhe të një autonomie më të madhe në menaxhimin me to”, nënvizon Ziberi/ Enida Vërça, Shekulli.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit