1.4 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Babai kërkon ndihmë për gjetjen e Nakshije Kodrollit, e zhdukur prej 11 vjetësh

Rekomandime

Një vajzë nga Obiliqi është raportuar e zhdukur prej qershorit të vitit 2008. Asnjë informacion s’iu është dhënë familjarëve. Në kohën kur ishte larguar nga shtëpia, Nakshije Kodrolli kishte qenë 26 vjeçe. Policia dhe Prokuroria kanë dështuar ta zbardhin këtë rast. Babai i saj, Sabiti, kërkon ndihmën e të gjithëve për ta gjetur të bijën

- Advertisement -

Sabit Kodrolli, 68 vjeçar nga Obiliqi, s’ka lënë vend në Kosovë e Shqipëri pa e kërkuar të bijën e tij, Nakshijen, e humbur para njëmbëdhjetë vjetësh. Por, asnjë informacion s’e ka marrë se ku ndodhet vajza e tij.

Në një rrëfim për Gazetën Express, babai i vajzës së zhdukur thotë se po kërkon ndihmën e të gjithë njerëzve për ta gjetur vajzën. Ajo ishte larguar nga shtëpia për të blerë bukë mbrëmjen e së martës së parë të qershorit të vitit 2008.

“E kam kërkuar në gjithë Kosovën. Kam shku disa herë në Shqipëri dhe s’kemi gjetur asnjë gjurmë të vajzës”, thotë Sabiti teksa ende shpreson se një ditë do të marrë një njoftim për të bijën.

Nakshije Kodrolli, e lindur më 16 prill të vitit 1982 në Vushtrri, ishte lajmëruar si e zhdukur në stacionin e Policisë para 137 muajsh. Kishin nisur hetimet, por asnjë rezultat s’ka dalë prej tyre. Lënda është transferuar në Prokurorinë Themelore.

Familja Kodrolli thotë se institucionet e hetuesisë s’kanë bërë pothuajse asgjë për këtë rast.

- Advertisement -

Numri i Lëndës në Prokurori

Lënda është regjistruar në Prokurorinë Themelore pa u zbardhur dhe është arkivuar me numër “PPP-441-1/2011”. Në Policinë e Kosovës kanë thënë se lënda ka kaluar në Prokurori.

Për këtë rast ishin intervistuar disa persona derisa hetimet kanë mbetur në Departamentin e Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

- Advertisement -

Megjithëkëtë, pensionisti nga Obiliqi nuk është ndalur së kërkuari të bijën. Thotë se s’po e akuzon askënd, por po kërkon të zbardhet humbja e vajzës së tij.

Madje, kërkon që nëse është gjallë, e bija e tij t’i lajmërohet.

“Edhe nëse është martu, edhe nëse ka fëmijë, kudo që është, nuk ka me e çortu kurrkush për kurrgjë, veç te di ku është, edhe nëse ka vdekë, varrin ta di ku e ka, të kom shpirtin e qetë”, thotë prindi i vajzës.

Ish-punëtori i KEK’ut thotë se shpreson ende se një ditë do ta takojë dhe do të flasë me vajzën e tij, e cila tash do t’i kishte 37 vjet. Ai thotë se në prokurori lënda e vajzës së tij nuk është marrë seriozisht. Thotë se dikush në organin e akuzës i kishte thënë se lënda e vajzës së tij është cilësuar si “vdekje e dyshimtë”.

“Asnjë informacion nuk e kemi. As a është gjallë apo e vdekur”, deklaron ai teksa i rrjedhin lotët.

Babai i katër fëmijëve thotë se e gjithë familja është traumatizuar nga rasti i zhdukjes së vajzës. Tregon se ka shkuar disa herë në Shqipëri për ta kërkuar të bijën, por nuk ka pasur asnjë rezultat.

Herën e fundit Sabiti thotë se shkoi vitin e kaluar më 9 maj në Tiranë për të futur të bijën në sistemin e kërkimit nga INTERPOL-i.

“Katër fotografi dhe pasaportën e vajzës i kom dërgu në Shqipëri për me e shti në Interpol, pasaportën aty e ka, më kanë thanë se nëse diku ka dhënë gisht edhe me emër tjetër, na del që është vajza ime, a e kanë shti a veç më kanë mashtru nuk e di”, deklaroi ai.

Në listën e INTERPOL’it s’është asnjë person me emrin vajzës nga Obiliqi, e lajmëruar si e humbur në Shqipëri.

Sidoqoftë, Sabit Kodrolli thotë se ka shkuar edhe në disa emisione në televizionet e Shqipërisë për të kërkuar të bijën, por s’kanë marrë asnjë informacion.

Në anën tjetër, në Polici kanë thënë se vetëm këtë vit janë raportuar 211 raste, ndërsa vitin e kaluar ishin lajmëruar si “persona të zhdukur” 247 raste.

Kushdo që ka ndonjë informacion për Nakshijen mund të njoftoni familjarin e saj në numrin e telefonit: +38344399460/gazetaexpress.com

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit