“Baju prej këtu” – përplasje në Kuvend mes Arben Gashit e deputetit të VV-së

0
148

Mosvotimi i LDK-së për marrëveshjen ndërkombëtare për projektin e reformës së sistemit të ndihmës sociale në vend, ka shkaktuar reagime të shumta në Kuvend.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi i është drejtuar me një gjuhë të papërshtatshme deputetit nga radhët e VV-së, Dimal Basha, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Baju prej ktu”, i tha Gashi Bashës.

Gashi tutje tha se nuk e votuan këtë marrëveshje për shkak se ideoligjikisht dhe teknikisht besojnë se është në dëm të interesit të Kosovës.

VIDEO

“Marrëveshjet e tjera i votuam të gjitha sepse menduam se janë në të mirë të Kosovës. Derisa ne i votuam 4 marrëveshje me radhë… ministri qohet bën status sulmues ndaj LDK-së se nuk iu prit derisa të bëhet në lexim të dytë”, tha Gashi në Kuvend.

Ndryshe, Ministri i Financave Hekuran Murati prezantoi në seancën e sotme në Kuvend një marrëveshje ndërkombëtare për kredi nga Banka Botërore në vlerë 47 milionë euro për skemat sociale.

“Vlera totale e projektit prite të kap shumën deri në 47 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë së Kosovës që të përmirësojë efikasitetin e asistencës sociale. Përmes testit të varfërisë do të targetohen më mirë shpenzimet e qeverisë të cilat shkojnë drejtë familjeve në nevojë. Si dhe avancimin e integruar të familjeve me asistencë sociale në mënyrë që të krijohen mundësia që të ardhmen të zgjerohet baza e asistencës sociale, në raste të ngjashme sikur kishim tash në krizën e pandemisë”, tha ai.

Ai po ashtu reagoi edhe me një status në Facebook, pasi LDK-ja votoi kundër kësaj marrëveshjeje.

Lidhur me këtë reagoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti i cili theksoi se LDK-ja nuk e përkrah këtë marrëveshje. Hoti e pyeti ministrin Murati se çfarë shteti është Kosova nëse merr kredi për të paguar skemat sociale.

“Që të rishikohen skemat pajtohemi sepse ka qytetarë që plotësojnë kushtet dhe s’marrin dhe anasjelltas. Të merret kredi për pagesë të skemave sociale kjo nuk ka ndodhur asnjëherë ndoshta prej vitit 2008 e këndej që shteti i Kosovës të marrë kredi për të paguar skemat sociale ose paga. Në fund të fundit çfarë shtetit jemi nëse nuk arrijmë që me të hyrat që kemi të paguajmë skemat sociale e pensionale. Vetëm Palestina ose Sahara Perëndimore që kanë vështirësi për konsolidimin e institucioneve marrin kredi të tilla”, tha Hoti në Kuvend.