Ditë më parë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas një takimi me disa përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës, më 7 prill, ka deklaruar se pas shtatë ditësh do të dalë me “konkluzionet e përbashkëta” në lidhje me zgjedhjet në veri të Kosovës dhe “të gjitha ngjarjet e ardhshme”.
Vuçiq ka përsëritur se “përfaqësuesit serbë” nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e shpallura për 23 prill, në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok.
Presidenti i Serbisë nuk dha detaje nga takimi, duke thënë se konsultimet e radhës të ekipeve të Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve nga Kosova do të mbahen në Rashkë, në jug të Serbisë dhe më pas do të dalin me “platformë e përbashkët”.
Në lidhje me këtë çështje në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.
Ai u shpreh se Serbia e ka të vështirë ta zgjidh konfliktin me Kosovën dhe se hallin e serbëve po e mbanë edhe kryeministri Rama.
ImageEnver BytyçiFOTO GALERI
“Presidenti i Serbisë dhe Serbia e kanë shumë të vështirë ta zgjidhin konfliktin me Kosovën. Për Kosovën dialogu dhe zgjidhja janë “kek”, pra një ëmbëlsirë me pak sheqer dhe e shijshme. Për Serbinë është helm, tha Edi Rama. Është shumë e vështirë. Pra Kosova e ka shumë të lehtë situatën në veri, vështirësitë i ka Serbia dhe presidenti i saj, të cilët, sipas Edi Ramës, janë në hall.
Kjo do të thotë se diversioni, provokimi, politika e tensionit dhe e ndërhyrjes së Beogradit në Kosovë janë “legjitime”! Kështu thotë kryeministri i Shqipërisë. Serbia po vuan, Kosova “ha kek”, thotë naltgjatësia e tij! E imagjinoni ju, sa shumë i bie në qafë Serbisë kjo Kosova jonë?! Këtë u tha edhe presidenti i Serbisë liderëve të serbëve të Listës Srpska, me të cilët u takua në Rashkë. U tha se “serbët vuajnë“ nga dhuna e terrori serb. Kjo është taktika e përhershme e udhëheqësve të Beogradit”, u shpreh ai.
Nuk ka rrezik nga Vuçiqi por nga Rama
Më tej, profesori përmend Memorandumin e Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve në vitin 1985 duke shtuar që historia që përmendet në këtë Memorandum është përsëritur kundër shqiptarëve.
“Çfarë thoshte Memorandumi i Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve në vitin 1985? Thoshte se në Kosovë shqiptarët po kryenin gjenocid kundër serbëve. Në fakt po ndodhte e kundërta. Serbia po bënte gjenocide kundër shqiptarëve. Por akuzoheshin shqiptarët, sepse duhej “bind bota” për ta spastruar etnikisht Kosovën prej tyre. Dhe asokohe u sajua rasti Martinooviç të komunitetit serb në Graçanicë, i cili u vet-plagos me shishen e birrës. Duhej thënë se “Shqiptarët kryejnë “gjenocide”, madje me “mjete të tmerrshme” kundër serbëve.
Pikërisht këtë gjë po bën sot presidenti i Serbisë, i cili bashkë me kryeministrin e Shqipërisë këndojnë këngën e Akademisë së Serbisë të vitit 1985. Nuk po i përmend projektet e mëparshme të Beogradit për akuza kundër shqiptarëve. Kjo histori është përsëritur kundër shqiptarëve, sa herë janë hartuar projekte për asgjësimin e tyre. E njëjta gjë ndodh sot. Por sot Edi Rama reciton njësoj si edhe Vuçiq. Unë nuk e shoh rrezikun te kreu i shtetit të Serbisë. Rreziku më i madh i vjen Kosovës dhe shqiptarëve nga kreu i ekzekutivit të Shqipërisë”, thekson ai.
Fakti që Lista Srpska nuk merr pjesë në zgjedhjet e katër komunave në veri me 23 prill është domethënës.
Profesori universitar përmend djegien e veturave në veri të Kosovës duke shtuar që është shumë domethënëse që Lista Srpska nuk do të jetë pjesë e katër komunave në veri më 23 prill.
“Dje Vuçiq nga Rashka tha se “Albin Kurti do ta qeverisë Mitrovicën e Veriut me 24 prill”! Foli edhe për “pastrim etnik” në veri të Kosovës nga ana e kryeministrit, qeverisë dhe forcave ushtarake e policore të Kosovës. Ndërkohë janë serbët që hedhin në erë e djegin veturat e bashkëkombësve të tyre. Madje me regjinë e presidentit të Serbisë dhe angazhimin direkt të Listës Srpska. Gjithçka flet për atë se retorika e Vuçiq është në funksion të krijimit të kushteve për destabilizim në veri të Kosovës.
Nga përvoja e këtyre viteve, sa herë që presidenti serb ka takuar Listën Srpska ka paralajmëruar konflikt, barrikada, tension dhe përpjekje për të gjeneruar luftë në rajon. Edhe kësaj radhe kjo po ndodh. Fakti që Lista Srpska nuk merr pjesë në zgjedhjet e katër komunave në veri me 23 prill është domethënës. Nuk duhet menduar se partia e formuar nga Vuçiq për ta provokuar Kosovën e zhvlerësuar pavarësinë e shtetësinë e saj nuk merr pjesë në zgjedhje për t’ia dorëzuar kontrollin e territorit qeverisë së Kosovës. Nuk besoj. Një president që kujdeset të ushtrojë presion edhe ndaj vajzës së Trajkoviç, nuk ka mundësi që ta dorëzojë Kosovën kaq lehtë”, shpjegoi profesori.
Vuçiq po përgatit diçka të dëmshme për Kosovën
Sipas profesorit bandat në veri të Kosovës po presin urdhrin nga Beogradi për të krijuar një destabilizim dhe me anë të kësaj të pranohet Asociacioni nga Kurti.
“Kjo do të thotë se Aleksandër Vuçiq përgatit diçka të dëmshme dhe destabilizuese për Kosovën dhe rajonin. Kjo do të thotë se lufta e nxehtë në veri të Kosovës do të nis shpejt në veri dhe bandat e Vuçiq janë në gatishmëri të urdhrave të Beogradit për këtë. Madje edhe deklaratat e Edi Ramës për atë që ai e quan pamundësi të Serbisë të lëshojë Kosovën shkon në këtë drejtim. Ta justifikojë aventurën e së ardhmes së shpejtë të mikut e vëllait të tij në Beograd. Edi e paralajmëroi dhe e justifikoi paradhënie. Që kur të nisë furtuna e provokimeve dhe konflikteve me barrikada në Jarinjë e Brnjak, Serbia të jetë e justifikuar për këtë.
Ndërkaq më duket se segmente të caktuara në Bruksel e Uashington janë të interesuar për një destabilizim të kontrolluar në veri të Kosovës, me anën e të cilit do t’i bëhej presion qeverisë së Albin Kurtit që ta pranonte Asosacionin, siç e do presidenti Serbisë. Ndryshe do t’i dënonte dikush deklaratat e tij destabilizuese. Kjo gjë duhet marrë në konsideratë nga institucionet e Kosovës. Këtë duhet ta lexojë sidomos opozita, analistët e së cilës kanë filluar të kërkojnë shtyrjen e zgjedhjeve të pjesshme, me preteksin se serbët do të destabilizojnë vendin.
Nëse Kosova, institucionet e saj, qytetarët e forcat e sigurisë do të tërhiqen sa herë serbët provokojnë, këto provokime do të vazhdojnë pa limit kohe e madje edhe hapësire. Sepse kjo metodë do të dilte me interes për to”, përmbylli profesori universitar, Enver Bytyçi.