4.5 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Analisti amerikan, Hartwell: Vuçiq nuk ka vullnet për marrëveshje me Kosovën, dëshiron të përfitojë nga status quo

Rekomandime

Leon Hartwell, analist në Qendrën e Uashingtonit për Analizën e Politikave Evropiane (Center for European Policy Analysis), thotë arsyeja kryesore që po vazhdon kontesti mes Serbisë dhe Kosovës është se presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk është i gatshëm të mobilizojë mbështetjen për njohjen e sovranitetit të Kosovës. “Vuçiq mund t’i japë fund kontestit me Kosovën nesër, nëse do të kishte vullnet për ta bërë këtë, por nuk do ta bëjë këtë – sepse mendon se do të përfitojë prej status quo-s”, tha analisti amerikan.

Hartwell analizoi turneun ballkanik dhe qëndrimin në Prishtinë dhe Beograd të Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak, diplomatë të caktuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian për të monitoruar dhe ndërmjetësuar situatën në rajon.

- Advertisement -

Sipas tij, në opinion ekziston përshtypja se formimi i Asociacionit të Komunave me shhumicë serbe, që është një nga obligimet e autoriteteve të Kosovës me Marrëveshjen e Brukselit, është kusht i domosdoshëm për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi se kjo do të kontribuonte në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Pra, në njëfarë mënyre, Bashkimi Evropian i dha mundësinë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që t’ia lë barrën e dialogut kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Pra, që Vuçiq, si arsyetim për bllokadën aktuale të dialogut, ta ketë Kurtin se nuk po bashkëpunon. Mendoj se kjo nuk sjell dobi dhe nuk është shkaku kryesor i ngërçit [në dialog]”, tha Hartwell, në një intervistë për Zërin e Amerikës (edicioni në gjuhën serbe), transmeton Telegrafi.

Ai po ashtu e vë në dukje se derisa Bashkimi Evropian fajëson Kosovën për mungesën e progresit në dialog, publiku hesht për autoritarizmin gjithnjë e më të theksuar të presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

- Advertisement -

Intervista e plotë e Leon Hartwell:

A keni përshtypjen se përpjekjet e Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd do ta lëvizin dialogun nga ngërçi?

- Advertisement -

Hartwell: Këto vizita sigurisht që do ta rifillojnë dialogun, por nuk janë të garantuara rezultate domethënëse në të ardhmen. Megjithatë, progresi do të varet nga vullneti politik i palëve për t’i dhënë fund kontestit. Jam i shqetësuar që ndërmjetësit kanë qasjen se çdo bisedë është më e mirë se mos të ketë fare. Megjithatë, kur palët negociuese takohen pa përparim të dukshëm, kjo rrezikon besueshmërinë e të gjithë procesit. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të fokusohen në lëvizjen e bisedimeve jashtë tavolinës për të ndihmuar në përfundimin e mosmarrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës.

A mund të shihet vizita e tyre, në një farë mënyre, si një lloj paralajmërimi për mungesën e progresit?

Hartwell: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon që nga viti 2011 pa epilog. Sigurisht, Bashkimi Evropian është i frustruar me dialogun, por armiqësia nuk mund të ndalet me shtypjen e një butoni. Kjo mund të bëhet brenda procesit dhe kërkon kohë.

Cila mendoni se është arsyeja e ngërçit të fundit në dialog, që po vazhdon prej disa muajsh?

Hartwell: Arsyeja kryesore që vazhdon kontesti mes Serbisë dhe Kosovës është se presidenti Aleksandar Vuçiq nuk është i gatshëm të mobilizojë mbështetjen për njohjen e sovranitetit të Kosovës. Vuçiq mund t’i japë fund kontestit me Kosovën nesër, nëse do të kishte vullnet për ta bërë këtë, por nuk do ta bëjë – sepse mendon se do të përfitojë prej saj. Ai duket i kënaqur me status quo-në aktuale.

Cilat janë përgjegjësitë për zvarritjen e procesit nga pala serbe dhe nga pala kosovare?

Hartwell: Pavarësisht listës së gjatë të çështjeve të hapura të diskutuara në dialog, kontesti përfundimisht ka të bëjë në dy çështje themelore: sovranitetin dhe sigurinë – të cilat janë të lidhura ngushtë. Serbia ka një avantazh, sepse Kosova nuk ka shumë për të ofruar në tryezën e bisedimeve. Nëse Vuçiq mobilizonte opinionin për të mbështetur njohjen e Kosovës, kjo do të zgjidhte të dyja çështjet – sovranitetin dhe sigurinë – dhe do të hapte derën për ndërtimin e marrëdhënieve të forta midis dy vendeve dhe popujve të tyre.

Çfarë duhet të bëjë Serbia për të kontribuar në përparimin e mundshëm?

Hartwell: Rreth dy të tretat e serbëve nuk e mbështesin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, qëndrimet nuk janë të gdhendura në gur. Presidenti i Serbisë mund të fshihet pas mungesës së mbështetjes në Serbi për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nga ana tjetër, ai mund të luajë një rol transformues dhe të nxisë mbështetjen për të. Udhëheqësit e vërtetë ndërmarrin hapa të guximshëm për të mbështetur një të ardhme më të ndritshme për njerëzit e tyre.

A mund të pritet që në këtë kohë Kosova të formojë një Asociacionin e Komunave me shumicë serbe?

Hartwell: Kosova heziton ta pranojë [Asociacionin], sepse Gjykata Kushtetuese në vitin 2015 konstatoi se nuk ishte në përputhje me Kushtetutën. Po ashtu, ka frikë se kjo do të kontribuonte në konfigurimin e diçkaje të ngjashme me ‘Republika Srpska’ brenda kufijve të Kosovës. Ekziston frika se kjo do të kontribuonte në destabilitet jo vetëm në Kosovë – por edhe në rajon. Administrata e kryeministrit Kurti është e përkushtuar për demokraci multikulturore. Kjo nënkupton fuqizimin e të drejtave të pakicave në krahasim me krijimin e entiteteve të veçanta administrative të grupeve të ndryshme në Kosovë.

A mendoni se të dy palët kanë kapacitet për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme në një të ardhme të parashikueshme?

Hartwell: Zgjidhja e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është më shumë çështje politike sesa ligjore. Nëse ka pengesa ligjore në rrugën e zgjidhjes, të dyja palët, pavarësisht mosmarrëveshjeve, mund të jenë të gatshme të ecin drejt një të ardhmeje paqësore dhe të prosperuese. Në atë rast do të gjendej mënyra për të ecur në atë drejtim.

Sa larg janë palët në proces dhe kur mendoni se mund të ndodhë diçka e tillë?

Hatrwell: Nuk mendoj se është e dobishme që BE dhe SHBA po bëjnë presion më të madh mbi palët për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut. Duket se kontesti nuk është gati për t’u zgjidhur për momentin. Mendoj se përtej tryezës së bisedimeve, duhet të punohet në zgjidhjen e pengesave që ngadalësojnë përparimin në procesin e negociatave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Çfarë do të thoshte zgjidhja e kontestit për Kosovën dhe Serbinë dhe gjithë rajonin?

Hartwell: Qytetarët e të dy vendeve do të përfitonin më së shumti nga përfundimi i kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit