LDK e Vetëvendosje po vazhdon takimet rreth një marrëveshjeje të mundshme parazgjedhore. Akoma nuk janë pajtuar, ndërsa në LDK thonë se takimi Mustafa – Kurti i ka përafruar qëndrimet e dy partive. Vetëvendosje pret që të vazhojnë takimet me përpjekje të sinqerta për arritjen e një koalicionit.
Dy liderët e partive Isa Mustafa dhe Albin Kurti janë takuar paraditen e sotme në vendin e njëjtë ku ata së fundmi mbajnë rregullisht takimet.
Një nga zyrtarët e lartë të LDK’së i ka thënë se në takimin e sotëm janë përafruar qëndrimet, mirëpo nuk ka akoma marrëveshje.
“Takimi ka qenë pozitiv. Ka pasur përafrime, por ende larg marrëveshjes”, ka thënë ky zyrtar i LDK’së.
Në Vetëvendosje thonë se takimet do të vazhdojnë takimet për arrijtjen e një koalicioni. Ata presin që të mos ketë kushtëzime.
“Ka patur takime Kryetari i Lëvizjes dhe ai i LDK-së, si dhe takime të tjera në nivel te lartë. Sigurisht do te këtë edhe takime te ardhshme, ne vazhdën e përpjekjeve te sinqerta për te arritur koalicion. Përpjekja kryesore është qe te mos këtë kushtëzime, dhe te diskutohen modalitetet me te mira. Nuk ka shume kohe, dhe kushtëzimet tash vetëm pengojnë”, ka thënë zyrtari për Media, Arlind Manxhuka.
Me zgjedhjen e Vjosa Osmanit kandidate për kryeministre nga radhët e LDK’së, negociatat mes dy partive opozitare u kthyen një hap prapa.
Zyrtarë të VV’së reaguan pas mbledhjes së Kryesisë së LDK’së, duke e cilësuar edhe tinëzare kandidimin e Osmanit, pa biseduar me VV’në.
Mirëpo Mustafa e kishte sqaruar se kandidatura e Osmanit nuk është nënvlerësim i Kurtit dhe meritave të tij.
“LDK, nuk e kërkon Kryeministrin, sepse nënvlerëson z. Albin Kurti dhe meritat e tij. Por se vlerëson znj. Osmani dhe kërkesat e anëtarësisë. Vlerëson kompetencën e LDK-së, ekipin e saj, për qeverisje të mire e pa korrupsion. Kjo është arsyeja e kërkesës tonë për Kryeministër”, shkroi Mustafa në Facebook.
Vetëvendosje, që kandidat për kryeministër e ka Kurtin, ndërsa është pikërisht çështja e mandatarit për të cilën dy partitë akoma s’janë pajtuar.
Partitë në Kosovë kanë kohë vetëm edhe nesër deri në mesnatë që të regjistrojnë koalicionet parazgjedhore në Komisionin Qendror.