2 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Arsyet se pse autostradat e Kosovës janë pa pagesë

Rekomandime

Autostradat në Kosovë vazhdojnë të jenë pa pagesë, kurse ato mirëmbahen nga buxheti i shtetit. Në buxhetin e Kosovës për vitin 2021, për mirëmbajtjen e rrugëve janë ndarë mbi 19 milionë euro. Ndërkohë, pagesa e udhëtarëve në autostradat në Evropë, por edhe në rajon, tashmë është një rregull i zakonshëm.

Vënia e taksave për shfrytëzimin e autostradave, në të kaluarën ishte thënë se do të bëhet për arsye të menaxhimit dhe mirëmbajtjes nga sektori privat, për shkak të kostove të papërballueshme për buxhetin e shtetit.

- Advertisement -

Por, tetë vjet nga lëshimi në qarkullim i autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë dhe dy vjet nga përfundimi i autostradës që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, në to qarkullohet pa pagesë.

Lidhur me procesin e dhënies me koncesion të autostradave, Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë të ditur për publikun ndonjë plan të detajuar.

Ministria e Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me këtë çështje.

- Advertisement -

Eksperti i komunikacionit, Nol Dedaj, thotë se kriteret teknike të autostradave në Kosovë nuk janë plotësuar dhe nuk mund të bëhet përcaktimi i pagesës për autostradë.

“Autostradat tona ende nuk janë të pranuara teknikisht, nuk i plotësojnë të gjitha kriteret, pasi që iu mungojnë pushimoret. Nuk mund të bëhet një pagesë, për shembull 3 euro, derisa drejtuesi i automjetit nuk ka ku të ndalet të pushojë për nevoja të veta. Këto janë elementet teknike që ne i përkufizojmë tek autostradat. Këto janë detaje dhe kritere që nuk janë plotësuar”, thotë Dedaj për Radion Evropa e Lirë.

- Advertisement -

Ndërtimi i urës më të gjatë në rajon

Që nga paslufta e deri në vitin 2020, janë bërë investime kapitale në ndërtimin e rrugëve në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vend janë 137 kilometra autostradë.

Dy autostradat e Kosovës u ndërtuan me buxhetin e shtetit

Autostrada që lidh Kosovën më Shqipërinë, e quajtur “Ibrahim Rugova”, ka kushtuar mbi 700 milionë euro. Ndërkaq, autostrada Prishtinë –Shkup, e quajtur “Arbën Xhaferi”, me gjatësi prej 55 kilometrash, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës 600 milionë euro.

Të gjitha vendet e rajonit kanë një taksë specifike për autostradat, taksë e cila shërben për mirëmbajtjen e rrugës. Kjo taksë ndryshon nga shteti në shtet.

Autostradat me pagesë në rajon

Sipas faqes zyrtare tolls.eu, e cila tregon të gjitha çmimet që duhet të paguhen në çdo autostradë në vendet e rajonit dhe me gjerë, çmimet e taksës për autostradë, përcaktohen sipas lartësisë së automjetit.

Në Shqipëri, në autostradën, Milot – Morinë, që njihet si “Rruga e Kombit”, e që ka gjatësi prej 128 kilometrash, pagesa për motoçikleta është 2.50 euro, ndërsa për vetura 5 euro. Autostrada Beograd – Preshevë, me gjatësi 350 kilometra, për motoçikleta kushton 6.2 euro, ndërsa për vetura, taksa është 12.4 euro.

Për autostradat në Maqedoninë e Veriut, çmimet fillojnë nga 1.3 euro deri në 4.36 euro, varësisht nga kilometrat e autostradës.

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili drejtoi këtë ministri më 2018- 2019, në qeverinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se kishin nisur ta bënin një studim të fizibilitetit, por që kishte mbetur në gjysmë.

Autostradat, thotë ai, kishin menduar t’i bënin me pagesë, pasi që ato duhet të mirëmbahen.

“Çdo shtet që pretendon që të ketë një zhvillim ekonomik apo zhvillim të korridoreve, duhet të investojë në infrastrukturë. Por, ajo që vlen të theksohet është që infrastruktura duhet të mirëmbahet. Unë kam menduar që autostradat të bëhen me pagesë, por pas dorëheqjes së Qeverisë Haradinaj, ky proces ka ngecur”, thotë Lekaj.

Vetëm 3.4 për qind e rrugëve, të paasfaltuara

Infrastruktura rrugore, kryesisht ka mbizotëruar investimet në Kosovë këto vitet e fundit. Përveç autostradave, investime të mëdha janë përqendruar edhe në ndërtimin e rrugëve lokale e magjistrale.

Përqindja më e madhe e buxhetit të Kosovës, zakonisht ishte ndarë pikërisht për ndërtimin e autostradave.

Kosova ka një infrastrukturë të mirë rrugore. Sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës të vitit 2020, nga gjithsej 2,378.7 kilometra rrugë, 2,210.7 kilometra apo 96.6 për qind janë rrugë të asfaltuara, ndërsa 81 kilometra apo 3.4 për qind e rrugëve janë të paasfaltuara.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit