Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati ka paralajmëruar ‘ofanzivë’ ftesash nga Gjykata Speciale ditëve në vijim për ish-luftëtarë dhe ish-eprorë të UÇK-së.
Ai në një intervistë për Kosova Post, fajin për Gjykatën Speciale të votuar në Kuvendin e Kosovës i’a ka lënë presidentit Thaçi dhe gjithë atyre deputetëve që ngritën dorë pro formimit të saj, por sipas tij presidenti ishte iniciator, shkruan Kosova Post.
Gucati edhe pse pak është optimist se me qeverinë e re do të zhbëhet Specialja, thotë se në rast se Albin Kurti si kryeministër arrin ta bëjë ketë, atëherë pa dyshim do të jetë heroi ma i madh i Kosovës.
Mes tjerash, në këtë intervistë Gucati ka folur edhe për protestën e paralajmëruar nga shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së.
Në intervistën për KosovaPost, Gucati tha se ftesat që po shtohen dita-ditës për intervistim ndaj ish-krerëve dhe ish-luftëtarëve të UÇK-së po ndodhin se shumë shpejtë pritet të bëhen aktakuzat e para.
“Që nga fillimi i muajit është e vërtetë se Gjykata Speciale i ka shpeshtuar ftesat edhe te të dyshuarit por edhe te dëshmitarët andaj kam një përshtypje se me siguri do të ngriten aktakuzat e para, them jo prej informatave zyrtare, por në bazë të informacioneve që i kem dëgjuar dhe që na lë përshtypje që do të ngritën edhe aktakuzat e para. Deri më tash janë 60 të ftuar. Edhe dje kanë ardhur ftesa nga Specialja, madje ka qenë i ftuar edhe një bashkëluftëtar i yni, Elmi Bytyqi nga Prizreni ” tha Gucati
Ndërkaq sa i përket paralajmërimit për nisjen e protestave për ta kundërshtuar punën e Gjykatës Speciale, Gucati tha se ende nuk kanë vendos në çfarë forme do të jenë ato.
“Ne kemi thënë nuk i përjashtojmë protestat, por ne më së pari do ta vëzhgojmë situatën në Kosovë dhe në bazë të situatës ne do të veprojmë, por mundësia nuk përjashtohet kurrë. Ne do ta diskutojmë në kryesi dhe Këshillin Drejtues” tha ai.
Madje Gucati është skeptik se edhe me ardhjen e Kurtit në pushtet do të i’a dalin që ta shpërbejnë Gjykatën Speciale.
“Jo vetëm Kurtit por asnjë lideri politik në Kosovë se besoj që do arrijë ta bëjë këtë. Kurti e ka shumë problem ngase koalicioni do të bëhet me LDK-në, gjë që unë e përshëndes dhe i’a uroj z.Kurtit detyrën, por do ta ketë problem se LDK-ja e ka votuar Gjykatën Speciale gjë që unë pak besoj në këtë edhe pse me Vetëvendosjen përshtatem në dy pika në zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe të flamurit kombëtar, kshtu që nëse Albin Kurti arrin ta zhbëjë Gjykatën Speciale për mua do të jetë heroi më i madhi në Kosovë”, shtoj kreu i OVL e UÇK-së.
Në intervistën për Kosova Post, Gucati ka fajësuar gjithë spektrin politik për votimin e Specialës.Sipas tij faji nuk është vetëm tek presidenti Thaçi por tek të gjithë ata që ngriten dorën pro votimit të Specialës në parlamentin e Kosovës. “Nuk është faji vetëm te Presidenti dhe i krye parlamentarit, fajin e kanë të gjithë mbasi atëher PDK ka qenë në koalicion me LDK-në, andaj fajin do ta ndajnë të gjithë, si Partia Demokratike, si LDK-ja, si dhe një pjesë e AAK-së mbasi një pjesë e deputetëve të Aleancës e kanë votuar. Fajin e kan gjithë, por iniciator ka qenë presidenti” tha Gucati mes tjerash në një intervistë për KosovaPost