1.7 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Ambasadorja franceze: Asociacioni s’është një ‘Republika Srpska’ e dytë, Kosova u zotua ta bëjë

Rekomandime

Ambasadorja e Francës në Kosovë, Marie Christine-Butel, në një intervistë ka folur për çështjen e liberalizimit të vizave, marrëveshjen për Asociacionin e procesin e dialogut me Serbinë dhe marrëveshjen finale mes Prishtinës dhe Beogradit.

Butel ka treguar se Franca është një nga vendet skeptike për liberalizimin dhe ka theksuar se ky skepticizëm ndërlidhet me frikën nga migrimi potencial që do të mund të shkaktohej nëse hiqet regjimi i vizave për Kosovën. Asociacioni i Komunave serbe thotë se është marrëveshje për të cilën Kosova është zotuar si shtet serioz për ta zbatuar derisa potencon se s’bëhet fjalë për një “Republika Srpska” të dytë dhe as për komprementim të funksionimit të shtetit të Kosovës . Për rezultatin e marrëveshjes finale thekson se u takon Kosovës dhe Serbisë që të merren vesh, derisa përmend periudhën 2022-2024 si kohë që Prishtina e Beogradi duhet ta shfrytëzojnë për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

- Advertisement -

Presidenti Macron ka premtuar se gjatë këtij gjashtë mujori, derisa Franca do të kryesojë me presidencën e Bashkimit Evropian, do t’i kushtohet vëmendje e veçantë Ballkanit Perëndimor. Ai ka premtuar edhe një konferencë për rajonin. Çfarë konkretisht mund të presë rajoni gjatë këtyre muajve?

Marie Christine-Butel: Gjatë një konference për medie më 9 dhjetor të vitit të kaluar, lidhur me orientimet kryesore të Presidencës franceze të Këshillit të Bashkimit Europian, Presidenti Macron theksoi se ajo do të veçohet me dy prioritete gjeografike: Afrika, në fqinjësinë jugore të Evropës dhe Ballkani Perëndimor, sepse, më shumë se fqinj, Ballkani Perëndimor është në zemër të Evropës. Kjo është arsyeja pse është planifikuar të organizohet një konferencë për Ballkanin Perëndimor në qershor, e cila nuk do të jetë një Samit BE – Ballkan, i planifikuar tashmë nga presidenca çeke në gjysmën e dytë të vitit, por një ngjarje që tubon udhëheqës të shteteve anëtare dhe të institucioneve europiane, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile për t’i trajtuar problemet e përbashkëta.

Kosovarët tash e disa vite sytë i kanë nga Bashkimi Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave. Nga Komisioni Evropian disa herë është përsëritur se Kosova i ka përmbushur kushtet. Ndërkohë Parisi zyrtar ende nuk po e ndez dritën e gjelbër për ta përkrahur Kosovën në këtë çështje me arsyetimin se s’janë përmbushur kushtet mjaftueshëm. Sa ka gjasa që një qëndrim i tillë i Francës të ndryshojë dhe a mund të ndodhë përpara zgjedhjeve presidenciale të muajit prill?

- Advertisement -

Marie Christine-Butel: Në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave, Komisioni i BE-së përcaktoi një listë të kritereve teknike të cilat konsideronte se ishin përmbushur nga Kosova dhe që, në të vërtetë, ishin bërë reforma të rëndësishme për ta arritur këtë. Ky hap është i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm. Në të vërtetë, duhet theksuar se vendimet për vizat me qëndrim të shkurtër dhe rrjedhimisht qasja në zonën Shengen janë të një natyre politike dhe, për këtë arsye, i përkasin qeverive të shteteve anëtare që takohen në kuadër të Këshillit të BE-së. Duhet saktësuar se ato vendime merren jo me konsensus, por me shumicë të kualifikuar, që do të thotë se vetëm një shtet nuk mund t’i bllokojë ato.

Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, është e vërtetë se Franca është një nga shtetet, së bashku me disa tjera, e cila ka shprehur rezerva, sepse këto shtete janë të shqetësuara për rreziqet, veçanërisht ato të migrimit, që do të mund të shkaktohej. Prandaj, është e rëndësishme që Kosova të dëshmojë se janë zbatuar masa konkrete për vënien nën kotroll të këtyre rreziqeve dhe se janë arritur rezultate të prekshme, si në aspektin e parandalimit të migrimit të paligjshëm, ashtu edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimeve të rënda.

- Advertisement -

A mund të pritet që Franca ta vendosë në rend dite në Këshillin e Ministrave të BE-së çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën?

Marie Christine-Butel: Duke e pasur parasysh kontekstin ndërkombëtar, axhendat e Këshillave të ardhshëm ka të ngjarë të jenë të ngarkuara dhe disa vendime mund të jenë të vështira për t’u marrë nga shtetet anëtare.

Konkretisht, kjo do të thotë se, sa i përket liberalizimit të vizave, përfshirja në axhendën e Këshillit të BE-së nga Franca ose nga çdo shtet tjetër që do të udhëheqë Presidencën, mund të konsiderohet (parashihet/planifikohet), vetëm nëse ekziston siguria se shumica e kërkuar për një vendim të favorshëm është arritur.

Dialogu Kosovë – Serbi është një prej çështjeve në të cilën Franca ka pasur një angazhim aktiv, sidomos gjatë viteve 2019-2020, kur kishte një koordinim Macron-Merkel. I kujtojmë Samitin e Berlinit dhe atë të Parisit. Megjithatë, tashmë nuk ka përpjekje të tilla të tandemit Berlin – Paris për ta ndihmuar BE-në. A mund të pritet në të ardhmen diçka e ngjashme?

Marie Christine-Butel: Franca vazhdon të jetë shumë e përkushtuar për çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo e mbështet ndërmjetësimin e përfaqësuesit special të Bashkimit Europian, Miroslav Lajčák. Ajo e ka dëshmuar përkushtimin e saj duke organizuar, së bashku me Gjermaninë, dy samite më 2019 dhe 2020. Franca është gjithmonë e gatshme të punojë në këtë drejtim, sapo Kosova dhe Serbia të angazhohen për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe do të ofrojnë dëshmi konkrete të vullnetit të tyre për ta avancuar dialogun.
Aktualisht, dialogu Kosovë – Serbi ka ngecur. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, z. Borell, ka thënë se, për momentin, Kosova është duke shprehur mungesë dëshire për t’u ulur në tryezën e dialogut. A e keni pasur rastin te bisedoni me z. Kurti se pse po shfaqet ky refuzim për kthim në negociata dhe a e shihni si të rrezikshëm vazhdimin e status-quo-së?

Marie Christine-Butel: Dialogu nuk ka alternativë; është çështje sigurie dhe prosperiteti për Kosovën dhe Serbinë, për rajonin dhe për Europën në tërësi. Jam e bindur se të gjitha palët janë plotësisht të vetëdijshme për këtë.

Një prej çështjeve shumë të diskutuara është ajo e themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. A mendoni se duhet themeluar dhe cila është përgjigja juaj për ata që frikësohen për një “Republika Srpska” të dytë ?

Dhe, nëse Kosova nuk pranon ta themelojë ashtu siç e thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, si Francë, a keni pasur ndonjë herë ndonjë modalitet për çështjen e Asociacionit ose a mund të pritet që të propozoni ndonjë të tillë për atë se si të themelohet Asociacioni, në mënyrë që të mos ketë rrezik të përsëritet ajo çfarë po ndodh në Bosnjë e Hercegovinë?

Marie Christine-Butel: Sipas rregullave më të zakonshme të së drejtës ndërkombëtare, me nënshkrimin e dy marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, Kosova ka marrë përsipër t’i zbatojë ato si shtet sovran dhe i përgjegjshëm. Ndërkaq, dy marrëveshjet e nënshkruara u lënë shumë hapësirë ​​autoriteteve të Kosovës për të përcaktuar kornizën ligjore, statusin dhe mënyrën e funksionimit të këtij entiteti. Tashmë prej këtyre autoriteteve dhe vetëm prej tyre pritet që të bëjnë propozime në këtë drejtim. Por, në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë për komprometimin e funksionimit të duhur të institucioneve të Kosovës, as për krijimin e një “Republika Srpska” të re.

Marrëveshja finale Kosovë – Serbi, sipas jush, si do të duhej të dukej? A përjashtoni çfarëdo ndryshimi të kufijve dhe a duhet që brenda marrëveshjes finale të përfshihet edhe njohja reciproke Kosovë – Serbi?

Pra, BE-ja, kur flitet për finalen Prishtinë – Beograd, në vazhdimësi e thekson termin “marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht obligative” dhe nuk e përmend njohjen reciproke. Ndërkohë Uashingtoni e thotë qartë. A shihni rrezik, nëse nuk ndodh edhe njohja reciproke në kuadër të kësaj marrëveshjeje?

Marie Christine-Butel: Marrëveshja përfundimtare do të jetë rezultat i negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. U takon të dyja palëve që ta përcaktojnë përmbajtjen e saj sipas pikave për të cilat kanë mundur të bien dakord, me synimin të paktën që kjo marrëveshje të jetë gjithëpërfshirëse, përfundimtare dhe ligjërisht e detyrueshme.

Sipas jush, kur do te ishte ideale qe Kosova dhe Serbia të arrinin një marrëveshje finale dhe a besoni që mungesa e një afati kohor për palët po shkakton ngërç dhe vonesa në proces?

Marie Christine-Butel: Pas zgjedhjeve në Serbi në prill, do të jetë një periudhë dyvjeçare që Kosova dhe Serbia do të duhet ta shfrytëzojnë për të arritur një marrëveshje para zgjedhjeve evropiane në vitin 2024 dhe zgjedhjeve në Kosovë në vitin 2025. Nuk është e nevojshme të caktohen afate për të kuptuar se kur të shfaqet një mundësi e tillë, duhet ta shfrytëzosh atë dhe të bësh gjithçka për të arritur një rezultat./Express/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit