Kandidati për kryeministër nga Vetëvendosje, Albin Kurti, me rastin e hapjes së fushatës zgjedhore në Prishtinë ku ishte bashkë me Vjosa Osmanin ka folur edhe për sondazhet.
Ai përveç premtimeve që bëri me rastin e hapjes së fushatës,tha se sondazhet po ia shkaktojnë një frikë të vogël.
“Këto sondazhe na shkaktojnë një farë frike të vogël se mos na kap vetëkënaqësia e fitores dhe nuk angazhohemi sa duhet në fushatë”, tha Kurti.
Ai tha se është jetike që VV t’i fitojë 60 deputetë.
“Nuk guxojmë ta bëjmë një gabim të tillë (të vetëkënaqen) sepse është e rëndësisë jetike të fitojmë më shumë se 60 deputetë”, deklaroi Kurti, siç tha të ndalet plani që parasheh shkaktimin e krizave të pafund.
Kujtojmë se “Albanian Post” i Baton Haxhiu ka bërë një matje të opinionit në fund të muajit janar dhe ditën e parë të muajit shkurt, ku fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit sipas këtij sondazhi do të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 51.3 për qind.