5.8 C
Pristina
Friday, December 20, 2024

Auditori: Këto janë ndërmarrjet publike në Kosovë që rrezikojnë falimentimin

Rekomandime

Realizimi i buxhetit të shtetit edhe këtë vit është përcjellë me mangësi të ndryshme. Mangësi këto, që përveç institucioneve shtetërore kanë rezultuar edhe te disa nga ndërmarrjet publike, të cilat gjatë vitit 2018 u karakterizuan në masë të madhe me humbje në operimet e tyre, apo cilësi jo të mirë në sistemet financiare të tyre, keqdeklarime të llogarive, si dhe keqmenaxhim në fondet publike, përcjell Buletini Ekonomik.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, gjendje veçanërisht të keqe kanë treguar Posta e Kosovës dhe Telekomi i Kosovës gjatë vitit 2018.

Posta dhe Telekomi i Kosovës përveç që kanë operuar me humbje prej 18 milionësh, kanë gjithashtu edhe detyrime të shumta afatshkurtëra në shumë prej 60 milionë eurosh.

- Advertisement -

Në pozitë po aq të keqe sa edhe dy ndërrmarrjet publike të përmendura më sipër, është edhe KRU Hidroregjioni Jugor në Prizren, i cili ka mbi 16 milionë detyrime afatshkurtëra dhe afatgjata.

Mbrapa s’mbeten as Hekurudhat e Kosovës – Trainkos, të cilat kanë mbi 5 milionë detyrime të tilla.

E sipas Auditorit të Përgjithshëm këto trende negative financiare sidomos në këto dy kompanitë e fundit, jo vetëm që rrezikojnë shërbimet që ofrohen prej tyre, por ato rrezikojnë edhe një numër të konsiderueshëm të punëtorëve që punojnë aty dhe që kushtimisht janë të varur financiarisht nga ekzistenca e këtyre kompanive.

- Advertisement -

“Mungesa e planeve strategjike, llogaridhënies menaxheriale, raportet e mangëta tremujore, ndarja e detyrave jo adekuate, mungesa e publikimeve të rregulloreve, raporteve dhe informatave të nevojshme për qëllime të transparencës, auditime të brendshme jo efektive, dhe prezantime jo të sakta të transaksioneve dhe të zërave të pasqyrave financiare”, janë vetëm disa nga proceset ekzistuese të planifikimit të buxhetit sipas ZKA-së, e të cilat tregojnë se ndërrmarrjet publike në fjalë nuk kanë treguar efikasitet në punët e tyre.

E në rast të dështimeve, Auditori thekson se “Tendenca për t’i hedhur përgjegjësitë e dështimeve herë tek menaxhmenti, herë tek Bordet drejtuese, nuk e ndihmon daljen nga situata e vështirë e ndërmarrjeve publike”.

- Advertisement -

“Qeveria përgjatë viteve ka ndihmuar në mënyrë permanente me subvencione disa prej tyre, por vendosja e veprimtarisë së tyre në baza të qëndrueshme, nuk duket se do të ndodhë së shpejti, dhe nëse nuk merren masa të menjëhershme që situata të përmirësohet, barra e dështimeve do të rëndoj edhe mbi Qeverinë, por edhe mbi komunat”, thuhet më tutje në këtë raport të auditimit për vitin 2018.

Prej njëmbëdhjetë ndërmarrjeve publike që janë audituar për 2018-tën, gjashtë prej tyre kishin prezantuar rezultat negativ financiar, që në total paraqesin humbje prej 19 milionë e 802 mijë e 288 euro, ndërsa pesë ndërmarrjet tjera kishin prezantuar rezultat pozitiv financiar, me një fitim total prej 529 mijë e 880 euro.

E pjesën dërrmuese të humbjeve prej mbi 18 milionësh e përbëjnë dy nga ndërmarrjet më fitimprurëse dikur në vend, si Telekomi dhe Posta e Kosovës.

Të gjitha ndërmarrjet publike së bashku, kanë mbi 73 milionë detyrime afatshkurtra të financimit, dhe mbi 71 milionë detyrime afatgjata.

Ndonëse aftësia e kthimit të këtyre detyrimeve është mjaft e pasigurt, për shkak se shuma e humbjeve është mjaft e lartë, ato që kanë pasqyruar rezultate pozitive, fitimet e tyre sipas Auditorit janë shumë të ulta për të qenë në gjendje t’i financojnë edhe aktivitetet e rregullta operative, por edhe për t’i kthyer kreditë afatshkurtra brenda afateve të përcaktuara.

Pasi që struktura e financimit të këtyre ndërmarrjeve është mjaft e pavolitshme për shkak se mbi 73 milionë janë obligime afatshkurtëra që duhen kthyer brenda një viti, ekziston rreziku real që këto ndërmarrje të mos jenë në gjendje t’i përmbushin këto detyrime, e të falimentojnë.

Ndërkaq, sa i përket performancës së Bordeve Drejtuese të këtyre ndërmarrjeve publike, Auditori thekson se ato nuk kanë arritur të vendosin politika reformuese dhe strategji të qarta për tejkalimin e gjendjes aspak të mirë në mjediset ku veprojnë. Prandaj, në kushte të tilla, përfshirja më aktive e Qeverisë në zgjidhjen e problemeve është nevojë e pa kapërcyeshme.

Ndryshe, Ndërmarrjet publike në vend kanë detyrime ndaj shtetit përmes kredive në vlerën e 10 milionë e 876 mijë eurove. /Buletini Ekonomik/

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit