1.4 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Albin Kurti: Zgjedhjet janë zgjidhje për shëndetin e qytetarëve

Rekomandime

Në mbledhjen e 40-të të Këshilli të Përgjithshëm që e ka mbajtur Lëvizja Vetëvendosje, në fjalimin e tij kryetari i kësaj lëvizje, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesën e tij të vzhdzueshme së vendi duet të shkojë në zgjedhje.

- Advertisement -

“Të dashur anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Neve na don populli, kurse ata e duan njëri-tjetrin. Dikur e kanë frikësuar popullin, tash po i frikësohen zgjedhjeve. E zgjedhjet janë zgjidhja edhe për shëndetin e qytetarëve, edhe për shëndetin e demokracisë, edhe për shëndetin e shtetit”.

Në këtë fjalim, Kurti ka folur edhe për pandeminë, ku ka apeluar për qytetarët që të bëjnë kujdes dhe t’i respektojnë masat e rekomanduara nga IKSHPK.

Fjalimi i tij i plotë:

- Advertisement -

Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të VETËVENDOSJE!-s,

I nderuari kryesues z. Hydajet Hyseni, zv. kryesues z. Faruk Mujka, dhe sekretare organizative znj. Vlora Haxhimehmedi,

- Advertisement -

Të dashur anëtarë e aktivistë të Lëvizjes,

Të nderuar të pranishëm,

Po takohemi së bashku në mbledhjen e 40 të organit tonë më të lartë, në një kohë të vështirë për shtetin dhe qytetarët.

Fillimisht, më lejoni që nga këtu të shpreh ngushëllime për familjarët të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre nga virusi COVID-19, ku vetëm dje kishim 8 të vdekur. I uroj shërim të shpejtë të gjithë atyre të cilët po luftojnë me këtë virus vdekjeprurës dhe falënderoj të gjithë punonjësit shëndetësor të cilët vazhdojnë, në kushte të rënda, të rrezikojnë jetët e tyre për të shpëtuar jetët e qytetarëve.

Nuk dua të ndalem te shkaqet politike e qeveritare të kësaj gjendjeje, por te pasojat shëndetësore për popullsinë. Ne duhet të tregojmë kujdes dhe përgjegjësi individuale e qytetare duke përdorur masat e duhura mbrojtëse që të shpëtojmë veten dhe të dashurit tanë, të mbrojmë veten e të ruajmë njëri-tjetrin. Kur të mungon shëndeti, gjithçka tjetër zhvlerësohet. Kur të rrezikohet shëndetësia, atëherëi gjithë shteti sëmuret.

Si rrallëherë, sot ndodhemi përballë një krize shëndetësore e cila po merr jetët e qytetarëve, një krize ekonomike e cila po thellon edhe më tej varfërinë dhe pabarazinë dhe një krize qeverisjeje ku institucionet dhe demokracia janë ndarë.

Si Lëvizje, ne jemi rritur në kriza. Ajo që në Lëvizje ka qenë konstante është përballja e vazhdueshme me krizat të cilat nuk i janë ndarë vendit tonë që nga themelimi i VETËVENDOSJE!-s para 15 viteve. Këto kriza i kemi përjetuar e përballur së bashku me qytetarët të cilët goditen çdoherë më së keqi dhe kërcënohen më së shumti. Prandaj, takimet tona janë më shumë se procedurë e më shumë se përfaqësim sepse janë çdoherë vendimmarrje në kohë krizash.

Sot dua të flas për ngjarjet që përjetuam së bashku qënga 6 tetori i vitit të kaluar dhe vendimmarrjen që na pret së bashku.

6 tetori i vitit 2019 është padyshim datë historike, ku qytetarët me votën e tyre të lirë ndryshuan politikën në Kosovë por edhe vendosën fatin e politikanëve.

Në frymën e rezultateve të zgjedhjeve, duke respektuar votën e qytetarëve, formuam një qeveri të vogël por të mençur dhe efikase, një qeveri të kursimit të parasë publike, të luftimit të korrupsionit dhe të shfrytëzimit racional të buxhetit.

Së pari filluam të jetësojmë programin qeverisës mbi bazën e programit zgjedhor ku dëshmuam se në politikë premtimet ndaj qytetarëve janë kontratë obligative për politikanët dhe se politika mund të bëhet ndershëm e me parime.

Kështu mbajtëm premtimin për një qeveri të pastër, me njerëz me integritet e të pakorruptuar, me profesionistë, me gra e burra që synim e motiv kanë shërbimin ndaj qytetarëve e jo pasurimin për vete.

Dëshmuam se nuk ka vendime të vështira kur ka qëllime të mira dhe se ajo që thonë se është e pamundur është veçse arsyetim për të fshehur paditurinë, pazotësinë ose pandershmërinë.

Po, është i mundur një shtet më i drejtë dhe më i barabartë sepse për vetëm katër muaj dëshmuam që shteti mund të punojë për të gjithë, të kujdeset për më të varfërit e të ndihmojë punëtorët.

Është e mundur që të kemi shëndetësi që funksionon dhe shpëton jetën e qytetarëve edhe kur ka pandemi e kur mungon infrastruktura shëndetësore.

Është e mundur të shpëtohen e rimëkëmbën ndërmarrjet publike. Është i mundur të luftohet korrupsioni e krimi, nepotizmi e shpërdorimi. Është e mundur të anulohen kontratat e dëmshme e të ndalohet gjakderdhja financiare e asfaltit të shtrenjtë në toka bujqësore. Është e mundur që edhe të vendoset reciprociteti tregtar me Serbinë edhe të ndihmohet financiarisht me gjysëm milioni euro Lugina e Preshevës. Është e mundur të fillojmë me vetingun në drejtësi, me institutin për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës, me konceptin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, dhe me buxhet për strehimoret që ofrojnë mbrojtje nga dhuna në familje.

Është i mundur ushtrimi i sovranitetit të shtetit dhe lartësimi i emrit të republikës sonë siç ndodhi në këta katër muaj.

Është e mundur të kemi qeveri që e duan qytetarët, që e kërkon mërgata dhe që e respekton bota. Qeveri që garanton të drejta të barabarta dhe siguron mundësi të barabarta për të gjithë.

Prandaj nuk mund të kthehemi prapa sepse qeverisjen e mirë e kanë provuar, e kërkojnë, ju nevojitet dhe e meritojnë qytetarët e vendit tonë.

Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! është bërë subjekti më i madh politik në Kosovën e pasluftës. Nuk ka ndodhur asnjëherë që nga shpallja e pavarësisë, madje as që nga përfundimi i luftës, që partia fituese e zgjedhjeve të mbetet në opozitë. Po ashtu, nuk ka ndodhur që partia fituese e zgjedhjeve të mos ketë asnjë nga pozitat udhëheqëse të shtetit. Por, në të njëjtën kohë, si asnjëherë më parë në Kosovë, zgjedhjet i fitoi një parti e cila e do më shumë shtetin e popullin sesa pushtetin dhe vetveten.

Postet dhe pozitat, hierarkia dhe rendi, si në subjekt politik e si në shtet demokratik i nënshtrohen vullnetit qytetar përmes zgjedhjeve të përgjithshme demokratike dhe jo arbitraritetit të veçantë të individëve.

Në VETËVENDOSJE! ne dëshmuam peshën e secilit në vendimmarrje ku marrëveshja e koalicionit qeverisës iu nënshtrua votës së anëtarëve të saj.Dhe kështu duhet të jetë në demokraci, sepse qeverisja e partisë është reflektim i qeverisjes së shtetit. Nëse rregullat e partisë nuk janë demokratike, atëherë ato nuk prodhojnë dot një udhëheqje demokratike të partisë e rrjedhimisht nuk prodhojnë dot një qeveri demokratike në shtet.

Prandaj, ne në Lëvizje kemi rregulla dhe procedura demokratike të hapura dhe të verifikuara e me pjesëmarrje të gjerë e të barabartë ku secilit që dëshiron angazhim politik, mbi bazën e vlerave që ne përqafojmë e përfaqësojmë, i garantohet jo vetëm anëtarësimi por edhe hapësira e veprimit dhe e drejta për të zgjedhë e për t’u zgjedhur.

Këto janë vlera të cilat ne duhet t’i lartësojmë, mbrojmë dhe kultivojmë bashkërisht. E këto vlera sot testohen më shumë se kurrë. Sepse sot jemi subjekti më i madh në vend, kemi përkrahjen më të gjerë popullore, anëtarësinë më të madhe, shtrirjen më të gjerë në vend e nërajon, dhe jemi subjekti i vetëm i cili i ka fituar zgjedhjet, votën dhe zemrën e qytetarëve si kurrë më parë.

Rritja e VETËVENDOSJE!-s nënkupton që më të vjetrit të mirëpresin më të rinjtë; nënkupton që strukturat të jenë në shërbim të barabartë e jopersonal ndaj të gjithëve; nënkupton se ka më shumë garë mes ideve, mendimeve e gjeneratave të ndryshme.

Ne jemi subjekt politik, që beson në sovranitetin shtetëror, progresin shoqëror e bashkimin kombëtar. Besojmë që zhvillimi ekonomik dhe drejtësia sociale shkojnë bashkë, besojmë në liri dhe barazi, në krijimin e mundësive të barabarta dhe në potencialin e secilit qytetar pa dallim.

Lëvizja është vendi ku promovohen vlerat individuale dhe kauzat kolektive, ku garantohet gara dhe ku përplasen idetë por çdoherë jemi vendi ku triumfon zgjedhja e lirë e shumicës së mirinformuar.

Nëse më herët sfidë kishim rritjen, sot sfidë kemi si ta bëjmë Lëvizjen më të hapur, më të qëndrueshme e më të gjerë, prandaj Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes dhe të gjitha strukturat, duhet të kujdesen që Lëvizja të jetë gjithëpërfshirëse.

Secili nga ne duhet të ushtrojmë veprimtarinë e të japim kontributin tonë në këtë hapësirë të përbashkët pa cenuar e pa e mohuar hapësirën e tjetrit, sepse Lëvizja nuk përvetësohet. Lëvizja është e të gjithëve, sepse nuk është e askujt; Lëvizja nuk është e askujt veçmas sepse është e të gjithëve bashkë; e, të gjithë ne jemi të Lëvizjes, sepse ajo është e popullit.

Sot nuk të bën më shumë e as më pak Lëvizje fakti se ke ardhur dje, para 5, 10 apo 15 viteve. Lëvizje të bën besimi në vlerat dhe parimet dhe qëllimet për të cilat angazhohemi dhe i mbrojmë dhe i realizojmë. Në promovimin e dijes dhe integritetit, drejtësisë e barazisë dhe angazhimit për të mirën e përgjithshme e në shërbim të shumicës, që të gjithë jemi të barabartë dhe të gjithë jemi anëtarë.

Matjet e opinionit publik e nxjerrin Lëvzjen tonë jo vetëm të parën, por edhe me mbi trefishin e mbështetjes krahasuar me vendin e dytë ku bëjnë gara PDK e LDK, kurse mua me mbi katërfishin e preferencës qytetare për kryeministër të vendit krahasuar me të dytin që mëvjen nga pas.

Një gjë është tejet interesante në këto sondazhe: mbështetja që kemi te gratëështë mbi 55% (krahasuar me burrat 42%), ndërkaq te rinia i afrohemi 2/3 të përkrahjes popullore. Kjo e fundit konfirmon se e kujt është e ardhmja, por e para tregon se çka pritet prej nesh: barazi gjinore, mundësi e drejtësi e pjesëmarrjes për gratë dhe vajzat, në punësim, në pronësi, në pasuri, në udhëheqje.

Nga njerëzit me arsimim universitar në Kosovë, më shumë ka gra se burra, por ato janë gati katërfish më pak të punësuara sesa burrat. Pra, kemi punëshumëpërpara.Pa barazi gjinore nuk ka barazi shoqërore dhe as të drejta të njeriut. Në fakt, nuk ka as demokraci, sepse demokracia është sundimi i shumicës, por burrat janë pakicë, ndërkaq gratë, pleqtë, rinia e fëmijët janë shumica. Dominimi i pakicës nuk mund të jetë demokraci. Pra, kemi shumë punë përpara.

Të nderuar pjesëmarrës,

Me provat për protestë me 500 dhe 5.000 pjesëmarrës në pika në Shesh, dëshmuam diciplinë e masivitet – të gjitha këto duke i respektuar masat e vendosura nga qeveria jonë me distancë dhe maska. Në tubimin e 15 vjetorit tonë me pjesëmarrje të mbi 15 mijë personave, dëshmuam rritjen e jashtëzakonshme të përkrahjes që vazhdon e rritet.

Nga mocioni i mosbesimit me 25 mars deri më tani, kemi pranuar mbi 6.000 regjistrime të reja elektronike, të të gjithë atyre të interesuar për anëtarësim në Lëvizjen tonë. Tash na përket neve t’i takojmë dhe t’i anëtarësojmë të gjithë këta në Pikat dhe Qendrat tona, dhe t’iu japim mundësinë për inkuadrim në strukturat tona gjatë zgjedhjeve të brendshme që do të mbahen së shpejti.

Nga Qendrat në Kosovë është për t’u veçuar Qendra jonë në Pejë, e cila nga fillimi i këtij viti e deri në javën e kaluar, ka arritur t’i anëtarësojë 251 persona të rinj, duke i përfshirë plot 45 anëtarë të rinj nga Kosuriqi i Pejës që para pak ditëve kaluan në Lëvizje.

Nga Qendrat në mërgatë duhet të përmendën 227 anëtarët e rinj në Zvicër të cilët janë regjistruar në databazën tonë të anëtarësisë, dhe afër një mijë të interesuar kemi vetëm në Gjermani gjatë këtij viti. Shkaku i interesimit të madh, përveç shtatë qendrave ekzistuese, më vonë gjatë mbledhjes së sotme tëKëshillit të Përgjithshëm do të votojmë edhe për themelimin e gjashtë qendrave tjera në mërgatë dhe qendrës sonë në Maqedoninë e Veriut.

Me datën 2 qershor e filluam peticionin “Duam Zgjedhje!” me lista fizike nëpër Qendrat e Lëvizjes. Kemi arritur çerek milioni nënshkrime. Pra, duket qësi për demonstrata, ashtu edhe për peticione, Lëvizja VETËVENDOSJE! mund t’ia thyejë rekordin vetëm vetvetes. Ky peticion tashmëështë peticioni më i madh i Kosovës së pasluftës, por ai duhet të rritet e do të rritet edhe më shumë sesa çerek milioni nënshkrime. Qendrat të cilat janë treguar më efikase në mbledhjen e nënshkrimeve deri mëtani janë: Prishtina, Mitrovica dhe Ferizaj.

Grupi ynë parlamentar ka qenë aktiv pavarësisht vështirësive dhe pandemisë që e ka pllakosur vendin tonë. Ka bërë kërkesa në Gjykatën Kushtetuese dhe është në pritje të katër vendimeve të saj: mbi veprimet/deklaratat e Presidentit për thirrjen për mosbindje civile dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë; mbi rastin e deputetit që ndodhet në burg për korrupsion, Ethem Arifi; mbi rastin e deputetit që dëshmoi ndikimin anti-kushtetues të presidentit, Haxhi Shala; dhe, mbi shtyrjen pa afat të zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Podujevës.Janë ndërmarrë tri nisma ligjore: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Zgjedhje në lidhje me votimin e mërgatës sonë në ambasada dhekonsullata; Projektligji për Peticione; dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për festat zyrtare.

Të dashur aktivistë,

Ky është një vit i pazakontë e deri tani ka pasur shumë të papritura, por shoqëria dhe shteti ynë duhet të forcohen që t’i bëjnë ballë çdo sfide. Sot, imuniteti i shtetit është shumë mëi dobët sepse legjitimiteti mungon. Trupi pa imunitet nuk e fiton dot betejën kundër virusit dhe dorëzohet kurse qeveria pa legjitimitet është po ashtu e dorëzuar dhe nuk fiton asnjë betejë brenda apo jashtë vendit.

Ne duhet të forcojmë të dyja, edhe imunitetin e qytetarëve edhe legjitimitetin e qeverisë me zgjedhje të reja e me qeverisje të mirë.

Përpara kemi zgjedhje të dyfishta. Kemi zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen VETËVENDOSJE! në vjeshtë dhe zgjedhjet e domosdoshme të parakohshme për parlamentin e ri dhe qeverinë e re.

Zgjedhjet e parakohshme janë të domosdoshme.Me 6 tetor nuk kishim thjesht një palë zgjedhje të radhës dhe nuk kishim thjesht një qeveri të radhës. Qytetarët votuan për ndryshim. Votuan që partitë e PAN-it të shkojnë në opozitë dhe votuan si kurrë më parë me numër rekord të votave se kush duhet të jetë kryeministër.

Ky ndryshim që sollën qytetarët përmes kutive të votimit, u përmbys në tavolinën e presidentit.U përmbys nga një president partiak e përçarës, idhnak e i shantazhuar i cili keqpërdori pozitën e presidentit të shtetit për të kërcënuar institucionet e pavarura që të nxjerrin vendim të politizuar; u përmbys nga një parti opozitare e cila braktisi qytetarët, braktisi ndryshimin dhe reformat e premtuara duke e kthyer PAN-in në qeveri.

Ajo që kemi parë nga marsi i këtij viti është përpjekja e vazhdueshme për ta zhbërë 6 tetorin, për ta fshirë atë edhe si datë ku ata humbën por edhe si ditë ku qytetarët fituan.

Por, 6 tetori ka ndodhur, fitorja e qytetarëve ka ndodhur dhe qeverisja e mirë ka ndodhur, e nuk ka makinë kohore që na kthen në kohën e PANhajnisë.

Natyrisht, ne jemi të vetëdijshëm se jemi në kohë pandemie. Jemi po ashtu të vetëdijshëm se qeverisja jonë e mirë arriti të menaxhonte mirë edhe pandeminë edhe krizën ekonomike. E sot, jemi në një situatë ku qeveria jo vetëm nuk ka legjitimitetin për të qeverisur por nuk ka as aftësinë për të menaxhuar.

Qeveria Koti është në mënyrë të trefishtë qeveri e pakicës: i ka vetëm 59 deputetë, i ka vetëm 40 deputetë shqiptarë, dhe nuk i ka as 1/3 e mbështetjes qytetare.

Për më keq, kemi një qeveri dhe një kryeministër koti që partia e tij nuk ia besoi postin e kryetarit, por kërkon që populli e shteti t’ia besojnë postin e kryeministrit.

Të dashur anëtarë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!,

Neve na don populli, kurse ata e duan njëri-tjetrin. Dikur e kanë frikësuar popullin, tash po i frikësohen zgjedhjeve.

E zgjedhjet janë zgjidhja edhe për shëndetin e qytetarëve, edhe për shëndetin e demokracisë, edhe për shëndetin e shtetit.

Ju faleminderit.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit