3.8 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Auditori gjen shkelje në pasqyrat financiare të PDK-së

Rekomandime

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitet 2016 dhe 2017 ka gjetur disa shkelje sa i përket pasqyrave financiare në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Preportr ka bërë kërkuar dy herë takim me zyrtarët e kësaj partie për të diskutuar mbi gjetjet a auditimit dhe të marrë përgjigje lidhur me këto gjetje, por përkundër insistimit, kjo parti nuk ka shprehur gatishmëri t’u takuar e as për të na kthyer përgjigje.

- Advertisement -

Sipas raportit të auditimit për vitin 2016, PDK ka deklaruar pasuri afatgjatë në vlerë 50 mijë e 74 euro, me 31 Dhjetor 2016. Duke pasur parasysh evidencën e mangët që ka prezantuar ky subjekt politik dhe në mungese te dokumentacionit mbështetës, auditori nuk ishte në gjendje, duke aplikuar procedurat standarde e ato alternative të auditimit, të përfitojë një siguri të arsyeshme në lidhje me tërësinë, ekzistencën dhe saktësinë e vlerës 15 mijë e 283 euro.

Gjetja tjetër thotë se subjekti politik ka deklaruar detyrimet tjera në vlerë 57 mijë e 949 euro me 31 dhjetor 2016 dhe se në mungesë të konfirmimeve nga palët e treta, auditori nuk ishte në gjendje të përfitojmë një siguri të arsyeshme në lidhje me tërësinë, ekzistencën dhe saktësinë e vlerës 30 mijë e 36 euro.

“Subjekti Politik PDK, nuk ka mirëmbajtur një kontabilitet te mirëfilltë për t’i mundësuar regjistrimin e transaksioneve financiare dhe përgatitjen e pasqyrave financiare konform standardeve të kontabilitetit të aplikueshme në Kosovë”, është gjetja e radhës për vitin 2016.

- Advertisement -

Gjatë auditmit është gjetur se PDK i ka kryer pagesa një marrësi të vetëm në vlerë mbi 5 mijë euro brenda një dite, e që është në kundërshtim me kërkesat ligjore të “Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit”. E njëjta shkelje është përsëritur edhe në vitin 2017.

Në raportet e auditimit për vitet 2016 dhe 2017 thuhet se PDK në blerjet e kryera nuk ka aplikuar ndonjë procedure të tenderimit e cila do të mundësonte një shfrytëzim sa më efikas, me kosto ekonomike, transparente dhe të drejtë të fondeve të subjektit politik.

- Advertisement -

Gjithashtu në raportet për dy vitet e lartcekura thuhet se ky subjekt politik nuk ka respektuar kërkesat ligjore në lidhje me publikimin e raporteve financiare vjetore dhe të fushatës sipas ligjit.

“Gjatë auditimit tonë ne kemi vërejtur që të shpenzimet e reprezentacionit, në disa raste subjekti politik nuk ka dokumentacion relevant mbështetës, përveç faturave, që do mund të arsyetonin dhe mbështetnin shpenzimin e ndodhur”, thuhet në raportin e auditimt për vitin 2016.

Nuk ka arsyeshmëri për shpenzimin e 150 mijë eurove

Sipas raportit të auditmit për vitin 2017 PDK ka deklaruar shpenzime në kategorinë “shpenzimet e ndryshme” vlerën prej 554 mijë e 876 euro. Në raport thuhet se në mungesë të dokumentacionit mbështetës auditorët nuk ishin në gjendje, duke aplikuar procedurat standarde dhe alternative të auditimit, të përfitojnë një siguri të arsyeshme në lidhje me tërësinë, ekzistencën ‘dhe saktësinë e shpenzimeve në vlerë 150 mijë e 6 eurove të paguara direkt tek partneret e koalicionit.

“Furnitorët në vlerë prej 590 mijë e 704 euro dhe detyrime të tjera afatshkurtra në shumën prej 212 mijë e 71 euro me 31 dhjetor 2017, në mungesë të konfirmimit nga palët e treta, në mungesë të dokumenteve mbështetëse, duke përdorur standarde dhe alternative procedurat e auditimit, nuk ishin në gjendje të siguronin siguri të arsyeshme në lidhje me tërësinë, ekzistencën dhe saktësinë e llogarive të pagueshme në datën e raportimit”, thuhet në gjetjen e radhës së auditimit.

Tutje, raporti thotë se PDK nuk e ka të definuar me statut, mundësinë e ushtrimit të kontrollit të brendshëm financiar të saj dhe të drejtën e anëtarëve për t’u informuar për të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e subjekteve politike si dhe për përgjegjësinë e organit gjegjës për transaksione financiare, ashtu siç parashihet ne ligj.

Klientelizmi i PDK-së

Raporti i Partisë Demokratike të Kosovës, me bizneset është ndërtuar mbi një lidhje shumë të ngushtë të klientelizmit. Biznese e individë të ndryshëm japin para gjatë fushatave zgjedhore për partinë apo individë brenda saj dhe si kundër shpërblim përfitojnë tenderë në mënyrë selektive. Ky lloj i marrëdhënies shtrihet në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në atë qendror ashtu edhe në atë lokal, dhe prekë shumë institucione.

Me ta marrë pushtetin, Partia Demokratike e Kosovës shpërbleu kompaninë B2, e cila kishte punuar për fushatën zgjedhore të kësaj partie për zgjedhjet nacionale 2007. Partia Demokratike e Kosovës, vetëm pas disa javësh të marrjes së pushtetit, pa shpallur tender, pati shpërblyer këtë kompani me fondin për festën e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008 me shumën prej 562 mijë euro.

Por, ky ishte vetëm fillimi i një marrëdhënieje të ndërlikuar në mes donatorëve dhe PDK-së. Gjatë shtatë viteve në pushtet, PDK-ja ka dhënë tenderë për financuesit e saj në vlerë prej qindra miliona eurosh.

Në total, hulumtimi i Preportr ka mundur të identifikojë që 52 subjekte që kanë financuar PDK-në, si persona fizikë ose si persona juridikë, kanë marrë nga institucionet publike 325 tenderë, vlera e të cilëve arrin në 162,517,080 euro.

Preportr u ka dhënë theks të veçantë dy ministrive (Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Transportit, tash Ministra e Infrastrukturës) që për periudhën 2007-2014, kanë pasur buxhet më të madh se institucionet tjera. Nga këto institucione, Preportr ka shkarkuar të gjitha kontratat e nënshkruara për vitet e lartpërmendura nga të cilat ka dalë që disa nga donatorët e PDK-së kanë marrë 109 tenderë në vlerë 128,641,328 euro.

Preportr gjithashtu ka bërë edhe një kërkim shtesë bazuar në një mostër të rastit me disa institucione tjera (kuvende komunale, kompani publike dhe institucione tjera publike) rreth përfitimeve të financuesve të PDK-së. Hulumtimi ka gjetur se bizneset që kanë financuar PDK-në kanë marrë nga këto institucione 216 tenderë, në vlerë totale 33,875,752 euro.

Gjatë viteve 2009-2012 PDK-ja ka marrë nga bizneset ose nga pronarët e tyre 333,460 mijë euro në formë donacioni, përderisa disa prej tyre kanë marrë tenderë në vlerë prej mbi 162 milionë euro.

Shkrimi është publikuar fillimisht në Çohu.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit