1.7 C
Pristina
Saturday, December 21, 2024

Albin Kurti në presion të trefishtë

Rekomandime

Fjala e Albin Kurtit në Samitin e mbrëmshëm të Munihut u prit me një etuziazëm të jashtëzakonshëm nga përkrahës dhe dashamirësit e tij në Kosovë e Shqipëri. Gjakftohtësia, artikulimi i qartë në anglisht dhe sidomos aftësia për të qenë zëdhënës i vullnetit të qytetarëve të Kosovës, në mënyrë të përmbledhur e të kthjellët për këdo, ishin arsye të forta për të qenë të kënaqur.

Më ra në sy sidomos parimi 1 i përmendur nga Kurti: “Nuk ka marrëveshje pa dialog”. Mu duk se i drejtohej pikërisht më të fortit të tavolinës, Richard Grenell, dhe “marrëveshjes së saponënshkruar” të hekurudhave, një marrëveshje që nuk ishte paraprirë nga dialogu.

- Advertisement -

Me bekimin e Presidentit Thaçi, dy zyrtarë të hekurudhave të Kosovës nënshkruan një marrëveshje vullneti për hekurudha dhe autostrada mes Kosovës dhe Serbisë.

Partneri i tyre firmosës nga pala serbe ishte hiç më pak se udhëheqësi i së ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Prania e një zyre dhe një zyrtari të tillë në një marrëveshje që Presidenti i Kosovës e quajti “historike” ishte konfirmimi më i mirë nga pala serbe se e quan akoma Kosovën tokë serbe. Gjuriq ishte zgjedhur për të dhënë pikërisht këtë mesazh. Por jo vetëm kaq.

Ambasadori amerikan në Gjermani, Richard Grenell, i vënë në qendër të skenës, ishte në pozitat e moderatorit të “ngjarjes”.

- Advertisement -

Kishte një vullnet qesharak, të tepruar, për të mos i rrëshqitur asgjë nga kontrolli dhe kujdesej vazhdimisht të përmendte vullnetin e Presidentit Trump si vulë e padiskutueshme e kësaj “marrëveshjeje”.

Mbrapa tij kishte dy Presidentët Thaçi e Vuçiç, para kishte Gjuriqin me dy nëpunësit e Palit që rrinin si të marrë peng.

- Advertisement -

Marrëveshja në thelb nuk ishte asgjë, ishte “shprehje e vullnetit të mirë” ose “shprehje interesi” që, në të ardhmen, Kosova dhe Serbia të kishin një marrëveshje për ndërtimin e dy hekurudhave.

Pra asgjë konkrete, thjesht një teatër që i duhej Grenellit për interesat shefit të tij.

E gjithë kjo maskaradë ishte një thikë pas shpine për Kryeministrin e ri Kurti.

Këtë edhe e shprehu me statusin e tij të Facebook-ut ku ankohej që marrëveshjet janë bërë pa autorizimin e Qeverisë së re.

A nuk mundet të komunikonte Grenell me zotin Kurti për të pasë vullnetin e ri në tavolinën e vjetër? Si mundet dy shefa sektori në një Ministri të nënshkruajnë “marrëveshje historike”? Si mund të jetë “historike” një marrëveshje e tillë?

A do pranonte Albin Kurti të ulej me “shefin e zyrës për Kosovë” në Qeverinë serbe?

Ndoshta pikërisht për këto arsye edhe u mënjanua.

Richard Grenell nuk ka shumë kohë. I duhet një sukses diplomatik në çështjen e Kosovës dhe i duhet tani, në moment.

Me 06 Nëntor në USA do të jenë zgjedhjet presidenciale dhe Presidenti Trump nuk do ketë shumë suksese diplomatike për të numëruar në arenën ndërkombëtare.

Kosova është kthyer në sfidë diplomatike për të. Kjo duket të jetë edhe arsyeja pse Trump i bën jehonë çdo arritjeje gjysmake, qoftë edhe dukje apo “shprehje interesi” në mardhëniet shqiptaro serbe.

Ai shpërndan çdo reagim të çfarëdo faktori shqiptar që përkrah Grenellin. Nuk është çudi të shpërndajë edhe statusin e fundit të Agim Veliut apo edhe shefit të sektorit në Ministrinë e Palit. Koha nuk i pret shumë, shqiptarët e Kosovës janë mirënjohës dhe të nënshtruar, ata mundet t’i urdhërojmë.

Presidenti i Kosovës, që thotë çfarë të duam ne, duhet të faktorizohet, kundërshtarët të linçohen. Donald Trump nuk pyet për sentimente, e bën marrëveshjen pa diplomaci e delikatesë.

Nuk ka kohë për terma të tillë kur zgjedhjet janë në prag. Në fakt edhe jashtë zgjedhjeve nuk është shquar për të tilla.

Vuçiç nga ana tjetër ka zgjedhjet e veta parlamentare pas 70 ditësh, është në fushatë elektorale.

Atij nuk i falet kurrsesi të gabojë duke toleruar diçka. Serbët nuk do ia falnin kurrë. Ai do ta ngrejë pazarin dhe do rrisë retorikën nacionaliste, agresivitetin.

Tashmë Amerika për Vuçiç nuk është më gogoli. Ai mundet të thotë “jo” shumë më kollaj se Kosova. Pa iu dridhur qerpiku.

Asnkush nuk e shtyn dot Vuçiç të nënshkruajë një marrëveshje të padobishme për vendin e tij.

Kurti përveç të tjerëve kundërshtohet edhe brenda Qeverisë së tij. Ministri i tij i Brendshëm përgëzon të njëjtën marrëveshje që Kurti kritikon, atë të hekurudhave. Komentin e shoqëron me fototn e tij së bashku me liderin partiak Isa Mustafa dhe Ambasadorin Grenell.

Me pak fjalë konteksti politik për Albin Kurtin është jashtëzakonisht kundër tij.

Ai ndodhet në presion të trefishtë.

Amerika i thotë hiq taksën ndaj Serbisë dhe mos përdor reciprocitet, Vuçiç nga Serbia është në prag të fushatës elektorale dhe për këtë arsye është negociatori më i vështirë i mundshëm në këto ditë dhe, si të mos mjaftonin këta, është i varur edhe nga partneri qeverisës që duket se do të thyhet lehtë nga presioni më i vogël amerikan.

Në këtë situatë të pafavorshme, nëse heq edhe taksën, ai defaktorizohet pothuaj krejtësisht. Taksa vërtet mund të ketë bërë mjaft armiq ndërkombëtarë por të paktën është një peng në negociata, është një gur në dialog.

Albin Kurti nuk duhet ta heqë taksën të paktën në 70 ditët e ardhshme, nuk duhet të japë pikë politike në Serbi dhe duhet të ruajë të vetmen arsye për të cilën ai akoma ka rëndësi në sytë e Vuçiç dhe Grenell.

Në këtë pikë duket sikur Haradinaj ka të drejtë…

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit