1.2 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Braktis Kosovën kandidatja me 10-she që nuk u pranua asistente në Fakultetin e Mjekësisë

Rekomandime

Shqipdona Lahu ka udhëtuar sot për në Gjermani për të vazhduar studimet e doktoratës në Universitetin Teknik të Mynihut pasi në tri konkurse ku aplikoi në Universitetin e Prishtinës nuk e pranuan si asistente.

- Advertisement -

Para udhëtimit në Gjemani, Lahu në një intervistë për KALLXO.com ka thënë se pretendimet e tri komisioneve vlerësuese nuk qëndrojnë pasi ajo ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara në konkurs edhe pse komisionet recensuese të këtij Fakulteti kanë thënë se vajzës nuk i është bërë e padrejtë, por se nuk i ka plotësuar kriteret e parapara në konkurs.

Rreth pretendimeve të Sadi Bexhetit, kryesues i komisionit vlerësues në konkursin për angazhimin e dy bashkëpunëtorëve të jashtëm për Anatomi, i cili ka thënë se Shqipdona Lahu nuk i ka pasur punimet adekuate për pozitën në të cilën ka aplikuar, kjo e fundit ka thënë se punimet në konkurs kërkohen të sillen nëse i ka kandidati, porse nuk janë të domosdoshme dhe nuk do të duhej ta penalizonin.

“Sa i përket rregullores për angazhim akademik, thotë që kandidati duhet të ketë gradën ekuivalente me master, ta ketë notën mesatare në të dyja nivelet e shkollimit të paktën 8.0 si dhe të jetë nën moshën 30 vjeçare. Ndërsa në dokumentacionin e kërkuar në konkursin e datës 11 korrik ku thotë se dëshmitë për publikimet profesionale të sillen nëse i ka kandidati”, ka thënë Lahu.

- Advertisement -

Po ashtu, profesor Bexheti ka thënë se kandidatja Lahu nuk i është dukur serioze pasi kishte aplikuar në tri pozita të ndryshme njëkohësisht.

Lahu për KALLXO.com ka thënë se këtë gjë nuk ja ndalon rregullorja, ndërsa akuzon kandidatët e tjerë se e kanë ditur se do të pranohen.

- Advertisement -

“Sipas rregullores, ne kemi të drejtë të aplikojmë në pesë pozita të këtij konkursi. Ai e ka thënë këtë pasi kandidatët, të cilët kanë aplikuar, kanë aplikuar vetëm në një lëndë, dhe ju do të pyesnit pse?. Ata kanë aplikuar vetëm në një lëndë pasi e kanë pasur paraprakisht të sigurt se do të pranoheshin. Ndërsa unë meqenëse jam studente e dhjetave, dhe kam dhjetëshe në këto tri lëndë, mendoj se kam të drejtë morale dhe ligjore më shumë se kushdo tjetër të aplikoj në këto pozita”, ka vazhduar ajo.

Kurse për kandidatët e pranuar, Shqipdona Lahu ka thënë se nuk është sqaruar në raportin e komisionit se pse janë pranuar, nën cilat arsyetime.

“Kjo kandidate, e cila është pranuar nuk ka as doktoraturë dhe nuk figurojnë dëshmitë e njohjes së gjuhës angleze edhe pse kjo ka qenë një ndër përparësitë e konkursit e që është cekur në konkursin e datës 11 korrik, që kandidatët që kanë dëshmi të njohjes së gjuhës angleze t’i sjellin ato dëshmi sepse do të konsiderohen se kanë përparësi dhe meqenëse raporti i komisionit është shumë i mangët dhe profesor Sadiu nuk ka dhënë asnjë arsyetim ligjor se pse është zgjedhur kandidatja numër dy në këtë konkurs. D.m.th. komisioni vlerësues ka dhënë recension pozitiv pa treguar arsye ndërsa deklarata se “kandidatja ka interesim të shtuar shkencor” është qesharake. Kandidati tjetër sipas rezultateve të konkursit është kandidat i studimeve të doktoratës, por edhe për këtë mungon raporti nëse posedon dëshmi të njohjes së gjuhës angleze dhe sa publikime shkencore i ka”, ka vazhduar më tej Lahu.

Konkursi në Fiziologji Patologjike

Për pretendimet e kryesuesit të komisionit për angazhimin e shtatë bashkëpunëtorëve të jashtëm për mbajtjen e ushtrimeve për grup lëndësh nga katedra e Fiziologjisë Patologjike, Burim Neziri, i cili ka thënë se Lahu nuk ishte paraqitur për intervistim te komisioni recensues, ku do të sqaroheshin disa pika kyçe për pozitën përkatëse, Shqipdona Lahu ka thënë se është njoftuar shumë vonë për intervistën.

“Unë e dëgjova edhe deklaratën e kryesuesit të komisionit për lëndën Fiziologji Patologjike, se kanë thënë se nuk paskam shkuar në intervistë pasi më kanë thirrur disa herë. Unë jam ftuar në intervistë me datën 4 shtator në ora 2:19 minuta për të nesërmen në mëngjes në ora 11:15. Unë e konsideroj se ky lajmërim është shumë i vonshëm, nuk kam pasur rastin ta shoh e-mailin atë ditë që më është dërguar. Komisioni duhet të jetë shumë më serioz sepse njoftimin për intervistë duhet ta bëjë së paku dy ose tre ditë pasi kemi të bëjmë me një konkurs zyrtar, pra është skandaloze të ftohesh pasdite për të nesërmen në mëngjes”, është arsyetuar Lahu.

Konkursi në Farmakologji me toksikologji (MP dhe Stomatologji)

Shqipdona Lahu për pretendimet e kryesuese së komisionit në lëndën Farmakologji me toksikologji (MP dhe Stomatologji) se nuk e ka të regjistruar doktoratën dhe nuk ka përvojë të mjaftueshme ka thënë se është shumë e re dhe se përvoja duhet të fillojë diku.

“Është e vërtetë që unë nuk kam përvojë në këtë rast sepse nuk kam qenë e angazhuar. Unë kam diplomuar vitin e kaluar, kam moshën 25 vjeçare dhe rrjedhimisht përvoja duhet të fillojë diku. Kjo katedër ka pranuar më herët kandidatë që nuk kanë qenë të angazhuar sepse diku duhet t’ia fillosh për herë të parë për ta bërë përvojën. Ndërsa sa i përket studimeve të doktoratës, jam kandidat në Universitetin Teknik të Mynihut dhe pas përfundimit të kësaj interviste do të udhëtoj për atje. Ndërsa se a do të kthehem ose jo pas doktoratës është shumë herët të flasim pasi jam konsideruar aset dhe vlerë për atë universitet”, ka përfunduar Lahu.

Një studente e shkëlqyeshme e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës u shpreh e zhgënjyer pse nuk e propozuan për t’u bërë asistente në po këtë Fakultet.

Shqipdona Lahu, u bë lajm i ditës të enjten duke treguar se aplikoi në tri konkurse për bashkëpunëtore të jashtme ndërsa komisionet recensuese në të tri rastet propozuan kandidatë të tjerë që ajo thotë se nuk e meritojnë.

Ajo madje tha se ky ishte shkaku që e shtyri të vendosë për të vazhduar Doktoraturën në Gjermani në vend se të qëndrojë në Kosovë.

Lahu kishte kishte aplikuar në tri konkurse, Anatomi 1 dhe 2, Farmakologji me toksikologji(MP dhe Stomatologji) dhe Fiziologjisë Patologjike

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit