Për shumë vite me radhë, Komuna e Podujevës është drejtuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por në zgjedhjet e së dielës, për herë të parë, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi fitoi dhe u bë kryetar i qytetit llapjan.
Si çdo komunë tjetër që ndihmon klubet e veta, edhe Komuna e Podujevës në vazhdimësi ka ndihmuar klubin më të madh në qytet, Llapin.
Trajneri llapjan është me shpresë se Komuna e Podujevës, përkundër ndryshimit të kryetarit, do të vazhdojë me ndihma për klubin e Llapit.
“Pasi që të gjitha klubet janë ndihmuar me mjete financiare, presim që edhe Komuna e Podujevës të na ndihmojë”, ka deklaruar Batatina.
“Nëse Komuna e Malishevës ndihmon klubin e vetë që garon në Ligën e Parë me 50 mijë euro, atëherë edhe Podujeva ka mundësi dhe kapacitet ta bëjë një gjë të tillë”, tha të mërkurën për “Zeri.info” Tahir Batatina.