4.1 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

A do ta sjellë “mini-shengeni” ushtrinë serbe në Shqipëri?

Rekomandime

Kurthet gjeopolitike ballkanike në drejtim të Shqipërisë, sa vijnë e shtohen. Në datën 9 mars, presidentja e “serpska republikës” në Bosnjë-Hercegovinë, Zhelka Cvijanoviç, deklaroi në Banja Luka në konferencë shtypi, se ajo mbështet idenë e formimit të një force të përzier policore dhe ushtarake të përbashkët, të vendeve të Ballkanit Perëndimor, e cila do të dislokohet në kufijtë e jashtëm të Ballkanit Perëndimor, për të ndalur valën e madhe të emigrantëve, që pritet të arrijnë.

Disa herë në pak ditë të muajit mars, presidentja serbe e “serpska republikës” e ka hedhur në forume të ndryshme këtë propozim, duke e parashtruar më gjerësisht në konferencën e shtypit të datës 9 mars.

- Advertisement -

Kemi të bëjmë me një propozim të ri gjeopolitik, që kërkon të përfitojë nga situata e re e emigrantëve, propozim i cili është përtej kompetencave shtetërore dhe kapaciteteve politike dhe diplomatike të presidentes së njerit prej entiteteve përbërës të shtetit të Bosnjë-Hercegovinës.

Duket qartë se ajo po zbaton prokurën diplomatike, që i ka dhënë Beogradi si protektori i “serpska republikës”, për të hedhur këtë ballon prove, në qiellin e ulët ballkaniko-perëndimor.

Interesant është se presidentja serbe e “serpska republikës” nuk e përmendi se e kujt është idea e re, që ajo po mbështet me kaq entuziazëm, për vendosjen e forcave të përbashkëta ushtarake dhe policore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kufijtë e jashtëm të Ballkanit Perëndimor.

- Advertisement -

Ajo nuk e tha, por në qarqet diplomatike ballkanike qarkullon informacioni se ky është një projekt i Serbisë, e cila në programin e saj të konkretizuar vjeshtën e vitit të kaluar, për krijimin e një blloku politiko-ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të emërtuar “Mini Shengen”, përfshin edhe planet ambicioze të krijimit të një force të përbashkët ushtarake dhe policore, të vendeve të këtij blloku të ri.

Natyrisht, duke qenë shteti më i madh i këtij blloku, nismëtari dhe drejtuesi i projektit të “Minishengenit”, dhe duke qenë forca më e madhe dhe më e fuqishme ushtarake e bllokut ballkaniko-perëndimor, Serbia do të jetë edhe komanduese dhe drejtuese e kësaj force të përbashkët policore dhe ushtarake.

- Advertisement -

Çfarë tërheq vëmendjen në propozimin e ri të Serbisë, shpallur me gojën e presidentes serbe të“serpska republikës” në Bosnjë-Hercegovinë?

Ky propozim mbështetet qartazi në formatin e bllokut politiko-ekonomik.

Zhelka Cvijanoviç e deklaroi pa ekuivok se “përderisa BE ka të drejtën të trajtojë kufijtë e saj të jashtëm në këtë mënyrë, përse të mos e bëjmë ne?”, që do të thotë se shtetet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen bllok i veçantë politiko-ekonomik, njësoj si BE.

Kjo do të thotë se ky bllok i ri politiko-ekonomik do të krijojë forcat e përbashkëta ushtarake dhe policore dhe njësoj si BE, do t’i dislokojë në kufijtë e jashtëm të bllokut të ri. Pikërisht këtu qendron thelbi i propozimit të rrezikshëm gjeopolitik serb.

Kufijtë e jashtëm të bllokut ballkaniko-perëndimor me emrin “Minishengen”, që ndodhen përballë vërshimit të emigrantëve nga Siria, janë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Me një fjalë, propozimi i ri presupozon që forcat e armatosura serbe të dislokohen në territorin dhe në kufijtë e Shqipërisë, me etiketën e forcave të përbashkëta të “Minishengenit” dhe me pretekstin e mbrojtjes së kufijve të jashtëm të bllokut të “Minishengenit”, nga vërshimi i emigrantëve sirianë.

Me propozimin e ri serb sanksionohet dhe legalizohet projekti serb i të ashtuquajturit “Minishengen”, në formën e një blloku politiko-ekonomik, me perspektivën e shtrirjes në dimension ushtarak.

Nëse ky propozim gjeopolitik do të pranohet nga shtetet, që kanë pranuar t’i bashkohen listës së Beogradit për “Minishengenin”, kjo do të thotë që Shqipëria, si entuziaste e “Minishengenit”, pritet t’i krijojë hapësirë dislokimit të forcave ushtarake dhe policore serbe, për të mbrojtur kufijtë shqiptarë.

Diplomacia serbe ka kapur momentin e avancimit të planeve të saj gjeopolitike, sepse tema e emigrantëve nga Siria është bërë temë e ditës në axhendën diplomatike europiane dhe në marrëdhëniet e BE me shtetet e Mesdheut Lindor.

Ky pretekst është një sinjal i qartë që Serbia po ngutet ta dimensionojë bllokun e saj politiko-ekonomik e ballkaniko-perëndimor, edhe si një bllok ku ajo të ketë prani ushtarake. Sepse idiotët ballkaniko-perëndimorë, që kanë ngrënë karremin serb të të ashtuquajturit

“Minishengen” dhe kanë pranuar të lidhin qeverinë pas lokomotivës serbe, do të jenë të detyruar që ta pranojnë edhe lirinë e pestë:

Atë të qarkullimit të lirë të trupave serbe në territorin e vendit.

Serbia po përpiqet të realizojë kështu një nga ëndrrat e saj të vjetra gjeopolitike, për prani ushtarake në Shqipëri.

Këtë radhë, nën pretekstin dhe etiketën e mbrojtjes së kufijve të Shqipërisë nga dyndja e emigrantëve sirianë.

Është interesant në planin gjeopolitik konsiderimi serb për kufijtë e Shqipërisë, si kufij të jashtëm të bllokut ballkaniko-perëndimor të drejtuar prej saj, me emrin “Minishengen”.

Pra, kufijtë shqiptarë do të bëheshin objekt i ruajtjes dhe i menaxhimit nga forcat ushtarake dhe policore serbe, ç’ka do të thotë një humbje e qartë e sovranitetit dhe e integritetit shtetëror të Shqipërisë te Serbia, nëse ndonjë i çmendur nga qeveria shqiptare do të pranonte propozimin e ri gjeopolitik serb.

Nuk është rastësi që propozuesit serbë të krijimit të forcës së përbashkët ushtarake dhe policore të Ballkanit Perëndimor për ruajtjen e kufijve, e deklarojnë haptazi se ky është një projekt, që nuk ka të bëjë me BE-në, por është e shkëputur prej saj.

Presidentja serbe e “serpka republikës” deklaroi se “koha ka ardhur për përgjegjësi kolektive të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe nuk ka përse të na mbrojnë të tjerët”.

Këtu del një element i qartë i propozimit të ri serb, që i jep përmbajtjes së tij formën e një sfide si ndaj BE, ashtu dhe ndaj NATO-s.

Lidhur me BE, propozuesit serbë harrojnë, ose bëjnë sikur harrojnë, që kufijtë e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, nga rreziku i emigrimit ilegal nga jugu, ka marrë përsipër t’i mbrojë së bashku me forcat vendase “Frontex”, Agjencia Europiane e Ruajtjes së Kufijve dhe Bregdetit. Pesë shtete të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, nënshkruan vitin e kaluar një “marrëveshje të statusit” me “Frontex”-in, për ruajtjen e përbashkët të kufijve nga forcat e BE dhe forcat vendase. Në majin e kaluar, “Frontex” nisi misionin e tij në Shqipëri, me një mandat kohor të pakufizuar. Çfarë mbrojtje kufiri kërkon Serbia të bëjë me forcate saj, kur kufijtë e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut nga dyndja e emgrantëve i ka marrë përsipër BE dhe agjencitë e saj të specializuara.

Nga ana tjetër, nuk mund të mos habisë fakti që propozimi serb guxon dhe del e merr përsipër mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë me forca ushtarake dhe policore serbe, në një kohë që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe mbrohet nga aleanca ushtarake më e fuqishme në botë.

Vështirë të gjesh absurditet më të madh se sa pretendimi i një shteti si Serbia, i lidhur ushtarakisht me Rusinë dhe i cili i ka dhënë baza ushtarake Rusisë, që të marrë përsipër mbrojtjen e kufijve të një shteti anëtar të NATO-s.

Serbia synon të shfrytëzojë situatat e vështira të krijuara në Ballkan, nga kërcënimi i valëve të reja të dyndjes së emigrantëve sirianë, pas ashpërsimit të luftimeve në atë shtet.

Politika serbe po nxiton të provokojë edhe të ngrejë valë racizmi dhe fondamentalizmi fetar në Ballkanin Perëndimor, me qëllim që të përligjë planet e saj gjeopolitike të vendosjes së forcave ushtarake dhe policore serbe, në territorin dhe në kufijtë e Shqipërisë.

Vetëm një dalldi raciste fetare, apo një çmenduri ultranacionaliste, mund të lëshojë deklarata të turpshme si ato të udhëheqësit separatist të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, i cili në datën 9 mars, thërriste në halucinacion, se emigrantët janë një lloj pushtimi i botës kristiane dhe jo një histori humane.

Është një klimë urrejtjeje fetare dhe raciste e udhëheqësit kryesor të serbëve të Bosnjës, që reflekton histerinë millosheviçiane, që qarqet ultranacionalistët serbë që po kërkojnë të ringjallin në Ballkan.

Ato deklarata u bë në të njejtën ditë që presidentja e “serpska republikës” hidhte në publik propozimin për vendosjen e forcave ushtarake dhe policore serbe, në kufijtë e jashtëm të bllokut të “Minishengenit”, pra, në kufijtë e Shqipërisë.

Fantazmat e fanatizmit të çmendur fetar dhe nacionalist serb, i cili shkaktoi luftrat e përgjakshme në ish-Jugosllavi, janë të gjalla në Banja Luka dhe në Beograd.

Nuk kemi dëgjuar të reagojnë për pishtarët e urrejtjes fetare, që tund Dodiku, ndonjë nga zëdhënësit e BE, të cilët janë të vëmendshëm edhe ndaj gabimeve ortografike, që bën ndonjë politikan në Kosovë.

Intensifikimi i ideve dhe propozimeve të rrezikshme gjeopolitike dhe rajonale, e bën më urgjent refuzimin e çdo lloj angazhimi të deritanishëm shtetëror, për të ashtuquajturin “Minishengen”, si një bllok i udhëhequr nga Serbia.

Ecja në këtë rrugë pa krye, do të thotë të detyrohesh të shikosh nesër ushtarët serbë në territorin dhe në kufijtë e Shqipërisë. Kjo do të thotë të asfiksosh atdheun dhe kombin./Dita

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit