Në Buksel po zhvillohet një darkë pune e liderëve nga Ballkani Perëndimor me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini. Ky është takimi i fundit në këtë format për Mogherinin, pasi mandati i saj si kreu i diplomacisë evropiane përfundon më 1 dhjetor.
Sipas zëdhënëses së BE-së, Maja Kocijançiq “ky është takimi i fundit në kuadër të një serie takimesh të tilla, që janë mbajtur gjatë pesë viteve të fundit”.
“Pritet që Përfaqësusja e Lartë, së bashku me partnerët nga Ballkani Perëndimor, të shkëmbejnë mendime mbi zhvillimet në rajon, të diskutojnë sfidat në të ardhmen dhe të vlerësojnë atë që është bërë dhe çfarë është arritur në pesë vitet e fundit”, ka thënë Kocijançiq.
Ky takimi i parë midis Mogherinit dhe udhëheqësve të Ballkanit, prejse Këshilli Evropian dështoi t’i jepte dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të filluar bisedimet e pranimit.
Po ashtu, presidentët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen për herë të parë që nga viti i kaluar, kur bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre janë ndërprerë, për shkak të taksës që u ka vënë Kosova prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor, 2018.
Mogherini ka ndërmjetësuar për disa vite dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
Burime nga kabineti i Federica Mogherinit kanë konfirmuar se në darkën e punës mungon vetëm kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Greqi.