Njëkohësisht në telefona mobilë dhe në kompjuterë, qindra e mijëra kosovarë kanë tentuar të sigurojnë një biletë për ndeshjen Kosovë – Angli.
Shumica prej tyre kanë dështuar, pasi që ueb-faqja e kompanisë TiksAPP, sërish ka rënë në sistem, raporton KTV.
Skena siç mund t’i shihni në video, janë përsëritur në shumë shtëpi e vende pune, pasi shikues të “Interaktivit” kanë dërguar qindra sosh.
Ueb-faqja Tiks.APP ka rënë nga sistemi qysh para orës 16, kur pritej të niste shitja e biletave.
Pak kohë më vonë, në rrjete sociale kompania e njëjtë është arsyetuar me ngarkesë të madhe, shkaku i interesimit, që ka rezultuar me pamundësinë për t’u futur në ueb-faqe.
Televizioni ka tentuar të flasë edhe me zyrtarë të Federatës së Futbollit, por asnjëri nga ta, nuk u është përgjigjur thirrjeve , përjashtuar zëvendëssekretarin Arianit Ahmeti, i cili ka thënë të mos jetë kompetent për këtë çështje.
Megjithëse i kanë përsëritur dyshimet për keqpërdorime me shitjen e biletave dhe të frustruar nga pamundësia për të pasur një biletë, qytetarët kanë ironizuar me situatën.
“Që do të thotë, gratë e ministrave mujn me marrë bileta, na tifozat pos mujna me i kqyr lajmet…”.
Shpallje për bileta në shitje janë shfaqur në ueb-faqen merrjep, por në një rast, viktimë ka qenë ish-drejtori i Vala-s, Agron Mustafa, numri i të cilit është shfaqur në një prej shpalljeve, çka ka pasuar me dhjetëra thirrje në drejtim të tij.
Kosova luan të dielën me Anglinë në një prej ndeshjeve më të rëndësishme në rrugën për “Evropianin 2020”, e dështimi i sistemit me bileta, po vazhdon të përsëritet.
Por, Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një prononcim për KTV-në ka thënë se ka kontaktuar me drejtuesit e kompanisë për shitjen e biletave dhe se ai ka marrë garanci se sistemi është duke funksionuar dhe nuk ka probleme.