Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gazmend Abrashi, ka bërë thirrje që të kthehet vëmendja nga sektori privat. Ai ka thënë se sektori privat e ka pësuar më së shumti gjatë krizës së pandemisë.
“Sektori civil i ka marrë pagat dhe të ardhurat e veta, madje edhe një javë më parë, sektori privat ka qenë 80% i bllokuar dhe i është pamundësuar çfarëdo aktiviteti ekonomik gjatë kësaj pandemie. Besoj se sot duhet të ketë përparësi sektori privat, i cili është bartës i ekonomisë së Kosovës”, tha ai.
Abrashi ka kritikuar edhe deputetët e Vetëvendosjes, për të cilët ka thënë se tash nuk po e mbështesin implementimin e vendimit të Qeverisë Kurti për t’i paguar punëtorët e sektorit privat me nga 170 euro.
Abrashi ka thënë se Qeveria ka paguar vetëm 80% të aplikantëve për muajin mars, ndërsa për muajin prill nuk ka bërë asnjë pagesë të vetme.
“Qeveria paraprake përkundër asaj që ka proklamu 180 milionë pakon, dikun vetëm 80% të pagave të muajit mars i ka paguar. Pagat e muajit prill as që kanë fillu të paguhen. Kam kuptu që nuk ka mjete. Dje Ministria e Financave ka ardhë me propozim për implementimin e vendimit të Kurtit. Nuk i kuptoj deputetët e VV-së se si nuk e përkrahin implementimin e projektit të qeverisë Kurti”, ka thënë ai.
“Ju ftoj edhe një herë që t’i tejkalojmë fërkimet politike dhe t’i kthehemi qytetarit”, ka thënë ai në fund.