4.2 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

Brukseli e ka vendosur: Ky është shteti i parë në rajonin ballkanik që do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian?

Rekomandime

Mali i Zi do të jetë sipas Brukselit zyrtar vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që do të anëtarësohet në Bashkimin Europian.

- Advertisement -

Vendi fqinj hapi një vit e gjysmë më parë kapitullin e fundit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke u udhëhequr kështu “maratonën” e integrimit Ballkanin Perëndimor. Mali i Zi filloi negociatat e pranimit me Bashkimin Europian në qershor të vitit 2012 dhe sipas zyrtarëve europianë, mund të bëhet zyrtarisht pjesë e unionit në 2025-ën.

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, tha se Mali i Zi është në pozitë të mirë për të qenë vendi i parë në rajon që bëhet anëtar i BE-së. Komentet erdhën pas takimit me Kryeministrin e Malit të Zi, Zdravko Krivokapic, në margjinat e Forumit Ekonomik në Athinë.

Krivokapic tha se intensiteti shumë dinamik i kontaktit me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe shtetet anëtare është një lloj konfirmimi për angazhimin e Qeverisë së Malit të Zi për t’u bërë një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Europian.

- Advertisement -

“Ne besojmë në procesin e integrimit europian dhe perspektivën tonë evropiane. Qeveria po punon me kapacitet të plotë për të përmbushur detyrimet nga agjenda evropiane në mënyrë që që Mali i Zi të bëhet një anëtar i plotë sa më shpejt të jetë e mundur” tha kryeministri malazez.

Mali i Zi dhe Serbia kanë nisur negociatat për anëtarësim para disa vjetësh dhe deri më tani, kanë mbyllur vetëm një numër të kufizuar të kapitujve, Mali i Zi tre dhe Serbia vetëm dy. Mali i Zi ka hapur të gjitha kapitujt negociues, ndërsa Serbia deri më tani ka hapur 18 kapituj.

- Advertisement -

Por ndryshe nga Mali i Zi, ritmi i procesit të pranimit të Serbisë është ngadalësuar ndjeshëm. Në vitin 2017, Beogradi hapi gjashtë kapituj negociues, dhe në 2018 katër. Këtë vit, ai ka hapur vetëm dy Kapituj të rinj, por edhe nuk ka arritur të mbyllë asnjë të vetme, ndryshe nga Mali i Zi. Beogradi ka mbetur prapa sipas zyrtarëve europianë për shkak të ngadalësimit të reformave dhe shkeljes së lirive demokratike.

Në këto kushte, vendi i vogël që është parë si favorit në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, Mali i Zi tash e mbi pesë muaj ka një qeveri të re të zotëruar nga partitë proserbe e proruse, duke ngritur shqetësime për ndryshimin e orientimit të vendit që tashmë është anëtar i NATO-s.

Qeveria aktuale ka kaluar nga një krizë në tjetrën dhe ministrat aktual kanë shkaktuar së një sërë skandalesh duke mohuar gjenocidin serb në Srebenicë dhe duke mbrojtur qasjen e Rusisë ndaj rajonit. Duke përfituar nga skandalet presidenti Milo Gjukanovic po përpiqet të rikthejë partinë e tij në pushtet, duke u munduar të joshë partitë e vogla të koalicionit qeverisës. Pasi rrëzoi partinë e Gjukanovicin pas 30 vjetësh në pushtet, qeveria aktuale ka ngadalësuar reformat për integrimin europian, duke ngjallur pasiguri nëse është e dedikuar ndaj rrugës perëndimore të vendit fqinj.

Analisti amerikan, Richard Kraemer nga Instituti Kërkimor për Politika të Jashtme dhe Shef i Programit të Ballkanit Perëndimor në Qendrën Evropiane të Vlerave thotë se anketat e fundit tregojnë se shumica e qytetarëve të Malit të Zi duan që vendi të vazhdojë rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.

“Kur shohim se çfarë po ndodh muajt e fundit me amendamentimin e Ligjit për ndjekjen e krimit të organizuar dhe si qeveria aktuale po sulmon prokurorin e Posaçëm, Milivoje Katniç për të cilin unë kam vetëm respekt dhe admirim dhe e konsideroj si një patriot të vërtetë, veprimet e tilla kanë pasoja. Nxitja e hakmarrjes politike nuk do t’ju fus në Bashkimin Europian. A do t’i dëgjojnë udhëheqësit e Malit të Zi këto mesazhe dhe t’i kuptojnë ato, është çështje e tyre”, tha ai.

Prokurori i Posaçëm, Milovoje Katniç, drejtoi hetimet rreth përpjekjeve për një grusht shteti në vitin 2016 në Mal të Zi. Analistja Majda Ruge nga Këshilli Europian për Marrëdhënie Ndërkombëtare thotë se disa zhvillime në Malin e Zi vënë në pikëpyetje përkushtimin e tij për të vazhduar rrugën drejt integrimeve evropiane.

Analistja Majda Ruge nga Këshilli Europian për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha se çështja e këtij ligji që mori një opinion nga Komisioni i Venecias, u paraqit nga shumica parlamentare si një hap më tej drejt luftës kundër korrupsionit. Por, duket më shumë si një përpjekje për të ushtruar ndikim politik në drejtësi, posaçërisht në zyrën e prokurorit.

“Pra çështja është se si do të veprojë qeveria, e cila tha se ‘Komisioni i dha dritën jeshile’, që nuk është e vërtetë dhe si do të punojë për përmbushjen e kapitullit 23, që ka të bëjë me drejtësinë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Ruge thotë se në Malin e Zi ka veprime që demonstrojnë një trend drejt revizionizmit, që tashmë është parë edhe në Serbi dhe Kroaci.

“Pamë mohimin e gjenocidit në Srebrenicë nga ministri i Drejtësisë. Sapo kishim vizitën e një delegacioni të Malit të Zi, përfshirë ministrin e Financave, në Republikën Serbe të Bosnjës, dhe takimin e tyre me Milorad Dodikun, pa flamurin e Bosnjës dhe vetëm më simbolet e Republikës Serbe, pak pas publikimit të dokumentit joformal slloven që argumentonte për ripërcaktimin e kufijve në vija etnike dhe deklaratat e Milorad Dodik se Bosnja duhet të shpërbëhet në mënyrë paqësore. Këto janë vetëm disa shenjat e qeverisë së re dhe çështja është nëse këto do të përkthehen në politika të jashtme dhe rajonale më pak konstruktive të qeverisë së Malit të Zi”, tha a Ruge.

Mali i Zi, i cili deri në vitin 2019, për gati 30 vjet është drejtuar nga Partia Demokratike e Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç, sfidoi aleatin historik, Moskën në vitin 2017, duke u anëtarësuar në NATO. Analistë të ndryshëm thonë se me qeverinë e re rusët mund të shfrytëzojnë zyrtarët më miqësorë ndaj tyre në Podgoricë për të përfituar qasje në informacionet e besueshme të aleancës. Për Kraemer, është vështirë të thuhet se Mali i Zi mund të ofrojë qasje në informacione të tilla.

“Por, duhet kuptuar se veprimet dhe fjalët kanë pasoja. Kur keni dikë si (kryeministrin Zdravko) Krivokapiç, që duket si dikush me mëdyshje rreth një perspektive të një unioni të ardhshëm ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë, ta zëmë, është pengesë e madhe për atë që duhet të jetë integrim efektiv i forcave ushtarake të Malit të Zi nën ombrellën e NATO-s”, tha Kraemer.

“Do thosha duhet të jesh i brengosur me shumë nga përzgjedhjet në ministrinë e Mbrojtjes, shefin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe Komisionin parlamentar për sigurinë. Shefi i këtij komisioni është Milan Knezheviç, që ishte dënuar për pjesëmarrje në përpjekjen për grusht shteti të mbështetur nga Rusia në Malin e Zi. Edhe nëse Knezhevic dhe qeveria pohojnë se akuzat ishin të motivuara politikisht, çështja është nëse për emërimet ne sektorin e sigurisë është bërë vlerësimi i duhur”, tha Ruge.

Përveç ndikimeve nga Serbia dhe Rusia, në Malin e Zi është në skenë edhe një lojtar tjetër u fuqishëm, Kina. Rreth një muaj më parë Mali i Zi kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian për të shlyer një borxh prej 1 miliardë dollarësh që kishte marrë nga Kina në vitin 2014 për ndërtimin e një autostrade nga Tivari në bregdet deri në veri në kufi me Serbinë.

Analisti Kramer e quan “autostradë drejt asgjëkundit” dhe një shembull shkollor se çfarë ndodhë kur shteti kinez përfshihet fuqishëm me një qeveri të një vendi tjetër në atë masë sa diplomacia e kurthit të borxheve përdoret si mjet për të zgjeruar ndikimin gjithandej rajonit.

“Nëse e shihni shumën e kredisë dhe shkallën e ekonomisë në Mal të Zi, po flasim për vlerësimet se një kilometër e autostradës 42 kilometërshe është llogaritur 23,8 milion dollarë, për një vend me 650 mijë banorë, pa industri të zhvilluar, është befasuese për mua që qeveria e DPS-it ishte e vullnetshme të pranojë kushte të tilla. Megjithatë, e pranoj se kjo ka ndodhur para disa vitesh kur shumë evropianë, amerikanë, australianë, shumë njerëz të demokracive funksionale gjithandej në botë, kishin besim se Kina do të bëhet pjesë e komunitetit tregtar dhe investues dhe do të luajë sipas rregullave. Por, kushtet e kësaj kredie tregojnë se nuk kishte asgjë të padëmshme në atë që Kina po synonte. Kina e kishte shumë të qartë idenë se do të jetë në gjendje të marrë shumë nga Mali i Zi madje duke marrë portin e Tivarit si pasojë. Kjo është vetëm keqdashëse”, tha Kraemer shkruan Gazeta Si.

Për ën Ruge, Kina është lojtar i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe paraqet sfidë për rajonin kur flitet për harmonizimin e tyre me standardet e Bashkimit Evropian, në fusha të ndryshme, si standardet e prokurimit, mjedisit apo mbrojtjen privatësisë. Mali i Zi, nuk është përjashtim, thotë ajo.

“Projektet kineze zbatohen gjithandej rajonit, përfshirë kreditë për autostradat dhe hekurudhat e ndërtuara kryesisht nga kontraktorët kinezë, për termocentrale më thëngjill që janë problematike për mjedisin, siç është në Tuzlla të Bosnjës. Për me tepër, kemi investime të mëdha kineze në Serbi, përfshirë blerjen e kompleksit e minierave të bakrit në Bor, shpëtimin e industrisë së çelikut, investimet në fabrikën e gomave në Zrenjanin, dhe pastaj kontratën e Huawei me Serbinë për rrjetin 5G dhe pajisjen me kamerat vëzhguese në Beograd”, thotë Ruge.

-Advertisement-

Më shumë artikuj

- Advertisement -

Të fundit