3.9 C
Pristina
Monday, December 16, 2024

Alarmi për pushtim: Rrëfimet e ushtarëve ukrainas në front

Rekomandime

Pavarësisht shqetësimeve për një grumbullim të madh të trupave të Rusisë në kufirin me Ukrainën, luftëtarët në vijën e frontit, në Donbas, i kanë minimizuar paralajmërimet nga agjencitë e inteligjencës në Kiev dhe në vendet e Perëndimit, se Moska mund të jetë duke planifikuar një ofensivë të re ushtarake.

Timur, 28-vjeçar

- Advertisement -

“Unë, personalisht, nuk besoj se ka rrezik për ndonjë pushtim të madh. Unë mendoj se këto janë vetëm lojëra. Situatë të njëjtë kishim edhe në prill dhe në maj të këtij viti. Kishte aq shumë thashetheme për një sulm të mundshëm. Ato u bënë në mënyrë që Rusia të mund të siguronte përfundimin e gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”. Këtë herë, mbase është vetëm Putin që po përpiqet të ushtrojë trysni përsëri. Nga ajo çfarë kam dëgjuar, Kremlini po mundohet të marrë garanci se NATO-ja nuk do të zgjerohet deri në Ukrainë, dhe në vendet e tjera të Partneritetit Lindor, siç janë Gjeorgjia dhe Moldavia”.

“Luftimet këtu ndodhin herë pas here. Javën e kaluar përjetova bombardimin më të rëndë në këtë pozicion. Forcat proruse përdorën granatahedhës të tipit “SPG-9”. Më vonë, për disa ditë rresht, ishte pothuajse qetësi. T’ju them të drejtën, ndihem pak i frikësuar kur këtu është qetë, sepse filloj të mendoj: ‘Mbase ata kanë ndonjë plan’. Një nivel i ulët i bombardimit më bën të ndihem më rehat”.

“Pala tjetër shpesh përdor taktika dredharake. Për shembull, vëzhguesit e OSBE-së i përdorin dronët e tyre gati çdo ditë, për t’i kontrolluar pozicionet ushtarake. Ata i njoftojnë që të dyja palët për fluturimin e dronit të tyre për kontrollimin e pozicioneve në të dyja anët, që ne ta dimë se ai po vjen, por më pas forcat proruse e nisin dronin e tyre menjëherë pas atij të OSBE-së, për t’i bërë vëzhgimet e veta, ndërsa neve nuk na lejohet të qëllojmë në atë drejtim”.

- Advertisement -

Vlad, 22-vjeçar

- Advertisement -

“Ushtria ruse nuk është e përgatitur për luftë. Ajo nuk ka spitale fushore apo cisterna nafte në gatishmëri, dhe nuk ka shumë ushtarë apo automjete gati. Asaj do t’i duheshin 300,000 deri në 400,000 trupa për të sulmuar; tani ajo i ka të grumbulluar vetëm 100,000. Unë mendoj se kjo shifër do të nevojitej vetëm për Kievin. Ne kemi shumë nivele të mbrojtjes”.

“Nëse nuk vijmë këtu në front tani, do të vdesim nëpër shtëpitë tona më vonë. Është një thënie ukrainase: Ai që nuk e mbron familjen e tij në kohë paqeje, do t’i hajë fëmijët e tij në kohë të vështira. Është referencë për Holodomorin. Nëse një rus vjen dhe dëshiron të pijë ca gota vodka dhe të bëjë qejf, s’ka problem. Por, nëse ai vjen në shtëpinë time me armë, unë do ta vras atë”.

“Këtu, armiku po përdor pushkë të snajperëve dhe mitraloza çdo ditë, dhe nganjëherë ata përdorin edhe granatahedhës. Javën e kaluar, ata përdorën mortaja prej 82 milimetrash këtu afër. Kjo situatë s’ka për të ndryshuar në të ardhmen e afërt. Federata Ruse nuk është e përgatitur për sulm, mendoj unë. Vetëm po dërgohet një porosi, sepse konflikti është zgjatim i politikës. Gjithçka do të jetë mirë”.

Iryna (s’e ka treguar moshën)

“Unë mendoj se nëse një pushtim do të ndodhte tani, shumë njerëz do të vdisnin. Më shumë se më 2014. Do të kishte gjakderdhje të madhe. Do të ishte e tmerrshme”.

“Por, sigurisht, shumë ushtarë nuk besojnë se do të ndodhë një pushtim. Vija e frontit nuk ndihet aspak më ndryshe se më parë. Një arsye tjetër pse ata nuk iu besojnë këtyre thashethemeve është sepse ka shumë gënjeshtra në vendin tonë. Të gjithë në pozitat e fuqishme gënjejnë. Presidenti ynë ka premtuar se do t’i japë fund luftës brenda një jave pas marrjes së pushtetit. Tani, dy vjet më vonë, ja ku jemi”.

“Unë nuk mendoj se sanksionet financiare ndaj Rusisë do të ndryshonin diçka. Janë sikurse këto marrëveshjet e Minskut. Ato s’kanë aq efekt. Njerëzit shkruajnë diçka në letër, por, në realitet, këtu në vijën e frontit, situata është e njëjtë. Ende po përdoren armë të kalibrit të rëndë. Ndoshta do të ndodh një pushtim, por dikur më vonë”.

Petro, 27-vjeçar

“Ajo që di unë është se njerëzit do të rrinë dhe do ta mbrojnë vendin e tyre. Veteranët, të cilët ishin në front më 2014, kur lufta po fillonte, janë kthyer në shtëpi, por nëse ndodh një pushtim, ata do të kthehen këtu për të luftuar”.

“Në mëngjesin e hershëm, kur flije në shtëpi, dy granata përfunduan këtu afër, por këto gjëra janë normale. Nuk mund të them se së fundmi ka pasur ndonjë aktivitet të çuditshëm. Nganjëherë, prej këtu mund të dëgjosh tanket e armikut duke ndezur motorët e tyre. Motorët e tankeve kanë një zhurmë shumë specifike. Atë e bëjnë më shpesh në mot më të ftohtë”.

“Ka pasur shumë situata kur kam shpëtuar për pak. Një herë, po rrija mbi një automjet të blinduar, dhe vërejta një tank armiku. Më pas, pashë pushkën e tij duke vënë në shënjestër automjetin tonë. Vura shkrepësen time mes dhëmbëve, e kafshova fort, dhe iu luta Zotit. Ajo nuk shkrepi”.

“Unë nuk mendoj se sanksionet do të ndryshojnë diçka. Rusia është vend i pasur. Presidenti ukrainas dhe deputetët duhet të marrin vendime serioze. Dua që një ditë të notoj në Krimenë e lirë”.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit