Ministri i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Faton Peci, ka thënë në emisionin dPt Te Fidani në T7 se VV dhe Lista Guxo janë në bisedime që të shkojnë së bashku në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Peci tha se ka vullnet mes dy partive që të ketë bashkëpunim edhe në zgjedhjet lokale, ashtu sikurse në zgjedhjet në nivel vendi që u mbajtën më 14 shkurt.
“Jemi ende në fazën fillestare të bisedimeve dhe nuk ka asgjë konkrete. Por mund të them se ka vullnet. Kemi bashkëpunim të mirë në nivel vendi dhe komunikimi është korrekt.”, tha ai.
Tutje Peci tregoi nëse emri i tij është lakuar si kandidat i mundshëm për kryetar në qytetin e Mitrovicës.
“Nuk ka asgjë të vërtetë. Nuk është diskutuar kjo çështje. Unë mund të them se kam përkrahje në qytetin tim. Në zgjedhjet e fundit kam marrë 9 mijë vota”, shtoi ai.