Disa vetura janë përfshirë nga flakët në parkingun e qendrës tregtare “Albi Mall” në Prishtinë.
Lexues të Periskopit kanë dërguar pamje nga atje, ku shihet një numër i veturave të djegura.
Zëdhënësi i policisë, Baki Kelani ka konfirmuar se fillimisht zjarri ka kapuar një veturë e më pas të tjerat.
“Rreth orës 13:40 në Veterrnik të Prishtinës, në një parking veturash është raportuar për një rast zjarri. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë vërejtur se nga zjarri i cili dyshohet se ka kapluar një veturë të parkuar, dyshohet se janë djegur/dëmtuar edhe disa vetura tjera të parkuara”, tha zëdhënësi i policisë.
Tutje, Kelani shtoi se persona të lënduar nuk ka, por vetëm dëme materiale në 7 apo 8 vetura tjera, dhe se hetimet po vazhdojnë për rastin.
“Janë njoftuar me kohë njësitet e zjarrëfiksave të cilat kanë lokalizuar zjarrin. Për momentin nuk raportohet për të lënduar por vetëm për dëme materiale në 7 apo 8 vetura. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive”, përfundoi zëdhënësi i policisë, Baki Kelani.