10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Analisti nga Amerika: Kushtetuta ndryshohet, SHBA e ndryshoi disa herë

Rekomandime

Analisti i njohur nga diaspora, Uk Lushi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook pas deklaratave të Albin Kurtit gjatë vizitës në Lezhë.

- Advertisement -

Pasi që Kurti ka thënë se bazuar në Kushtetutën e Kosovës, bashkimi me Shqipërinë është i pamundur aktualisht, Lushi ka thënë se ekziston mundësia e ndryshimit të Kushtetutës.

Shkrimi i Uk Lushit:

Askund nuk do të dëshmojmë ne shqiptarët se jemi komb i aftë dhe pjekur si në ekzekutimin e vullnetit tonë demokratik. Pra në ndryshimin e Kushtetutës, sepse një Kushtetutë që nuk mund ndryshohet nga konstituentët nuk mund të jetë Kushtetutë e konstituentëve.

- Advertisement -

E kam fjalën për Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtën e shtetit të Kosovës të bashkohet me kë të dojë; po deshi. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, për ata që nuk e dinë, bashkimin e ka obligim kushtetues.

Bashkimi potencial mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, nëse dhe kur do të bëhet, do të bëhet në faza. Mund të merr disa dekada dhe mund të realizohet pa prekur konturat shtetërore të të dy shteteve.

- Advertisement -

Qëllimi primar i Prishtinës dhe Tiranës është dhe duhet të jetë që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s dhe OKB-së deri më 2025.

Por, nëse realizohet apo edhe nuk realizohet ky qëllim, deri më 2025, dy shtetet duhet të integrojnë dhe unisojnë sektorët e arsimit, edukimit dhe sportit.

Prej 2025 deri më 2026, duhet të integrohen dhe unisohen sektorët e energjisë, turizmit, bankingut dhe diplomacisë.

Deri në Zgjedhjet Qendrore 2025 përfaqësuesit e popullit në Kuvendet në Prishtinë dhe Tiranë zgjedhen si deri më tash.

Më 2026 krijohet Senati i Unionit dhe proporcionalisht zgjedhen 100 delegatë direkt nga populli.

Senati i Unionit përcakton Metropolisin Prizren-Kukës, si seli e Unionit. Fillon bartja dhe formimi i institucioneve federative në selinë e re.

Më 2030 Unioni zgjedh Presidentin e Përbashkët. Senati i Unionit dhe Presidenca përgatisin terrenin për Qeverinë e Përbashkët më 2035 ose 2040, por ruhet struktura federative duke krijuar 5 republika në Unionin Federal: në Republikën e Shqipërisë krijohen 3 republika dhe Republikën e Kosovës 2.

Ky skenar është i kushtëzuar nga (mos) pranimi i Kosovës në OKB, deri më e largëta 2025, dhe në BE, deri më e largëta 2030.

Gjasat nuk janë maksimale që anëtarësimi në OKB dhe në BE të ndodhin deri më 2030 pa angazhimin e sinqertë dhe pa ekuivoke të fuqive të mëdha, prandaj ne nuk mund rrimë duarkryq dhe nuk mund vazhdojmë të besojmë se të tjerët do të kenë interesin tonë vital prioritet para neve.

Duhet sqaruar që bashkimi potencial Kosovë-Shqipëri nuk është bashkim kombëtar sepse ky bashkim nuk kërkon as ndarjen e Maqedonisë Veriore, as të Malit të Zi dhe as të Greqisë. Përkundrazi forcon shqiptarët në to dhe stabilizon këto vende.

Si rezultat i projeksioneve të mësipërme, Ballkani bie në balans afatgjatë dhe shqiptarët minimizojnë rrezikun të jemi refugjatë përsëri në të ardhmen.

Ky bashkim i ngadalshëm natyror absorbon dallimet nga ndarja historike, jep kohë të gjenden zgjidhjet dhe zgjedhjet më optimale që rrjedhin nga avantazhet komparative që na i ka dhënë natyra në krejt gjeografinë mes dy shteteve dhe ky bashkim në hapa krijon mirëqenie dhe paqe.

Prandaj, nuk është e pranueshme nga liderët tonë të thuhet që Kushtetuta e Kosovës nuk na lejon bashkimin. Kushtetuta duhet të ndryshohet e përshtatet vullnetit popullor. Përshtatja e Kushtetutës vullnetit të popullit është detyrim kryesor që e kanë liderët kur i zgjedhim. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndryshuar Kushtetutën me dhjetëra hera. Sepse ashtu ka dashur populli amerikan. Kjo duhet të ndodhë edhe kur do populli i Kosovës.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit