1.5 C
Pristina
Tuesday, December 17, 2024

Atentati ndaj Presidentit – Tek kush dyshonte Rugova, si e shihte sulmin?

Rekomandime

Pavarësisht ngjarjes së rëndë, tronditëse, sulmit që i kishte mbijetuar vetëm disa minuta më parë, e kishte mbajtur takimin me Solanën, dhe deklaronte shprehimisht brengën e tij, se dikush donte ta destabilizonte Kosovën.

Në mars të vitit 2005 në një sulm tipik terrorist u shpërthye një sasi e jashtëzakonshme tritoli në Prishtinë, që kishte për qëllim ta vriste presidentin Ibrahim Rugova.

- Advertisement -

Presidenti Rugova, ishte duke udhëtuar me eskortën e tij nga Velania për në Presidencë, ku do të takohej me Përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Havier Solanën, me të cilin përveç tjerash njihej prej kohësh, qoftë gjatë diplomacisë para luftës në Kosovë, qoftë sa ishte në detyrën e Sekretarit të NATO-s.

Cak, vrasja e Rugovës dhe destabilizimi i Kosovës!

“Kjo që ndodhi sot, për fat të keq, dhe falë Zotit shpëtova edhe njëherë, e dini kam pasur mjaft këso, tash një vit në Shtëpinë time, ky nuk është rasti i vetëm”, ka deklaruar atë ditë presidenti Rugova pas takimit me Solanën, mjaft i shqetësuar.

- Advertisement -

Pavarësisht ngjarjes së rëndë, tronditëse, sulmit që i kishte mbijetuar vetëm disa minuta më parë, e kishte mbajtur takimin me Solanën, dhe deklaronte shprehimisht brengën e tij, se dikush donte ta destabilizonte Kosovën, dhe sigurisht që donte që shqiptarët ta kuptonin seriozisht.

- Advertisement -

“Për fat të keq ende ka element, ende ka njerëz që duan ta destabilizojnë Kosovën”, thoshte Rugova në Presidencë.

Pra, vetë presidenti Rugova e konfirmonte se ka qenë cak i sulmeve të vazhdueshme.

Por, është me shumë rëndësi të analizohen, përkatësisht të dekodohen mesazhet tjera të këtij deklarimi të shkurtër në video, që ai i jep.

Rugova thekson se kjo është përpjekje e njerëzve që duan ta destabilizojnë Kosovën.

Por, për ata që i kanë të qarta mesazhet e shkurtra të Ibrahim Rugovës, në secilin prej tyre, thuaja ka përdorur shënjues-koncepte, që dallojnë prej të tjerëve.

Një nga karakteristikat e akuzave të tij, ndaj bashkëpunëtorëve të Serbisë, ka qenë fjala ‘element’, të cilën ai ua ka atribuuar atyre.

Kjo shprehje është përdorur edhe nga të tjerët, dhe thuaja pa dallime ideologjike. Por, në pikëpamjen e shprehjes së akuzave, cilësori ‘element’, është përdorur për t’i dhënë ngjyrim, më saktë përkatësi se origjina e tij është nga Serbia, dhe i përket më tej, shërbimit inteligjent të saj.

Pra, Rugova, e thotë këtë pa hezitim, se ka dy subjekte të interesuara në atentatin ndaj tij: njerëz dhe elemente.

Në këtë rast emri njerëz është përdorur në kuptimin pezhorativ, të një grupi që nuk ka qëllime të mira, e që nga konteksti, – sulmi me tritol- tregon ndërlidhjen e tyre me krimin.

Dhe subjekti i dytë është, grupimi i elementeve, në këtë rast si e shpjeguam më sipër, ata që përfaqësonin apo kryenin vepra në dobi të shtetit serb.

Pra, Rugova në një mënyrë këtë e shihte si një bashkëdyzim, të ‘njerëzve dhe elementeve’, pra një bashkëveprim.

Pra, ai me njerëz nënkuptonte qartë grupim apo strukturim, të disave, që ishin të përfshirë në politikë dhe kishin qëllime jo të mira, ndaj tij gjithsesi, duke e shprehur vetë se ishte subjekt i sulmeve të vazhdueshme, me vite.

Për të mos folur me ‘gojën’ e Rugovës, si do të thoshte Zheneti, unë mendoj se ai aludonte se këta njerëz ishin figura të PDK-së, dhe të njerëzve që mund të shtriheshin edhe në ndonjë parti tjetër.

Bashkëveprimi i politikanëve të Kosovës me ‘elementet’ e Serbisë

Sipas mesazheve të Rugovës, ai e shihte një rast të ndërlidhur nga njerëz dhe elemente që dëshironin destabilizim. Pra, ai e shihte një bashkëpunim ndërmjet tyre, ose të paktën një konkordancë shumë negative, ‘të njerëzve’ me ‘elementet’, që së bashku po e goditnin fatin e Kosovës.

Por, edhe siç thoshte Rugova, ky sulm dhe sigurisht përpjekjet tjera kishin për qëllim destabilizimin e vendit.

Me destabilizimin e vendit ai e kishte të qartë, se Kosovës i dëmtohej imazhi, dhe më keq, shtyhej momenti i shumëpritur edhe nga ai, njohja ‘de jure’ e pavarësisë së Kosovës, sepse ‘de fakto’ ajo ekzistonte. Dy koncepte të tij, që në vazhdimësi i ka përdorur në fjalime politike dhe në takime zyrtare me ndërkombëtarët.

Po ashtu, kur thoshte para një viti, ai ndërlidhte dy ngjarje, apo dy raste, sulmin ndaj tij, por edhe trazirat e marsit, të cilat kishin shkaktuar dëme të mëdha politike.

Bazuar në kodimin që përdorte Rugova, përveç se kemi arritur njohjen formale, Kosova ende është peng, i ‘njerëzve’ dhe ‘elementeve’, këtij bashkëpunimi dhe bashkëdyzimi fatkob.

Sapo e kemi përjetuar edhe një skenar dhune makabër, si ngjarja në Gllogjan, me tendencë, destabilizimin e vendit!

Po e mbyllim me deklaratën e dhënë gati 16 vjet më parë, presidenti i parë i Kosovës së lirë, Dr.Ibrahim Rugova: ‘Për fat të keq ende ka element, ende ka njerëz që duan ta destabilizojnë Kosovën”!

 

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit