3.1 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Anëtarësimi i shpejtë në NATO e BE, eurodeputetja ia “shuan” shpresat kosovarëve

Rekomandime

Deputetja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, i ka “shuar” shpresat e Kosovës për anëtarësim me procedura të përshpejtuara në Bashkimin Evropian dhe NATO. Megjithatë, është shprehur optimiste për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës, pas pezullimit të Rusisë. Ndërkohë e quajti irrituese protestën e mbrëmshme në Beograd në përkrahje të agresionit rus në Ukrainë.

Në ditën e fundit të qëndrimit në Kosovë, përmes një konference për medie, Von Cramon, tha se fillimisht Kosova duhet të marrë liberalizimin e vizave, të ketë dialog të suksesshëm me Serbinë dhe pastaj të fillojë rrugën normale të integrimit evropian.

- Advertisement -

Ajo i bëri thirrje krerëve institucional në Kosovë dhe rajon që mos t’i ngritin pritjet e qytetarëve.

“Nuk shoh se ka ndonjë procedurë të përshpejtuar për këdo këtu. Por prapë duhet të Iuftojme për ju sa i përket liberalizimit të vizave, ky është hapi i parë. Pastaj duhet të kemi dialog të suksesshëm, ky është hapi i radhës dhe pastaj mund të fillojmë rrugën normale të integrimit evropian. Nuk shoh se ka një shumicë, ndoshta e kam gabim dhe nuk e kam llogaritur mirë, por sa ka dëgjuar deri tani do të ndjekim gjendjen në Kosovë dhe pesë vendet tjera në Ballkanin Perëndimor shumë afër dhe të jemi në kontakt të ngushta me të gjithë. Por që të kemi një proces të përshpejtuar i cili do të mbështetej nga Këshilli dhe nga shumica e kryeqyteteve nuk kam dëgjuar për këtë gjë. Do t’i kërkoj secilit këtu në Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që mos të rrisin pritjet e popullatës së vet, pastaj se në fund duhet të jemi ne ata që e qartësojmë këtë dhe do të duket si zhgënjim për secilin”, tha ajo.

Mirëpo, tha se Kosova ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe tash është një mundësi e mirë, pas pezullimit të Rusisë.

- Advertisement -

“Mendoj se kjo është një mundësi e mirë për të dëshmuar dhe treguar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet kryesore për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Meqenëse një prej kundërshtueseve (Rusia) më të mëdha të këtij anëtarësimi është pezulluar, mendoj se do mund të gjenim shumicën për aplikimin e Kosovës. Shpresoj se do të gjejmë një mënyrë ku ka një shumicë të gjerë që do të fitojmë dhe ajo të kuptoj këtë si kontribut për paqen dhe stabilitetin në Evropë”, shtoi ajo.

Krahas këtyre, raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, tha se protesta e mbrëmshme në Beograd për të përkrahur agresionin rus në Ukrainë ishte irrituese.

- Advertisement -

“Kemi parë protestat në mbështetje të Rusisë që kanë qenë jashtëzakonisht irrituese për neve kur i shikuam mbrëmë. Por sidoqoftë kur flet me njerëzit në veri të Kosovës me popullatën serbe atje, ata nuk duan tensione. Nuk kanë asnjë interesim që të ketë ndonjë provokim nga ana e tyre. Prandaj konsideroj se çdo dialog duhet të shtrihet deri tek njerëzit dhe mos të shihet si ndonjë aktivitet politik”, theksoi ajo.

Deputetja e Parlamentit Evropian dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon, qëndroi në Kosovë përgjatë tri ditëve, ku u takua me krerë institucional dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit