8.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

A e ka të vështirë Amerika t’punojë me Kurtin dhe kur mund të ulen ai e Vuçiq në tavolinën e negociatave? Krejt çka foli Karen Donfried

Rekomandime

Karen Donfried, Ndihmës-Sekretare Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, ka qëndruar dy ditë në Kosovë.

Është takuar me Presidenten Osmani e Kryeministrin Kurti. Por, a kishin ata ndonjë kusht për dialogun? Pse ishte ushtaraku i lartë amerikan në takimet me liderët kosovarë? Kur mund të ulen Kurti e Vuçiq rreth tavolinës së negociatave? A ka afat kohor për marrëveshjen me Serbinë? Si shihet plani i Kosovës për anëtarësim në NATO? A mund ta njohë Ukraina Kosovën? Për të gjitha këto, është përgjigjur Donfried.

- Advertisement -

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani s’kanë vënë asnjë kusht për dialogun gjatë takimeve me Ndihmës-Sekretare Amerikane e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried.

Këtë e ka zbuluar vetë zyrtarja amerikane në një intervistë për T7.

“Kuptimi i qartë që e kam nga ajo që të dytë, presidentja dhe kryeministri, më thanë është se ka gatishmëri për tu angazhuar me seriozitet dhe kreativitet në dialog dhe nuk pati asnjë kusht që u shpreh për këtë”, ka thënë ajo.

- Advertisement -

Kur mund të ketë një takim Kurti Vuçiq në tavolinën e negociatave?

“Dje pata mundësinë që të flas me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti dhe mendoj se ata e ndajnë ndjenjën tonë sa e rëndësishme është që dialogu i lehtësuar nga BE-ja të ecë përpara. Sipas pikëpamjes sime, është e qartë se e ardhmja e Kosovës është si anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s. E jetike për të ecur drejt atyre qëllimeve është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që synon normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë e përqendruar në njohjen e ndërsjellë. Ne e shohim këtë dialog të lehtësuar nga BE-ja si pjesë kyçe të saj dhe për këtë arsye jemi kaq të etur që të shohim përparim. Nuk i di afatet kohore specifike, por mendoj se do të shohim lëvizje pozitive nëse ka vullnet nga të gjitha anët”, ka deklaruar Donfried.

- Advertisement -

Duke kujtuar deklaratat e Kurtit për dialogun, zyrtarja amerikane është pyetur edhe nëse ShBA’ja e ka të vështirë të punojë me kryeministrin e Kosovës.

“Çka e konsideroj të rëndësishme për këtë moment është se konteksti ka ndryshuar dhe ka arsye të ndryshme për këtë, por më lejoni t’i përmend dy prej tyre. Një ka të bëjë me ndryshimin në kontekstin gjeopolitik për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Dhe mendoj se e shohim sa i rëndësishëm është stabiliteti rajonal – ndoshta edhe më qartë pikërisht tani se sa e kemi parë më herët. Pra, mendoj se ky është një motivues. Gjithashtu mendoj se sot e kemi përparësinë e një pauze zgjedhore. Sapo kemi pasur zgjedhje në Serbi; po ashtu kemi pasur zgjedhje në disa shtete kryesore evropiane, pra mendoj se sot e kemi një mundësi që nuk ka qenë e njëjtë më parë. Dhe për mua, kjo përzierje e urgjencës dhe mundësisë më bën që të kem shpresë që dialogu do të ecë përpara”, ka thënë ajo.

Donfried është deklaruar edhe për mosarritjen e marrëveshjes për targat.

“Duhet të jesh optimist për t’u marrë me diplomaci. Pra, gota është gjysmë e mbushur e jo gjysmë e zbrazët. Arsyeja përse kemi dialog të lehtësuar nga BE-ja është sepse këto janë çështje të vështira dhe ajo çka ne si SHBA po bëjmë përmes mbështetjes së dialogut të lehtësuar nga BE-ja është të nxitim palët që të ecin përpara. Ndoshta, e dini që sot do të shkoj në Serbi, ku do të kem diskutime të ngjashme dhe shpresoj që do të shohim angazhim serioz dhe kreativ nga të dy palët për ta çuar këtë përpara”, ka thënë ajo.

Për punën e dialogut, Donfried është pyetur nëse pala amerikane ka ndonjë afat kohor kur do të donte ta shihte të përmbyllur këtë proces.

Afat kohor s’ka përmendur, por ka thënë se ka shpresë se do të ketë lëvizje pozitive në afat të shkurtë.

“Afatet kohore… shpesh themi që suksesi nuk ka afat kohor. Por, sërish, mendoj se për shkak të faktorëve që i përmenda më herët, urgjenca e shkaktuar nga lufta e Rusisë kundër Ukrainës, pauza zgjedhore që na jep një mundësi, kam shpresë që do të shohim lëvizje pozitive në afat të shkurtë e jo të gjatë”, ka thënë zyrtarja amerikane.

Për planet e Kosovës për anëtarësim në NATO, Donfried ka thënë se Kosova e ka mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Dëshiroj që sërish ta theksoj mbështetjen tonë të fuqishme për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Dhe dëshiroj të siguroj sërish të gjithë në Kosovë se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’ju ndihmuar në këtë rrugëtim. Sa i përket NATO-s, siç e dini jemi në mes të planit dhjetëvjeçar të zbatimit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Mendoj se ky plan, që Shtetet e Bashkuara e mbështetin plotësisht, po ju përgatit shumë mirë për atë anëtarësim të ardhshëm në NATO. Ka shumë kritere për anëtarësim në NATO dhe rrugëtimi i reformës në të cilin jeni, ju pozicionon jashtëzakonisht mirë për të ardhmen tuaj në NATO”, ka thënë ajo.

Ka zbuluar edhe dy arsyet pse e mori me vete ushtarakun e lartë amerikan në takimet me liderët kosovarë.

“Ishte shumë me rëndësi për mua që gjenerali Howard, i cili është zëvendës-komandant i Komandës Evropiane, të ishte me mua në këtë udhëtim. E them këtë për disa arsye. Një, pata dëshirë të demonstroja përpjekjen e tërë qeverisë së SHBA-së për mbështetjen tonë për Kosovën. Arsyeja tjetër është se për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e di se ka shtim të pasigurisë në Kosovë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi dhe veçanërisht në Kosovë. Dhe prania e gjeneralit Hoëard na e përkujton të gjithëve rolin e rëndësishëm që KFOR-i luan këtu në Kosovë dhe kontributin e SHBA-së, si kontribuuesi më i madh në atë forcë të NATO-s, për stabilitetin në Kosovë. Pra, më pëlqen edhe simbolika që jemi këtu së bashku, por edhe përkujtimi i asaj mbështetjes së gjerë që Shtetet e Bashkuara ia japin Kosovës”, ka sqaruar Donfried.

Ajo ka dhënë edhe një deklaratë të fuqishme, duke i siguruar kosovarët se mund të ndjehen të sigurt, meqë KFOR-i dhe SHBA’të i mbrojnë.

“Dëshiroj t’i siguroj kosovarët se mund të ndjehen – për shkak të KFOR-it dhe dëshiroj t’jua kujtoj sërish se është forca më e madhe e dislokuar e NATO-s e SHBA-ja është kontribuuesi më i madh në KFOR, si dhe për shkak të garancive të SHBA-së për Kosovën (e më lejoni të them se nuk shohim ndonjë kërcënim të shtuar për sigurinë e Kosovës; nuk shohim asgjë që të sugjerojë se Rusia ka rritur vëmendjen për nxitjen e destabilitetit këtu) – që për të gjitha këto arsye mund të ndjeheni të sigurt që SHBA-ja po kujdeset për sigurinë tuaj dhe se KFOR-i, së bashku me SHBA-në, do të sigurojnë që të mos ketë përshkallëzim të shtuar në Kosovë”, ka qenë deklarata e saj.

E për mundësinë që Ukraina ta njoh Kosovën, Donfried ka thënë se kjo është pyetje për Ukrainën.

Por, ka thënë se roli i Kosovës ndaj Ukrainës është diçka që çmohet.

“Ma merr mendja kjo është pyetje për Ukrainën, por mendoj se roli i Kosovës ndaj Ukrainës është diç që e çmoj dhe nuk befasohem nga ai. Arsyeja përse e them këtë është sepse e kemi parë se si Kosova ka dalë në ndihmë në çastet kur të tjerët kanë pasur nevojë. E këtu gjithashtu dua ta falënderoj Kosovën për rolin që keni luajtur për t’ju ndihmuar afganëve në rrezik. Ky ishte një çast tjetër kur Kosova hapi dyert për njerëzit në nevojë. Ne ishim aq mirënjohës për rolin tuaj dhe mendoj se janë të paktën 600 afganë që janë në SHBA tani dhe po ia fillojnë jetës së re duke iu falënderuar rolit të Kosovës. Prandaj, dëshiroj ta përgëzoj Kosovën që është në anën e duhur të historisë, qoftë kur ka të bëjë me Ukrainën apo me Afganistanin. E për këtë duhet të ndjeheni shumë krenarë”, ka deklaruar ajo.

Në fund, ka thënë se është shumë e përshtatshme që Kurti e Osmani kanë udhëtuar për në Uashington për të marrë pjesë në varrimin e Madeleine Albright, duke shtuar se askush s’mund ta vë në dyshim përkushtimin e saj për Kosovën.

“Së pari, dua të them se i jam shumë mirënjohëse presidentes Osmani për mënyrën se si e nderoi Madeleine Albright (Medlin Olbrajt) këtu në Kosovë dhe është shumë e përshtatshme që ajo dhe kryeministri juaj pikërisht tani janë duke udhëtuar për në Uashington për varrim. Sepse siç e thatë, askush nuk mund ta vë në dyshim përkushtimin e Madeleine Albright-it ndaj Kosovës. Dhe ajo e luajti atë rol qoftë për ndërhyrjen e NATO-s apo për mbështetjen për pavarësinë e Kosovës, si dhe në mbështetjen e saj të vazhdueshme që Kosova të ecë përpara drejt reformave demokratike. Mendoj se nderimi më i madh ndaj trashëgimisë së saj do të jetë dita kur Kosova i bashkohet Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Asgjë nuk do ta bënte më të lumtur se kjo. Sërish, mendoj se janë shumë pak njerëz, të paktën në SHBA, që kanë luajtur rolin që e luajti ajo për vendin tuaj. Dhe është kaq e duhur që po e nderoni në këtë mënyrë”, ka deklaruar Karen Donfried.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit