Ish-mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Liri Loshi, ka komentuar deklaratën e kandidatit për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Migjen Kelmendi rreth kontributit të tij gjatë kohës së luftës.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka ironizuar Kelmendin duke thënë se “çfarë kontributi kishte dhënë për luftën, më është dukur vetja sikur nuk kisha pasur fatin as të jetoja në epokën e tij e lëre më të kisha dhënë ndonjë kontribut si ai”.
Postimi i plotë:
Kur kam dëgjuar Migjen Këlmendin se çfarë kontributi kishte dhënë për luftën, më është dukur vetja sikur nuk kisha pasur fatin as të jetoja në epokën e tij e lëre më të kisha dhënë ndonjë kontribut si ai! Ç’është e vërteta, nuk është se nuk jam gjetur në terrenet e luftës, por mungesë imja e madhe në krahasim më Migjenin, i cili paska shtrirë kontributin e vet nga shtëpia e tij, apo ndonjë studio në Prishtinë, është se as në kohë lufte dhe as sot, njëzet vjet pas lufte, nuk kam pasur fatin ta takoj babain e UÇK-së, Kadri Veselin, siç e paska takuar dhe njohur ai.
Respekt për kontributin enorm të Migjen Këlmendit ndaj luftës për liri! Shpresoj se nëna parti do ta trajtojë me dinjitet, ashtu siç i ka trajtuar deri më tash të gjithë bijtë e saj kontribues të denjë të çlirimit dhe lirisë. Shpresoj se PDK do ta paguajë me kamatë Migjenin për korrektësinë e tij që duke heshtur një kontribut aq të madh këtu e njëzet vjet më parë, ka shënuar një rekord të modestisë.
Në fund të këtij teksti, krejt pa dashje m’u imponua përgëzimi im me fjalën: LAVDI!